Nga Altin Ketro/
Sa herë afrohen zgjedhjet, është fare normale që partitë politike të shpalosin programet e tyre ekonomike. Këtë gjë po bën ditët e fundit edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Nëpërmjet një turi që ka marrë nëpër Shqipëri për të motivuar sa më shumë mbështetës për protestën e datës 16 shkurt, ai ka filluar alternimin edhe me shpalosjen e disa pikave të premtimeve elektorale.
Për të mbetur paksa tek protesta, dua të theksoj se një lider që përgatitet një kohë të gjatë për të, do të thotë se ndjehet i pafuqishëm për të qenë frymëzues për popullin opozitar. Kur për këtë i duhet që të bredhë edhe qytet më qytet që të ngjalli besim e motivim, atëherë situata bëhet më dramatike.
Aq të pashpresë e ndjen veten, saqë e di se me një thirrje nga televizori apo nga rrjetet sociale askush s’e merr seriozisht. As që këtë organizim t’ua besojë deputetëve apo kupolës së re që zgjodhi në drejtim. Prandaj i duhet që të dalë vet rrugëve, si tellalli Trifon i filmit: “Koncert në vitin ‘36”, veçse në ndryshim nga ai, i mungon tupani.
Dhe, në vend të Trifonit varfanjak që ftonte popullin për koncert, me buçitën veshët prej Lulzimit pasunar që fton popullin opozitar për protestë: “Oooo milet, dëgjoni tellallin tuaj Lulzim, që sot do t’ju gëzojë me një sihariq. Më 16 shkurt, në kasabanë Tiranë, zhvillohet një protestë, më e madhja që është parë ndonjëherë këndej anëve tona. Unë ju ftoj ju, që të vini të gjithë, me soj e sorollop, me kuç e me maç! Oooo milet, dëgjojeni mirë tellallin Lulzim, e mos thoni që s’e kuptuam. Po jua shtjelloj më shkoqur, që ta kuptoni thelbin dhe rëndësinë e misionit tuaj fisnik. Më 16 shkurt, ju thërras që të shkulim Ramën nga pushteti, e aty të ngulem unë, i tëri e i bëri, që mos u bëfsha kurrë si ai. Oooo milet, dijeni se atë ditë ju e keni vetë në dorë.
Gozhda del me gozhdë, prandaj secili prej jush ka rastin fatlum që të mos ndahet nga kjo jetë si anonim, por të kthehet në një hero kombëtar të rrëzimit të këtij pushteti kriminal. Unë ju premtoj, në nderin tim, se gjaku i atij që për mua do bjerë theror, s’ka për të shkuar dëm si i atyre të 21 janarit. Oooo milet, nuk po kërkoj 4 kurban, më mjafton veç një flijim! Është një opozitë e tërë, jam Unë, Ai dhe Ajo, që e presim me padurim këtë akt sublim, që do ju përjetësojë në pavdekësi!”
A nuk gjeni edhe ju mes këtyre rreshtave ilustrues, pjesëza me nënkuptim nga thirrjet e tij?
Ashtu siç theksova më lart, Lulzim Basha ka nisur edhe shpalosjen e piketave të veta elektorale. Vetëm se, po t’i vësh re premtimet e tij, kupton se ai qëllimisht ngatërron zgjedhjet vendore me ato parlamentare. Shumica dërrmuese e premtimeve nuk përbëjnë vendimmarrje lokale, por duhet që të kesh në dorë qeverinë dhe Kuvendin që t’i materializosh ato.
Premtimet e tij rreken drejt një forme që shkakton evazion të thellë fiskal dhe e çorodisin komplet buxhetin e shtetit. Aq i etur është për pushtet, saqë nuk i bën fare përshtypje kur premton përjashtim nga TVSH për xhiro deri në 130 mijë dollarë. Kjo gjë do të sillte pashmangshmërisht prishje të konkurrencës së ndershme në treg.
Basha premton tatim 0.5 për qind mbi xhiron, ndërkohë që Rama ka ofruar zero tatim mbi fitimin deri në xhiron 46 mijë dollarë dhe 5 për qind tatim mbi fitimin për xhiron 46 mijë deri 130 mijë dollarë. Ndryshimi është se Basha taton të ardhurat bruto, pa të njohur asnjë shpenzim. Me variantin Basha, biznesi, në çdo rast, do tatohet sipas xhiros, pavarësisht se në fund të vitit mund të dalë edhe me humbje. Ky variant as që i bën të interesuar tregtarët të marrin fatura blerje, sepse fokusi është vetëm tek xhiroja, jo tek shpenzimet.
Basha premton uljen e kontributit të sigurimeve, ndërkohë që edhe përqindja aktuale mezi e përballon skemën e pensioneve dhe shpërblimeve të tjera që jep fondi i sigurimeve shoqërore.
Nuk ia vlen të vijosh me të tjera xhevahire si ato me konfiskime pasurish të biznesmenëve, që të kujtojnë metodat komuniste të pasçlirimit që shtetëzoi çdo pasuri borgjezësh nën moton: “Gjakpirës të popullit”. Le pastaj kur i hakërrehet si kapadai bankave të nivelit të dytë, duke na risjellë ndërmend “kompetentin” e Sudes, Preshin e Lushnjes.
Qesharaku Lulzim Basha, o merr rol populisti, o shpik premtime si p.sh., ato të de-rregullimit të lejeve e licencave, që tashmë janë konkretizuar nga qeveria me ulje drastike.
Është shumë e thjeshtë sot të bësh populistin për të premtuar më pak taksa, pra më pak të ardhura në buxhetin e shtetit e atë të bashkive, dhe më shumë shpenzime, që përkthehet në rritje të borxhit dhe pafuqi të shtetit për ta larë atë e për të investuar.
Mund të luash shumë lehtë me ndjenjat e disa njerëzve fatkeq që vërtetë kjo kohë nuk i gjen në periudhën e tyre më të mirë. Eksperienca e tij e dështuar si kryebashkiak shëtitës në linjën Tiranë-Holandë, bashkë me gaztorin Enno që vegjetonte gjithë ditën në zyrë, mund t’ia kenë dhënë këtë vetësiguri.
Ama, një lider i vërtetë, i besueshëm e vizionar, nuk mund të mendojë sot për sot; hajt, ta shtyjmë dy a tri vjet dhe po shkoi shteti dhe ekonomia për lesh, s’ka gjë, se vijnë prapë në pushtet këta socialistët që ta vënë sërish në binarë.
Socialistët vërtetë e risollën njëherë në binarë shtetin dhe ekonominë pas vitit 1997, ku nuk dije s’e nga t’ia nisje punës më parë, dhe ua dorëzuan pushtetin demokratëve në vitin 2005 me inventar dhe me arkën plot; vërtetë e morën të falimentuar ekonominë shqiptare në vitin 2013, dhe po e mbajnë në parametra të besueshëm rritjeje vit pas viti, e certifikuar kjo edhe nga organizata të specializuara ndërkombëtare.
Por, në rast se do vijojmë ta trajtojmë shtetin, dhe me këtë kam parasysh veçanërisht ekonominë, si kalanë e Rozafës, ngre njëri e shkatërro tjetri, do marrim më qafë edhe brezin e vogëlushëve të sotëm, të cilët do vuajnë nesër ato pasoja që sot po vuajmë ne të rriturit prej politikave të mbrapshta e dritëshkurtra të politikanëve të fillim viteve ’90, të cilët ende i kemi si kufoma të gjalla në politikën aktive.
Ato politika jo vizionare apo të bëra keq dje, pasojat negative i ndjejmë sot. Ato që do bëjmë mirë apo keq sot, do e japin efektin e tyre pozitiv a negativ nesër. Këto teori na i ka vërtetuar koha dhe historia.
Lulzim Basha nuk jeton fare as me përvojën e së djeshmes, as me realitetin e të sotmes, e as me perspektivën e së nesërmes. Ai ka veç një ëndërr makthi, atë për pushtetin. Nëpërmjet bedelit të vet, Enno-s, pa pikë përgjegjësie, thotë që propozimet e tij do të japin efekt pozitiv në ekonomi brenda tri muajve.
Në lidhje me këto afate, më shkoi mendja tek filmi “Përballimi”. Kushdo e mban mend personazhin e sekretarit të partisë, Martin Kreka, i cili, pasi lexoi një parullë në mur ku shkruhej: “Plani 2-vjeçar do të sjellë begatinë”, shtoi buzagaz: “Fshijeni atë parullë, mos shkruani budallallëqe. Kush ka thënë që me një plan 2-vjeçar do i vijë begatia popullit? Eh sa djersë duhet derdhur që të vijë begatia”. E të mendosh që edhe propaganda komuniste që korrektonte skenarët me tematikë nga vitet e diktaturës, tregohej më realiste se sa propaganda e pështirë e Lulzim Bashës sot.
Mirë që u bëre si tellalli Trifon që njoftonte miletin për koncert, rol që të shkon shumë për shtat sot, po si nuk arrite dot as nivelin e inteligjencës së Martin Krekës, ooo Lulzim Basha!