Nga Shpëtim Nazarko
Diku pashë në shtypin e shkruar, sot, se Basha përmendte “Revolucionin francez” nën shembullin e të cilit opozita do të flakte nga pushteti Ramën dhe kastën e oligarkëve më datën 26 maj.
Në përgjithësi është Berisha ai që e ka qejf jo vetëm Revolucionin francez, por dhe letërsinë që përshkruan ngjarjet e atyre viteve. E kam dëgjuar edhe në parlament, kur përmend personazhet e famshme të “Vitit 93”, të shkruar nga Hygoi gjenial.
Ca ditë më parë dhe po ashtu për herë të parë në këto 27 vjet, në ligjëratë të drejtpërdrejtë, doktori më përmendi edhe mua si të kapur nga mafia… Sipas po tij, diku bëja zhurmuesin dhe diku shejtan budallain, për të mbrojtur Xhafajn.
Thua e meritoja? Në fakt, pa u përmendur emri i Babales si “Dëshmimtari X”, i thashë një drejtuesi emisoni, ku isha ftuar, se ky dëshmitar, referuar në vetë të parë po Berishës, nuk kishte për të dalë, sepse do ta vrisnin socialistët… Kjo deklaratë ishte dhënë po në të njëjtin emision po prej Berishës. Unë nuk bëra gjë tjetër, pra, vetëm se besova atë vetë. Po pa kaluar dy a tri ditë nga kjo deklaratë e doktorit, në skenë ja çatisi dësmimitari që nuk do të dilte… Ishte Babalja, që tashmë besoj se e siguroi edhe ai një vend në historinë e tranzicionit tonë laraman e të zhurmshëm…
Natyrisht që nuk më mbeti qejfi me doktorin. Ai, siç thotë edhe vetë shpesh, me fjalët e tij kopjon Berluskonin, që u flet militantëve apo atyre që kanë qejf ta dëgjojnë dhe jo atyre që kërkojnë të analizojnë ato që thotë ai. Kështu që, vetëm qesha kur dëgjova edhe sharjen në adresën time.
Varianti i paraqitur nga opozita nëpërmjet kasetës i ishte referuar po librave të Hygoit, një variant që mbante erë Tenardjeje. Ai që ka lexuar të “Mjerët” e di mirë se kush është Tenardjeja. Në rrëmujën e krijuar nga minirevolucioni i Parisit, Tenardjeja kërkoi edhe një herë të përfitojë nga palët… Ishte, natyrisht, në të drejtën e vet. Nuk e di vetë Babalja a e ka menduar me atë mënçurinë popullore, se a ia vlente të merrte pjesë apo të tallej edhe ai nga pak në këtë rrëmujën e madhe që po ngrihej në qendër të Tiranës…
Kur e dëgjova vetë Babalen që fliste në televizor, ia plasa gazit. Mendova se, si njeri me shije në letërsi, Berisha nuk do ta tregonte dëshmitarin jo për arsyen fillestare që pozoi ai, por thjesht se ashtu si personazhi famshëm i Hygoit, Babalja, mbante në kurriz vese që, siç i deklaroi vetë, e afronin shumë me Tenardjenë e njohur te “Të mjerët”…
Mundet që Berisha ta ketë ndjerë i pari këtë shaka pa kripë dhe në skenë pa kaluar dy a tri ditë hyri një gazetar. Kësaj radhe çështja merrte më shumë seriozitet, sepse, me përjashtim të kategorisë së gazetarëve, asnjë tjetër nuk mund t’i hedhë publikut diçka pa treguar më parë burimin. Doje gazetar? – më tha një deputet i Berishës në një emision. Ja ku e ke gazetarin.
Ajo që ai harroi të thotë është se gazetari apo gazeta ku ai punon dënohet nëse lajmi del i pavërtetë. Mund të çosh vendin në revolucion, apo mund të dëmtosh një ndërmarrje të madhe, aksionet e të cilës vlejnë miliarda, andaj dëmi në fund të fundit do paguar.
Shembull kemi Nanon, që i mori nja 750 mijë euro njërës prej gazetave më të mëdha të Italisë… Natyrisht, gazetari u tregua më i mençur se Babale dhe vetë PD-ja. Ai theksoi se materiali ishte bërë nga Babalja, po ai vetë nuk mund të vinte dorën në zjarr se zëri ishte apo jo i vëllait ministrit të Brendshëm.
Në këtë vërejtje të hollë, gazetari i dha një mësim të thjeshtë vetë PD-së. Një parti serioze, siç është ajo, e cila ka qeverisur për një kohë të gjatë Shqipërinë e tranzicionit, kishte shumë variante për të realizuar, qoftë edhe “Revolucionin francez” apo efektet analoge me të, pa shtënë as një pushkë.
Duke dyshuar jo vetëm “Dëshmitarin X”, por edhe çdo lloj dëshmitari serioz të kësaj bote, ajo duhej të kishte vepruar me qetësi me materialin e siguruar. Mund ta kishte dorëzuar në prokurori, siç bëri më së fundi; ose, nëse nuk e besonte atë, mund të kishte gjetur rrugë të tjera për t’u bindur se materiali ishte i vërtetë. Dhe vetëm pas kësaj sigurie mund të dilte e fliste në publik. Do t’i bënte kështu një shërbim edhe vendit ose thjesht qetësisë publike…
Mund të thuhet se edhe të tjerët gabuan. Vetë Rama tha jo më shumë se 24 orë pas publikimit të kasetës se ajo ishte e manipuluar.
Megjithëse ai pranoi vetë se dëshmia e tij nuk ishte provë dhe nga pikëpamja etike nuk ishte gjë e saktë, natyrisht që si Kryeministër ka mundësi më të mëdha dhe më të shpejta në mjete apo njerëz, për të provuar saktësinë e zërit të atij që akuzohet… Ëshë një gjë më e thjeshtë se në rastet e tjera. Dhe unë besoj që ai e ka bërë siç do ta bënte çdo njeri tjetër, të cilit vërtetësia e këtij lajmi do t’i dëmtonte moralisht jo vetëm të akuzuarin, por edhe vetë qeverisjen e tij. Çdo njeri që do të ndiente rrezik për këtë akuzë do të kryente me urgjencë këtë verifikim dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur…
Situata e sotme është shumë e ndryshme nga ajo e ditës së parë. Referuar Berishës, për analogji, shumë nga personazhet me variantin e zhurmuesit apo të një kategorie tjetër po e marrin historinë si të vërtetë dhe mbi bazën e saj po krijojnë kaosin e tanishëm.
Basha, siç thashë më sipër, preferoi të marrë si shembull Revolucionin francez, për të qëruar hesapet me kundërshtarin e tij. Thua të jetë rekomandim i Berishës që, siç e thashë më lart, e ka qejf letërsinë e kësaj periudhe dhe i përmend personazhet e Hygoit edhe në parlament herë pas here…
Vetë nuk e besoj. Megjithëse Berisha nuk godet dot më taktikisht si dikur, shijet letrare besoj t’i kenë mbetur. Andaj nuk besoj që në krye të këtij revolucioni që propozohet më 26 Maj të ngrejë turmat me një variant Tenardjeje, apo të ngjashëm me të.
Thua Basha, që në përgjithësi nuk përmend asnjëherë librat në fjalimet e tij, mundet të jetë inspiruar nga Berisha për të marrë shembull Revolucionin francez…
Revolucioni francez u përgatit nga Volteri, Dideroi dhe gjithë ai rreth i shkëlqyer filozofësh që hartuan atë që quhet në literaturë “Enciklopedia”. Natyrisht, nuk ka pasur premisë Tenardjenë apo variante të ngjashme me të…
Vetë mendoj se sado e rëndë të jetë ngjarja e 26 Majit, vetëm në revolucion nuk shkon.
Po ashtu, në këtë situatë, duke iu referuar po francezëve, mund të përmendim një gjerman me emrin Hajnë, që po e perifrazoj siç më vjen në mend.
Në ndryshim nga francezët – thotë ai – që filozofët e tyre i mbylllnin në Bastijë dhe veprat jua digjnin në zjarr, gjermanët e shpallën Hegelin filozofin e tyre zyrtar dhe veprat e tij mësosheshin me detyrim në shkollë…
Kjo bëri që Gjermania e prapambetur e kohës pak para tij të shndërrohej brenda 20 viteve në një nga vendet me klasën më të kulturuar të Evropës dhe me arsimin profesional më të mirë në botë. Arsim që edhe sot e bën eksportuesen më të madhe të saj.
Morali është i thjeshtë dhe i qartë. Unë besoj që opozita nuk ka nevojë për Revolucion francez. Mjafton që ajo të hedhë në publik ide mbi ekonominë dhe mbi zhvillimin real të vendit dhe do të mundë jo vetëm Ramën, po cilindo. Ka shumë ide të vogla a të mëdha, që mund të rrezikonin jo vetëm këtë qeveri, por cilëndo qeveri në botë nëse ato vërtet inspirojnë njerëzit.
Në të kundërt, tentativa për të luajtur me parullat e Revolucionit francez, në një kohë të tillë, nuk do të bëjë gjë tjetër, po do ta kthejë atë vetë në një tip Tenardjeje, jo me rreckat e tij në trup, por me kostumet e shtrenjta të udhëheqësve të saj.
Po gjithnjë e më tepër e me radhë të rralluara.
a.ç