Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i ftuar në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli për arritjen e madhe të atletes Luiza Gega, e cila u shpall kampione Europe, në Europianin, që u zhvillua në Gjermani.
Ylli tha se pritshmëritë për Gegën ishin që të kapte zonën e medaljeve, ndërsa shtoi se kështu i rritet imazhi vendit në mes të Gjermanisë.
Numri 1 i KOKSH, deklaroi se për këtë arritje të madhe, duhet të sensibilizohet opinioni publik, por mbi të gjithë të sensibilizohet qeveria.
Për Luiza Gegën kishim një pritshmëri, pasi garat e atletikës, maten me kohë. Garat e fundit bënë që ne të kishim pritshmëri, që Luiza Gega do të ishte në zonën e medaljeve.
Kur ishin dy xhiro e gjysmë nga fundi, më kapi empocioni. Nuk la shteg për rivalet. Që në fillim tregoi se do ishte e para. Rivalet pas garë u shtrinë në tokë, ndërsa Luiza Gega ishte gati edhe për një garë tjetër. Kjo tregon për përgatitjen dhe stërvitjen shumë të mirë që ka bërë. Është sportiste profesioniste. Jeton vetëm me garën e saj.
Shpërblim për Luiza Gegën? Padyshim, kur kemi një rezultat të tillë, duhet të sensibilizohet i gjithë opinioni, por mbi të gjithë qeveria, pasi ata kanë paratë. Duhet të tregojnë që të japin shpërblime elitare, për këtë sportiste elitare. Sportistët tanë janë heronj. Këta janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Ky është sporti që të rrit imazhin në mes të Gjermanisë. Këtyre sportistëve duhet t’iu ndërtojmë një piedestal.
Ylli tha se nuk ka çfarë t’i rekomandojë kryeministrit Rama, por shtoi se kërkon që sporti të zërë vendin e vet në Shqipëri. Madje ai shtoi se në rast se Luiza Gegën do e kishte një shtet tjetër, do e mbante si uji i paktë.
Nuk kam çfarë t’i rekomandoj kryeministrit, sepse ishte ai që ia organizoi këtë pritje. Çështja e shpërblimeve është çështje tjetër, e ka kryeministri në dorë, jo ne. Qeveria ka bërë një ligj të mirë në parlament. Ky ligj që ne kemi bërë që në 2017, po i jep frytet sot. Duam që sporti të zërë vendin e vet në Shqipëri.
Shteti duhet të ketë vëmendje për të ndihmuar këta sportistë. Nëse Luizën do e ketë një shtet tjetër, do e mbante si ujin e paktë. Qeverisë nuk i kushton gjë të japë 500 mijë euro, por aq janë buxhetet.
/e.d











