Ajo që nuk ndodhi gjatë operacionit antidrogë të një viti më parë, fatkeqësisht ndodh tani. Një efektiv i forcave speciale RENEA ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në Lazarat. Gjithçka ka nisur gjatë natës, kur një grup personash të armatosur kanë qëlluar në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit me detyrë në Lazarat.
Për pasojë, policia lokale ka kërkuar ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe atyre RENEA. Si FNSH ashtu edhe RENEA kanë nisur herët në mëngjes një operacion për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë.
Gjatë operacionit, në momentin që policia ka bllokuar makinën me disa persona të dyshuar si të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga dy banesa aty pranë. Të dhënat e para flasin për një kurth të grupit që kundërshtoi me armë policinë, që besohet se përbëhet nga 10-15 vetë, pasi breshëria ka zënë në befasi efektivët e RENEA-s.
Për pasojë ka humbur jetën efektivi, Ibrahim Basha, 31 vjeç, ish-pjesëtar i Batalionit Special të Ushtrisë me disa misione në Afganistan, i cili prej 6 muajsh ishte bërë pjesë e Forcave Speciale RENEA. Ndërkohë të plagosur kanë mbetur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.
Burime jo zyrtare thonë se efektivi i forcave RENEA është qëlluar me plumb në kokë me snajper. Nga Policia e Shtetit është konfirmuar se efektivi që ka humbur jetën është Ibrahim Basha, 31 vjeç.
Përleshja e armatosur mes policisë dhe personave ende të paidentifikuar, rikthehet kur ka kaluar një vit nga superaksioni i Policisë së Shtetit në këtë fshat për çrrënjosjen e lëndëve narkotike që i kishin vënë Lazaratit etiketimet e një fshati rebel e republikë të kanabisit.
Kush është efektivi i RENEA-s që u vra në Lazarat?
Ibrahim Basha ka qenë pjesë e Batalionit Special të Ushtrisë, ku numëron disa misione në Afganistan. Prej 6 muajsh ishte bër pjesë e Forcave Speciale RENEA.
Basha: Policët ishin me makinë të papërshtatshme
“Shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit. Vizituam dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj të cilët famtirësisht janë me plagë të lehtë. I uroj një shërim të shpejtë. Keni kërkuar që në orët e para që policia të marrë të gjitha masat që të mos cënohen civilët, autorët të ndalen para ligjit. Kemi kërkuar transparencë. Një fakt shqetësues, është se i gjithë grupi që është goditur i policisë, kanë qenë me një automjet të papërshtatshëm. Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu, por vrasja dhe plagosja e policisë duhet parë me objektivitet dhe pa ngjyrime politike. Kryeministri i vendit, është njeriu që duhet të bëjë transparencë për këtë ngjarje. Nuk ka asgjë të dukuptimtë dënimit që ne i bëjmë këtij akti kriminal. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në kërkesën e të bërit transparencë.”
Visho Ajazi Lika viziton dy efektivët e plagosur të RENEA-s
Kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit Visho Ajazi Lika mbërriti në spitalin e Traumës, ndërsa nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili ndodhej më herët në spital, u shoqërua drejt dhomave të dy efektivëve të plagosur.
Mjeku: Të plagosurit nuk kanë plagë serioze
Drejtori i Spitalit të Traumës ku po marrin ndihmë dy punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur në Lazarat thonë se, gjendja e tyre është e mirë. “Njëri ka plagë sipërfaqësore në kokë, ndërsa tjetri ka plagë në shpatullën e majtë. Janë në parametra optimalë. Nuk do të kenë asnjë konsekuencë. Janë jashtë rrezikut për jetën dhe pa nevojë për ndërhyje emergjente. Janë të vetëdijshëm, kanë plagë sipërfaqësore”, u shpreh drejtori i Spitalit të Traumës.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kanë vizituar dy efektivët e plagosur të forcave speciale RENEA në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
“Është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjen e Policisë së Shtetit, besoj se çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, kuarjon, shërbimin e Policisë së Shtetit, sot ka zi. Ndërkohë që duke i shprehur ngushëllimet më vllazërore familjes së atij që nuk arriti dot t’i mbijoteonte kësaj barbarie e duke shprehur dhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën dua që të nënvizoj se duhet të ndjehen vërtet keq ata që për faqen e tyre të zezë edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë policisë e duke e fajësuar. Paqin faqen më te zezë!”, deklaroi kryeministri Rama.
Presidenti Bujar Nishani: Dënoj aktin kriminal, autorët para drejtësisë
Presidenti i Republikës po ndjek me shqetësim ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Lazarat gjatë ditës së sotme ku ka humbur jetën Ibrahim Basha, efektiv i forcave speciale RENEA, dhe ku janë plagosur dy efektivë të tjerë. Kreu i Shtetit ngushëllon familjen e të ndjerit Basha për humbjen e rëndë si dhe i gjendet pranë të gjithë familjarëve e të afërmve në këtë ditë të rëndë për ta, ndërkohë që u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur. Presidenti Nishani dënon aktin kriminal dhe u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve, duke u bërë njëkohësisht thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira.
Perlat Hamitaj, efektivi tjetër i forcave speciale RENEA, që është lagosur në Lazarat.
Efektivët e plagosur mbërijnë në Spitalin Ushtarak në Tiranë
Dy efektivët e forcave speciale RENEA që u plagosën në Lazarat kanë mbërritur me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Efektivët ndodheshin për shërbim në Lazarat fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Verifikohen 4 nga 15 të dyshuarit, Tahiri dhe Llalla drejt Lazaratit
Ministri Saimir Tahiri dhe kryeprokurori Llalla janë nisur drejt fshatit famëkeq. Policia bën me dije se, ka verifikuar deri më tani katër nga autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilët janë në survejim.
Rinisin të shtënat në Lazarat
Kanë rinisur të shtënat në Lazarat mes grupit të amatosur që vrau efektivin e RENEA -s Ibrahim Basha dhe plagosi dy të tjerë. Të shtënat vijnë nga drejtime të ndryshme.
Nisen me helikopter drejt Tiranes dy policet e plagosur
Dy policet te cilet mbeten te plagosur gjate aksionit ne Lazarat jane transportuar nga helikopter nga Spitali i Gjirokastres ne drejtim te Tiranes ku do te marrin mjekim te specializuar ne spitalin e Traumes ne kryeqyet.
Njëri nga efektivët e plagosur është Jetmir Isaj
Sipas informacioneve paraprake, nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe efektivët Jetmir Isaj dhe P.H. Njëri prej efektivëve, pritet të transportohet me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë, për mjekim më të specializuar.
Kryeministri Rama takim urgjent me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri
Kryeministri Rama ka thirrur në një takim urgjent Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pas vrasjes së efektivit të RENEA –s në Lazarat dhe plagosjen e dy të tjerëve. Takimi po zhvillohet në kryeministri. Ndërkohë në terren gjenden forcat të shumta të policisë, të cilat po përgatiten për një tjetër aksion në Lazarat, për kapjen e autorëve të krimit.
Ja si ndodhi ngjarja sipas Policisë
Gjatë natës së kaluar, një grup personash të armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim në fshatin Lazarat, në Gjirokastër. Herët në mëngjes, Policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë. Gjatë operacionit, në momentin që Policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë. Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha. Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, janë plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, me iniciale J.I. dhe P.H., të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
PD: Shqetësim për situatën, Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen
Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në Lazarat, ku raportohet për shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe personave të armatosur, me pasojë humbjen e jetës së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e një efektivi tjetër. Kërkojmë nga Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banorëve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile. Partia Demokratike u bën thirrje banoreve të Lazaratit të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të grupeve kriminale.
Bejko: Në Lazarat s’ka armë
Kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, thotë se banorët e Lazaratit s’kanë armë. Sipas tij, ata janë provokuar nga policia. Ai thotë se ka qëlluar policia dhe jo banorët e Lazaratit. Bejko shprehet se kjo është një hakmarrje pse Lazarati votoi për PD-në.
Inicialet e 2 efektivëve të plagosur
Sipas informacioneve paraprake, nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe dy efektivët me inicialet J.J. dhe P.H. Njëri prej efektivëve, po transportohet me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë për mjekim më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesit e Policisë dhe Prokurorisë drejt Lazaratit
Drejt Gjirokastrës kanë zbarkuar drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, kryeprokurori i Krimeve të Rënda Adnand Xholi së bashku më dy prokurorë të tjerë janë nisur drejt Gjirokastrës për të ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Lazarat.