Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian t’i japë fund sanksioneve ndaj importeve të naftës dhe gazit rus, për të përballuar krizën energjetike që buron nga lufta në Iran. Fico deklaroi, pas një bisede me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, se BE-ja duhet të rifillojë dialogun me Rusinë, në mënyrë që vendet anëtare të sigurojnë furnizimet e munguar të gazit dhe naftës nga të gjitha burimet, përfshirë Rusinë.
Udhëheqësit e Hungarisë dhe Sllovakisë janë të veçantë brenda BE-së për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve me Moskën. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën e tyre ndaj Iranit më 28 shkurt, duke penguar dërgesat nga Gjiri dhe duke krijuar atë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka quajtur ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori.
Volodymyr Zelenskyy njoftoi bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë me Turqinë, pas një takimi me homologun e tij Recep Tayyip Erdoğan në Stamboll të shtunën, ndërsa Kievi kërkon të shfrytëzojë përvojën e tij të luftës në skenën ndërkombëtare. “Kjo vlen mbi të gjitha për fushat ku mund të mbështesim Turqinë: ekspertizë, teknologji dhe përvojë, shkroi presidenti ukrainas në Telegram. Erdoğan i tha Zelenskyyt se Turqia do të vazhdojë të mbështesë negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës, sipas presidencës turke.
Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner mund të udhëtojnë në Kiev në prill, ka thënë ndihmësi kryesor i presidentit ukrainas, Kyrylo Budanov, në kuadër të përpjekjeve për të ringjallur bisedimet e paqes me Rusinë, të cilat u ndalën pas shpërthimit të luftës në Gjirin Persik. “Kushner, Witkoff, Lindsey Graham, këta pritet të vijnë. Kush tjetër do të jetë aty, do ta shohim”, tha Budanov për Bloomberg, duke shtuar se takimi mund të zhvillohet menjëherë pas Pashkëve Ortodokse më 12 prill. Një takim i tillë do të shënonte vizitën e parë zyrtare në Kiev për Witkoff dhe Kushner, të cilët më parë janë takuar me përfaqësues ukrainas në SHBA, por kanë udhëtuar edhe në Moskë për bisedime me Rusinë.
Një dron rus goditi një treg të mbuluar në qytetin lindor ukrainas Nikopol të shtunën, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 25 të tjerë, thanë zyrtarët. Rusia ka kryer sulme ajrore ndaj Ukrainës gjatë gjithë pushtimit të saj që zgjat prej më shumë se katër vitesh, kryesisht gjatë natës, por javët e fundit ka shtuar sulmet gjatë ditës.
Tregu në Nikopol, në rajonin e Dnipropetrovskut, u godit në orën 9:50 të mëngjesit sipas kohës lokale, tha prokuroria vendore. Guvernatori rajonal, Oleksandr Ganja, njoftoi në Telegram se tre gra dhe dy burra u vranë.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 286 dronë gjatë natës, nga të cilët 260 u neutralizuan. Në qytetin Sumy, jo larg kufirit me Rusinë, një sulm plagosi 11 persona, sipas policisë kombëtare. Në kryeqytetin Kiev, një sulm me dron shkaktoi zjarr në katin e parë të një ndërtese trekatëshe me zyra dhe magazina, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës.
Nuk u raportuan viktima. Në rajonin pjesërisht të pushtuar të Donetskut, një sulm me dron rus goditi një makinë civile, duke vrarë një grua dhe plagosur një tjetër, sipas kreut të administratës ushtarake lokale.
Kreu i vendosur nga Rusia në rajonin e pushtuar të Luhanskut, Leonid Pasechnik, tha se forcat ukrainase goditën infrastrukturën hekurudhore në rajon dhe shtëpi private, duke vrarë një familje prej tre personash, një çift dhe fëmijën e tyre 8-vjeçar.











