Fushata e mbikëqyrjes nga ajri për vitin 2025 të identifikimit të zonave ku kultivohet kanabisi ka përfunduar më 31 tetor. Ajo nisi më 1 maj dhe është realizuar sipas marrëveshjes nga Guardia di Finanza.
Për këtë arsye në Tiranë, sot, 11 nëntor, u zhvillua një konferencë për shtyp i Policisë së Shtetit me Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Italisë për luftën kundër kultivimit të kanabisit.
“Siç e dimë shërbimi i mbikëqyrjes nga ajri kryhet në kuadër të një marrëveshje të posaçme të lidhur mes dy vendeve në 2012 dhe i rinovuar në shkurt 2021 për forcimin e bashkëpunimit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe në veçanti në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, tha Loreno Bucossi, drejtor i shërbimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane.
Ai theksoi se është zgjedhur periudha 1 maj – 31 tetor pasi është koha kur edhe bimët narkotike lulëzojnë. Po ashtu, Bucossi bëri me dije se është parë jo vetëm periudha e kultivimit, por edhe momentet kur është rimbjellë bima.
“Historia e bashkëpunimit italo-shqiptar në fushën e sigurisë i ka rrënjët e thella”, theksoi ai.
Ndërsa komandanti i Guardia di Finanza, Luigi Vinciguerra, tha se kjo fushatë është në edicionin e 14 të saj ku në fokus të punës është hartëzimi dhe monitorimi i zonave që janë me risk.
Ai theksoi se gjatë kontrolleve të këtij viti është aplikuar një qasje e re. Falë rezolucionit të lartë fotografik është bërë i mundur leximi i rezultateve brenda 24 orëve.
“Përveç kësaj, në përfundim të eksperiencës disa vjeçare dhe ngritjes së kapaciteteve për kontrolle nga ajri, në veçanti gjatë fushatës së monitorimit 2025, është aplikuar një qasje e re, ndërmjet përpunimit të imazheve të para dhe imazheve retrospektive, të cilat merren. Me anë të kësaj i është lejuar Guardia di Finanza-s përpunimi i të dhënave. Në përfundim të misioneve të sigurimit janë shkarkuar të dhënat introspektive. Falë rezolucionit të lartë fotografik është bërë e mundur realizimi i rezultateve të misionit të mbikëqyrjes brenda 24 orëve. Janë kryer 60 misione mbikëqyrjeje ajrore, nga të cilat 7 misione screening… dhe janë 23 orë fluturimi më shumë se në 2024-ën”, tha ai.
Vinciguerra tha se në vitin 2025, sipërfaqja e monitorimit ishte 61% e territorit shqiptar, duke shkuar në zona të vështira si vijat e ujit, ujërat e brendshme apo territoret malore. Sipas komandantit të Guardia di Finanza, grupet kriminale preferojnë të kultivojnë bimë më të vogla, çka tregon për mjete të përdorura mirë. Po ashtu, ai theksoi se preferohet të kultivohet në zona të vështira, të vendosura kryesisht në veri të Shqipërisë. Vinciguerra theksoi se ka një rënie të bimëve të shkatërruara në krahasim me vitin e kaluar.
“Duke analizuar rezultatet e veprimtarisë gjatë 2025, kanë qenë 107 mijë bimë. Kemi kaluar në 1 mijë e 3 zona; ka një ritëm në rritje sepse janë preferuar bimë më të vogla dhe më të vështira, dhe kjo flet për mjete më të mira të përdorura. Nga analiza e të dhënave mund të themi që edhe këtë vit preferohet të mbillet në zona më të vështira, të vendosura kryesisht në veri të Shqipërisë. Ka një rënie të bimëve të shkatërruara në krahasim me vitin e kaluar. Duhet theksuar se trafikantët shkojnë në zona më të vështira për t’u identifikuar”, tha Vinciguerra.
Ai theksoi se për luftën ndaj kultivimit të kanabisit është thelbësor bashkëpunimi mes autoriteteve të të dyjave vendeve.











