Sasitë e mëdha të drogës të kapura këto ditë në vend kanë bërë që lufta kundër narkotikëve të ketë pasoja edhe për punonjësit e policisë. Pas komisariateve të Përmetit dhe Kurbinit, pre e strategjisë së panjohur mëparë për Policinë e Shtetit ka rënë edhe komisariati i Skraparit.
Pak ditë më parë zbulimi i një magazine droge vuri në pranga dy shtetas ndërsa sot i gjithë komisariati i policisë lokale është shkrirë.
Drejtuesi i lartë i policisë, Altin Qato, bëri të ditur se tre drejtues të lartë me gradën nënkomisar janë shkarkuar nga detyra ndërsa ka nisur procedimi penal për disa të tjerë.
“Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çështje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të Policisë në Komisariatin e Policisë Skrapar. Ka filluar hetimi disipilinor për punonjësit e policisë, Krenar Capollari, Ibrahim Maksuti, Kryekomisar Ferdinand Dusho, Artan Musaj , Enea Kaci, Erdit Hazizaj, Ferdinand Zera si dhe Fatmir Lleshaj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat”, tha Qato.
Qato tha se Policia ofron 300 mijë lekë të reja shpërblim për këdo që jep informacion në lidhje me kultivimin e kanabisit në vend. /b.d