Emmanuel Todd është një antropolog, historian, eseist, futurist, autor i shumë librave të suksesshëm. Disa prej tyre, si “Rënia përfundimtare”, “Iluzioni ekonomik” ose “Pas perandorisë”, janë shndërruar në klasikë të shkencave sociale. Libri i tij i fundit, “Lufta e Tretë Botërore ka filluar”, u botua në vitin 2022 në Japoni dhe është shitur deri tani në mbi 100,000 kopje.
Mendimtar skandaloz për disa, intelektual vizionar për të tjerët, Emmanuel Todd nuk e lë askënd indiferent. Autori i “Rënia Përfundimtare”, i cili parashikoi fundin e Bashkimit Sovjetik që në vitin 1976, nuk ka folur shumë në Evropë për çështjen e luftës në Ukrainë. Ai i ka rezervuar shumicën e ndërhyrjeve të tij mbi këtë temë për publikun japonez, madje duke publikuar në arkipelag një ese me titull provokues: Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar.
Por së fundi ai dha një intervistë për gazetën franceze Le Figaro. Aty ai shpjegon tezën qëndrore të librit të tij të fundit: nëse Ukraina reziston ushtarakisht, ndërsa Rusia nuk shkatërrohet ekonomikisht, atëhere lufta rrezikon të zgjasë…..
Le Figaro: “Lufta e Tretë Botërore ka filluar”. Pse ky titull?
Sepse ky është realiteti, Lufta e Tretë Botërore ka filluar. Është e vërtetë që ajo nisi ngadalë dhe me dy paragjykime. Ne hymë në këtë luftë me idenë se ushtria ruse ishte shumë e fuqishme dhe se ekonomia e saj ishte shumë e dobët. Mendohej se Ukraina do të shtypej ushtarakisht dhe se Rusia do të shkatërrohej ekonomikisht nga perendimi. Por ndodhi e kundërta. Ukraina nuk u shtyp ushtarakisht ndonëse ka humbur 16% të territorit deri në ditën që flasim; Rusia nuk u shtyp ekonomikisht. Ndërsa unë po bisedoj me ju, rubla ka fituar 8% kundrejt dollarit dhe 18% kundrejt euros, që nga koha e fillimit të luftës.
Pra, kishte një lloj keqkuptimi. Por është e qartë se konflikti, duke kaluar nga një luftë territoriale e kufizuar në një konfrontim ekonomik global, midis të gjithë Perëndimit nga njëra anë dhe Rusisë të mbështetur nga Kina nga ana tjetër, është shndërruar një luftë botërore. Kjo është e vërteta, ndonëse dhuna ushtarake është e ulët në krahasim me atë që kemi parë gjatë luftërave të mëparshme botërore.
Mos po e teproni? Perëndimi nuk është i angazhuar drejtpërdrejt ushtarakisht…
Ne vazhdojmë ta furnizojmë Ukrainën me armë. Ne vrasim rusë, ndonëse nuk ekspozohemi. E vërteta është se sidomos ne evropianët jemi mbi të gjitha të prekur ekonomikisht. Ne ndiejmë pjesmarrjen tonë në luftë përmes inflacionit dhe mungesave në treg.
Putin bëri një gabim të madh në fillim, i cili për studiuesit është me interes të jashtëzakonshëm socio-historik. Njerëzit e tij që përpunonin planet për Ukrainën në prag të luftës e konsideronin këtë vend si një shoqëri në dekompozim me një “shtet të dështuar”. Ata ngrinin pyetjen nëse Ukraina kishte humbur 10 milionë apo akoma më tepër, 15 milionë banorë, që nga dita kur shpalli pavarësinë. Askush nuk e di ekzaktësisht, sepse Ukraina nuk ka kryer asnjë regjistrim që nga viti 2001. Kjo është një shenjë klasike e një shoqërie që ka frikë nga realiteti. Unë mendoj se përllogaritja e gabuar e Kremlinit ishte se kjo shoqëri e kalbur do të shkërmoqej që në goditjen e parë, ose madje do të thoshte “mirë se erdhe e shenjta nëna Rusi”.
Por ajo që zbuluam, ishte se edhe një shoqëri në dekompozim, nëse ushqehet nga burime të huaja financiare dhe ushtarake, mund të gjejnë në luftë një ekuilibër të ri, madje edhe një horizont, një shpresë. Rusët nuk mundën ta parashikonin këtë. Në fakt askush nuk mundi.
Por a nuk e kanë nënvlerësuar rusët, pavarësisht gjendjes së dekompozimit real të shoqërisë, forcën e ndjenjës kombëtare dhe proevropiane të ukrainasve? Po ju mos e nënvleftësoni gjithashtu atë?
Nuk e di. Unë jam duke punuar në këtë drejtim, por vetëm me tagrin e studiuesit, çka do të thotë, duke pranuar se ka gjëra që nuk mund ti dimë. Dhe për mua, çuditërisht, një nga fushat për të cilat kam shumë pak informacion, për të mbërritur tek një gjykim i drejtë është Ukraina. Mund t’ju them, bazuar në të dhënat e vjetra, se sistemi social i “Rusisë së Vogël” ishte më familjar, më individualist se sistemi i Rusisë së Madhe, i cili ishte më komunitar, kolektivist. Këtë mund t’jua pohoj, por se çfarë ka ndodhur në Ukrainë, pas lëvizjeve masive të popullsisë, me zgjedhjet që kanë bërë shtresa të caktuara shoqërore duke qëndruar në vend, ose të tjera duke emigruar, si para dhe gjatë luftës, këtë nuk mundem ta them.
Një nga paradokset me të cilat përballem është se për mua Rusia nuk përbën problem për t’u kuptuar. Ky është hendeku që më ndan nga mjedisi perendimor ku jetoj. Nga njëra anë e kuptoj emocionin e të gjithëve, prandaj është e dhimbshme për mua të flas si historian i ftohtë.
Por, kur kujtojmë se Jul Cezari e rrethoi Vercingetorix-in në Alesia, e më pas e çoi në Romë si trofe për të festuar triumfin e tij, ne nuk pyesim veten nëse romakët ishin të këqij apo pa vlera. Sot, i përfshirë nga të njëjtat emocione si bashkëqytetarët e vendit tim, e shoh me keqardhje hyrjen e ushtrisë ruse në territorin ukrainas, bombardimet dhe vdekjet, shkatërrimin e infrastrukturës energjetike, qytetarët që vdesin nga të ftohtit në dimër. Por, pavarësisht këtyre, për mua, sjellja e Putinit dhe e rusëve lexohet në tjetër mënyrë. Do t’ju tregoj se si.
Unë ndaj analizën e gjeopolitikanit “realist” amerikan John Mearsheimer. Ky i fundit bëri vëzhgimin e mëposhtëm: Ai na tregon se Ukraina, ushtrinë e së cilës e kanë marrë nën kontroll ushtarakët e NATO-s (amerikanë, britanikë dhe polakë), së paku që prej vitit 2014, ishte “de facto” një anëtare e NATO-s. Por rusët kishin njoftuar se ata kurrë nuk do të toleronin një Ukrainë anëtare të NATO-s. Kështu rusët pretendojnë se bëjnë, nga këndvështrimi i tyre (siç na tha Putin një ditë para sulmit), një luftë mbrojtëse dhe parandaluese. Madje Mearsheimer shtoi se ne perendimorët nuk duhet të kishim arsye të gëzoheshim për vështirësitë eventuale të rusëve, pasi, duke qenë se kjo është një çështje ekzistenciale për ta, sa më vështirë ta kishin, aq më fort do të përpiqeshin të godisnin. Analiza duket se po vërtetohet. Unë do ti bëja një plotësim dhe një kritikë e analizës së Mearsheimer-it.
Ciliat?
Për plotësimin: kur thotë se Ukraina ishte de facto anëtare e NATO-s, ai nuk shkon aq larg sa duhet. Gjermania dhe Franca me kalimin e kohës u bënë partnerë të parëndësishëm në NATO dhe nuk ishin në dijeni të asaj që po ndodhte ushtarakisht në Ukrainë. Naiviteti francez dhe gjerman u kritikua sepse qeveritë tona nuk besonin në mundësinë e një pushtimi rus. Kjo ndodhte sepse ata nuk e dinin që amerikanët, britanikët dhe polakët i mundësonin Ukrainës të ishte në gjendje të zhvillonte një luftë në plan të gjerë. Boshti themelor i NATO-s tani është Uashington- Londër- Varshavë- Kyiev.
Tani kritika: Mearsheimer, si një amerikan i mirë, e mbivlerëson vendin e tij. Ai konsideron se, nëse për rusët lufta në Ukrainë është ekzistenciale, për amerikanët në thelb është vetëm një “lojë” e pushteti.
Pas Vietnamit, Irakut dhe Afganistanit, asgjë më shumë sesa një disfatë e radhës ….
Pra çfarë rëndësie ka? Aksioma bazë e gjeopolitikës amerikane është: “Ne mund të bëjmë çfarë të duam sepse jemi të mbrojtur mes dy oqeaneve. Asgjë nuk do të na ndodhë”. Asgjë nuk vë në pikpyetje ekzistenciale Amerikën. Kjo analizë e pamjaftueshme, e bën sot Xho Biden të ndjekë politika të pathelluara. Pasi Amerika është e brishtë. Rezistenca e ekonomisë ruse po e shtyn sistemin perandorak amerikan drejt greminës. Askush nuk e kishte pritur që ekonomia ruse do ta përballonte “fuqinë ekonomike” të NATO-s. Besoj se as vetë rusët nuk e kishin parashikuar.
Nëse ekonomia ruse do t’i rezistonte sanksioneve për një kohë të pacaktuar dhe do ti’a dilte ti merrte frymën ekonomisë evropiane, ndërsa ajo vetë do të rezistonte, e mbështetur nga Kina, kontrolli monetar dhe financiar i Amerikës mbi botën do të shembej, dhe bashkë me to edhe mundësia që Shtetet e Bashkuara të financonin deficitin e tyre të madh tregtar. Prandaj, kjo luftë është bërë ekzistenciale për Shtetet e Bashkuara. Po aq sa edhe Rusia, ata nuk mund të zbrapsen nga konflikti, ata nuk mund të heqin dorë prej tij. Kjo është arsyeja pse ne jemi tani në një luftë të pafund, në një konfrontim, rezultati i të cilit duhet të jetë kolapsi i njërit apo tjetrit. Kinezët, indianët dhe sauditët, ndër të tjera, janë të gëzuar.
Por ama ushtria ruse duket ende në një pozitë shumë të keqe. Disa shkojnë aq larg sa parashikojnë rënien e regjimit, nuk e besoni?
Jo, në fillim duket se në Rusi pati një hezitim, një ndjenjë keqpërdorimi prej politikës së faktit të kryer që nisi luftën. Por atje, rusët janë vendosur për të vazhduar betejën. Putini përfiton nga diçka të cilën ne nuk arrijmë ta kuptojmë. Vitet 2000, vitet e Putinit, ishin për rusët ato të kthimit në ekuilibër, të kthimit në një jetë normale. Një shembull për ta kuptuar më mirë. Presidenti Macron përfaqëson për francezët zbulimin e një bote të paparashikueshme dhe të rrezikshme, një ritakim me frikën. Vitet 1990, një periudhë vuajtjesh të paprecedenta, ishin të ngjashme për rusët. Ndërsa vitet 2000 u bënë një rikthim në normalitet, dhe jo vetëm për sa i përket standardeve të jetesës: ne pamë rënie të shkallës së vetëvrasjeve dhe vrasjeve, dhe mbi të gjitha, treguesi im i preferuar, shkalla e vdekshmërisë foshnjore ra, madje edhe nën normën amerikane. Në mendjet e rusëve, Putini mishëron këtë stabilitet. Dhe, në thelb, rusët e zakonshëm besojnë, njësoj si presidenti i tyre, se ata po bëjnë një luftë mbrojtëse. Ata janë të vetëdijshëm se kanë bërë gabime në fillim të viteve ’90, por ngritja e nivelit ekonomik e rriti besimin e tyre, jo përballë Ukrainës (rezistenca e ukrainasve është për ta e interpretueshme, ata janë të ngjashmën në guxim, jo si perëndimorët që nuk do të luftonin kurrë kaq mirë!), por kundër atij që ata e quajnë “Perëndimi kolektiv”, ose ndryshe “Shtetet e Bashkuara dhe vasalët e tyre”. Prioriteti i vërtetë i regjimit rus nuk është një fitore ushtarake në terren, por mos humbja e stabilitetit social të fituar në 20 vitet e fundit.
Pra, ata po bëjnë një “luftë ekonomike”, duke pasur kujdes që të ekonomizojnë burrat.
Pasi Rusia ka një problemin të madh demografik, me një normë lindshmërie prej 1.5, fëmijë për grua. Në pesë vjet ata do të kenë grupmosha dhe breza të zbrazët. Prandaj ata po zhvillojnë një luftë ekonomike, duke rindërtuar një ekonomi të pjesshme të luftës, por duke dashur të ruajnë njerëzit. Ky është kuptimi i tërheqjes nga Khersonit, pas atyre nga rajonet e Kharkiv dhe Kyievit. Ne numërojmë kilometrat katrorë të marrë nga ukrainasit, por rusët presin rënien e ekonomive evropiane. Ne jemi fronti kryesor i tyre. Sigurisht, mund të gaboj, por jetoj me idenë se sjellja ruse është e lexueshme, pasi është racionale dhe e ashpër. Të panjohurat janë diku tjetër.
Ju shpjegoni se rusët e perceptojnë këtë konflikt si “një luftë mbrojtëse”, por askush nuk u përpoq të pushtonte Rusinë dhe sot, për shkak të luftës, NATO nuk ka pasur kurrë kaq shumë ndikim në Lindje me vendet baltike që duan të integrohen.
Për t’ju përgjigjur ju sugjeroj një ushtrim psiko-gjeografik, i cili mund realizohet duke bërë një zumim mbrapsht, pra duke e përdorur lenten për të zmadhuar. Nëse shikojmë hartën e Ukrainës dhe hyrjen e trupave ruse nga veriu, lindja, jugu… aty, vërtet, na krijohet iluzioni i një pushtimi rus. Për këtë nuk mund të gjendet fjalë tjetër. Por nëse lupën e zmadhojmë jashtëzakonisht shumë, në gjerësinë e mbarë globit, le të themi deri në Uashington, shohim se armët dhe raketat e NATO-s vërshojnë nga shumë larg drejt fushës së betejës. Kjo lëvizje armësh kishte filluar që para luftës. Bakhmouti është 8400 kilometra nga Uashingtoni, por 130 kilometra nga kufiri rus. Një lexim i thjeshtë i hartës së botës të lejon, mendoj, ta marrësh në konsideratë hipotezën se “Po, nga pikëpamja ruse, mund të jetë një luftë mbrojtëse”.
Sipas jush, hyrja në luftë e rusëve shpjegohet edhe me rënien relative të Shteteve të Bashkuara…
Në librin tim “Pas perandorisë”, botuar në 2002, kam përshkruar rënien afatgjatë të Shteteve të Bashkuara dhe rikthimin e fuqisë ruse. Që nga viti 2002, Amerika ka pasur një varg dështimesh dhe tërheqjesh. Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun, por u larguan, duke e lënë Iranin si lojtarin kryesor në Lindjen e Mesme. Ata ikën nga Afganistani.
Satelizimi i Ukrainës nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk përfaqësonte një rritje të dinamizmit perëndimor, por frymën e fundit të një vale të nisur në vitet 1990, e cila po mbahet gjallë me mundim nga ndjenja anti-ruse e polakëve dhe vendeve baltike. Pikërisht në këtë kontekst të tërheqjes amerikane rusët morën vendimin ti sulen Ukrainës, sepse ata patën ndjesinë që disponin mjetet teknike për ta bërë këtë.
Sapo kam mbaruar së lexuari një libër të S. Jaishankar, Ministër i Punëve të Jashtme të Indisë (Rruga e Indisë), botuar pak para luftës. Teza e tij është se ‘dobësia amerikane” do të nisë nga përballja mes Kinës dhe SHBA-së, nga e cila nuk nuk do të dalë fitues. Por kjo përplasje do t’i japë hapësirë një vendi si India, apo shumë të tjerëve. Unë shtoj: por midis këtyre të tjerëve nuk do të jenë evropianët. Kudo arrijnë ta shohin dobësimin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa në Evropë dhe Japoni jo, pasi një nga efektet e tërheqjes së sistemit perandorak është se Shtetet e Bashkuara po e forcojnë kontrollin e tyre në protektoratet e veta fillestare.
Nëse lexojmë Brzezińskin (“Fusha e madhe e shahut”), shohim se perandoria amerikane u konstitua në fund të Luftës së Dytë Botërore nga pushtimi i Gjermanisë dhe Japonisë, të cilat janë edhe sot protektorat. Kjo nënkupton se ndërsa sistemi amerikan zvogëlohet, ai peshon gjithnjë e më shumë shumë mbi elitat lokale të protektorateve (dhe këtu po përfshij të gjithë Evropën). Të parët që do të humbasin tërë autonominë kombëtare do të jenë (ose janë tashmë) anglezët dhe australianët. Interneti ka prodhuar një Anglosferë ku ndërveprimi njerëzor me Shtetet e Bashkuara është i një intensiteti të atillë sa elitat akademike, mediatike dhe artistike janë, si të thuash, të aneksuara. Në kontinentin evropian ne jemi disi më të mbrojtur nga gjuhët tona kombëtare, por rënia e autonomisë sonë është e konsiderueshme dhe e shpejtë.
Le të kujtojmë luftën në Irak, kur Shiraku, Shroderi dhe Putini mbajtën konferenca të përbashkëta për shtyp kundër luftës.
Shumë vëzhgues theksojnë se Rusia ka një GDP jo më të madhe se të Spanjës, a nuk e mbivlerësoni fuqinë e saj ekonomike dhe kapacitetin e saj të rezistencës?
Lufta është një provë për ekonominë politike, ajo është testi i madh për të. GDP e Rusisë dhe Bjellorusisë është sa 3.3% e asaj perëndimore (SHBA, Anglosfera, Evropa, Japonia, Koreja e Jugut). Pra ajo është pothuajse asgjë.
Dikush pyet veten se si mund të përballet dhe të vazhdojë ky vend me GDP të parëndësishme të prodhojë raketa. Arsyeja është se GDP-ja është një masë imagjinare për prodhimin. Nëse i heqim GDP-së amerikane gjysmën e shpenzimeve të mbifaturuara të saj shëndetësore, pastaj “pasurinë e prodhuar” nga veprimtaria e avokatëve, pastaj atë nga burgjet më të tejmbushura në botë, pastaj një ekonomi e tërë shërbimesh të keqpërcaktuara duke përfshirë “prodhimin” e 15 deri në 20,000 ekonomistëve të saj me pagë mesatare prej 120,000 dollarësh, kuptojmë se një pjesë e konsiderueshme e kësaj GDP-je është si avujt e ujit. Lufta na kthen tek ekonomia reale, ajo na ndihmon për të kuptuar se çfarë është pasuria reale e kombeve, kapaciteti i prodhimit dhe rrjedhimisht kapaciteti për luftë.
Nëse mbështetemi vetëm në variablat materiale, ne shohim realitetin e ekonomisë ruse. Në vitin 2014, ne vendosëm sanksionet e para të rëndësishme kundër Rusisë, por më pas u rrit prodhimi i grurit nga 40 në 90 milionë tonë në vitin 2020. Ndërsa, falë neo-liberalizmit, prodhimi amerikan i grurit, ndërmjet viteve 1980 dhe 2020, ra nga 80 në 40 milionë ton. Rusia është bërë gjithashtu eksportuesi kryesor i termocentraleve bërthamore. Në vitin 2007, amerikanët shpjeguan se kundërshtari i tyre strategjik ishte në një gjendje të tillë të kalbjes bërthamore sa që së shpejti Shtetet e Bashkuara do të kishin një aftësi të goditjes së parë ndaj një Rusie që nuk e kishte mundësi të përgjigjej. Sot, rusët janë në epërsi bërthamore me raketat e tyre hipersonike. Prandaj, Rusia ka një kapacitet real për t’u përshtatur.
Kur ne duam të tallemi me ekonomitë e centralizuara, menjëherë theksojmë ngurtësinë e tyre dhe kur duam të ngrejmë në qiell kapitalizmin, ne lavdërojmë fleksibilitetin e tij. Po, kemi të drejtë. Që një ekonomi të arrijë të jetë fleksibël, sigurisht duhet të ketë treg, mekanizma financiare dhe monetare. Por së pari, mbi të gjitha, që ajo të funksionojë ju duhet një popullsi aktive që di t’i bëjë gjërat. Shtetet e Bashkuara sot kanë një popullsi dyfish më të madhe se Rusia (ajo shkon 2.2 herë në grupmoshat studentore). Vetëm midis grupeve të krahasueshme të të rinjve që ndjekin arsimin e lartë, në Shtetet e Bashkuara, 7% studiojnë inxhinieri, ndërsa në Rusi ata përbëjnë 25%. Kjo do të thotë se me 2.2 herë më pak njerëz që ndjekin arsimin e lartë, rusët trajnojnë 30% më shumë inxhinierë.
Shtetet e Bashkuara përpiqen ta mbyllin këtë gropë me studentë të huaj, kryesisht Indianë dhe akoma më shumë kinezët. Por ky burim zëvendësues nuk është i sigurt dhe tashmë është në rënie. Kjo është dilema themelore e ekonomisë amerikane: ajo mund të përballet vetëm me konkurrencën kineze duke importuar fuqi punëtore të kualifikuar kineze.
Mendimi im është se ekuilibri mund të arrihet me konceptin e “balancimit ekonomik”. Ekonomia ruse, nga ana e saj, ka pranuar regullat e funksionimit të tregut (madje është një obsesion i Putinit për ti ruajtur ato), por ama duke i dhënë një rol shumë të madh shtetit, që krijon dhe ruan fleksibilitetin e krijimit të inxhinierëve që lejojnë përshtatjet dhe përparimet në industri dhe armatimin ushtarak.
Shumë vëzhgues besojnë, përkundrazi, se Vladimir Putin ka përfituar të ardhurat nga shfrytëzimi i lëndëve të para pa qenë në gjendje të zhvillojë ekonomi të suksesshme…
Po të ishte kështu, kjo luftë nuk do të kishte vazhduar. Një nga gjërat e habitshme në lidhje me këtë konflikt, dhe që e bën atë kaq të pasigurt, është se ai shtron (si çdo luftë moderne), çështjen e ekuilibrit midis teknologjive të avancuara dhe prodhimit masiv. Nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara kanë disa prej teknologjive më të avancuara ushtarake, dhe që ndonjëherë kanë qenë vendimtare për sukseset ushtarake të Ukrainës. Por kur i futeni një lufte afatgjatë, aftësia për të vazhduar varet nga kapaciteti që ka industria, jo për të krijuar armë të nivelit të lartë, por për të përballuar prodhimin masiv. Dhe këtu çështja e globalizimit përbën problemin themelor të Perëndimit: ne kemi delokalizuar në vende me krah pune më të lirë, një pjesë të tillë të aktiviteteve tona industriale, saqë nuk jemi të sigurtë nëse mund ta kontrollojmë prodhimin tonë të luftës. Problemi pranohet nga CNN, Nev York Times dhe Pentagoni të cilët pyesin nëse Amerika do të jetë në gjendje të rifillojë linjat e prodhimit për këtë apo atë lloj rakete. Por është gjithashtu e paqartë nëse rusët janë në gjendje të vazhdojnë me ritmin e një konflikti të tillë. Rezultati dhe zgjidhja e luftës do të varet nga aftësia e të dy sistemeve për të prodhuar armatim.
Sipas jush, kjo luftë nuk është vetëm ushtarake dhe ekonomike, por edhe ideologjike dhe kulturore…
Unë flas këtu kryesisht si antropolog. Kanë ekzistuar në Rusi struktura familjare më të forta, një komunitet me vlera të caktuara, të cilat kanë arritur të mbijetojnë. Ekziston një ndjenjë patriotike ruse që është diçka e panjohur për ne perendimorët. Ajo është ndërtuar nga nënvetëdija e një familjeje komb. Rusia ka pasur një organizim familjar patrilinear, që do të thotë se burri është në qendër dhe ajo nuk mund ti bashkohet të gjitha risive perendimore si neofeminizmi, LGBT, transgjinorë… Kur ne perendimorët shohim se Duma ruse (parlamenti) miraton një legjislacion edhe më represiv kundër “propagandës LGBT”, ne ndihemi superiorë. Këtë ndjej edhe unë kur mendoj si një qytetar i zakonshëm. Por nga pikëpamja gjeopolitike, nëse mendojmë për sa i përket “fuqisë së butë”, ky është një gabim. Në 75% të planetit, organizimi social është patrilinear dhe ata e kanë më të kollajshme të ndihen më pranë qëndrimeve ruse. Për kolektivin jo-perëndimor, Rusia mbron një konservatorizëm moral qetësues.
Kur bëjmë gjeopolitikë, ne jemi të interesuar në shumë fusha: raportet e forcave për energjinë, fuqinë ushtarake, prodhimin e armëve. Por ka edhe një ekuilibër të fuqive ideologjike dhe kulturore, ajo që amerikanët e quajnë “soft power”. Bashkimi Sovjetik kishte një formë të caktuar të fuqisë së butë, komunizmin, i cili ndikoi një pjesë të Italisë, kinezët, vietnamezët, serbët, punëtorët francezë… Por komunizmi në thelb e tmerroi të gjithë botën muslimane për shkak të ateizmit. Por sot Rusia e ka ripozicionuar veten si arketip i fuqisë së madhe, jo vetëm antikolonialiste, por edhe patrilineale dhe konservatore, pasi sjelljet e saj tradicionale, mund të joshin shumë më tej. Amerikanët sot ndjehen të tradhëtuar nga Arabia Saudite, e cila refuzon të rrisë prodhimin e naftës, pavarësisht krizës energjetike të shkaktuar nga lufta, dhe merr de facto anën e rusëve: pjesërisht, natyrisht, për interesat ekonomike të naftës. Por, nga ana tjetër është e qartë se, Rusia e Putinit, e cila është bërë moralisht konservatore, ka fituar simpatinë e sauditëve të cilët, jam i sigurtë se nuk i kanë përzemër, debatet amerikane mbi aksesin e grave transgjinore (të përcaktuara si meshkuj në ngjizje) në banjon e zonjave.
Gazetat perëndimore janë tragjikisht qesharake, kur vazhdojnë të thonë: “Rusia është e izoluar, Rusia është e izoluar”. Por kur shikojmë votat në Kombet e Bashkuara, shohim se 75% e botës nuk ndjek Perëndimin, që në këtë rast duket shumë i vogël.
Nëse jeni antropolog, mund ta shpjegoni hartën, duke vendosur në njërën anë, vendet e klasifikuara nga The Economist si me një nivel të mirë demokracie (d.m.th. Anglosfera, Evropa…), ndërsa nga ana tjetër vendet autoritare, që shtrihen nga Afrika në Kinë në të gjithë botën arabe dhe Rusi. Për një antropolog është një hartë banale. Në periferinë “perëndimore” përfshihen vendet me një strukturë sociale dypalëshe, pra ku mashkulli dhe femra në një familje janë ekuivalentë në përkufizimin e statusit social të fëmijës. Në qendër të hartës, me pjesën më të madhe afro-euro-aziatike, shikon organizime familjare komunitare dhe patrilineare. Vetën po të bëjmë këtë eksperiment dallojmë se ky konflikt, i cilësuar nga mediat tona si konflikt vlerash politike, është në një nivel më të thellë një konflikt vlerash antropologjike. Është kjo pavetëdije dhe kjo thellësi që e bëjnë përballjen të rrezikshme.