Nga Fatos Tarifa
Të lindur pak a shumë një dekadë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ne, shqiptarët e brezit tim, nuk kemi përjetuar asnjë luftë në vendin tonë. Edhe pse u lindëm dhe erdhëm në moshë në rrethanat e Luftës së Ftohtë, duke përjetuar të gjitha privacionet dhe pasojat e saj, një luftë e nxehtë nuk ka qenë kurrë një eksperiencë jetësore për asnjërin nga ne.
Ndryshe nga moshatarët tanë bashkëkombas në Kosovë, ne u lindëm, u rritëm dhe kemi jetuar vetëm në paqe. Për pjesën më të madhe të kohës në varfëri e të sunduar nga një shtet i diktaturës së proletariatit por, sidoqoftë, në paqe. Pa luftë në territorin e vendit tonë. Njëlloj si të gjitha vendet perëndimore të kontinentit tonë. Madje, ndryshe edhe nga Hungaria e Çekosllovakia, ne nuk pamë as edhe një tank sovjetik apo një çizme ruse të shkelte në territorin e vendit tonë, edhe kur ata që e drejtonin këtë vend me dorë të hekurt besonin, sidomos pas pushtimit rus të Pragës në gushtin e vitit 1968, se radhën e kishte Shqipëria “rebele”.
Edhe pse drejtuesit komunistë të vendit u përpoqën të rrënjosnin e të mbanin vazhdimisht gjallë psikozën e një gjendjeje të vazhdueshme lufte në kushtet e një “rrethimi të egër imperialisto-revizionist”, unë refuzoj të pranoj se kjo psikozë zuri ndonjëherë rrënjë në masēn dërrmuese të popullsisë. Ajo asnjëherë nuk u bë shqetësim për brezin tim sa ishim të rinj e deri në dështimin e atij sistemi, të cilin nuk mund të them se e përmbysi kush. Ai sistem thjesht u shemb nga brenda, edhe pse shembja e tij u ndihmua e u përshpejtua nga jashtë, nga rrethana, të cilat, në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990 shënuan një shpërbërje thuajse të plotë të rendit botëror ekzistues.
Çuditërisht, edhe shpërbërja e kampit socialist dhe e vetë perandorisë sovjetike ishin procese paqësore, ndodhën pa luftë. Lufta erdhi më vonë dhe ishte e përgjakshme e brutale në Bosnje e në Kosovë kur këta dy vende u ndanë nga federata jugosllave dhe u krijuan si shtete më vete.
Lufta në këta dy vende, sidoqoftë, edhe pse jashtë kufijve të republikës sonë, ishte shumë pranë nesh. Lufta për lirinë e Kosovës madje, në një mënyrë a në një tjetër, por gjithsesi në një kuptim real të fjalës, na bëri edhe ne pjesëmarrës në të. Sidoqofte, me pak përjashtime, ajo luftë nuk u bë një eksperiencë jetësore personale për ne shqiptarët në këtë anë të kufirit.
Të rritesh e të jetosh në kushtet e mungesës së një agresioni dhe pa e njohur luftën, normalisht do të nënkuptonte të rritesh e të jetosh pa armiq të jashtëm që do të kërcënonin lirinë e vendit. Në fakt, nuk e di nëse ka ndodhur pikërisht kështu. Edhe pse, kur unë dhe brezi im ende nuk kishim ardhur në jetë ka pasur provokacione e përplasje të armatosura në zona të veçanta kufitare të vendit, si ato të gushtit 1949 në Vidohovë të Korçës, Shqipëria nuk njohu një luftë me asnjë orej shteteve fqinjë dhe me asnjë fuqi të madhe, brenda ose jashtë NATO-s deri në shpërbërjen e sistemit të diktaturës së proletariatit.
Për më tepër, brezi të cilit unë i përkas u lind pas përfundimit të luftës së parë të nxehtë me të cilën nisi Lufta e Ftohtë, luftës së Koresë. Ajo luftë nisi në qershor të vitit 1950 dhe përfundoi në korrik të vitit 1953. Unë jam lindur një vit pas përfundimit të saj. Ndërkohë, një tjetër luftë, edhe kjo në Azi, Lufta në Vietnam, u bë lufta më e nxehtë në kuadër të Luftës së Ftohtë dhe si pjesë e saj. Ajo nisi në nëntor të vitit 1955, kur unë, si fëmijë, sapo isha ngritur në këmbë, dhe përfundoi me disfatën e rëndë të Amerikës 35 vite më vonë, në prill të vitit 1975.
Kjo luftë ka qenë për mua dhe për bashkëmoshatarët e mi bashkëshoqëruese përgjate dy dekadave të para të jetës sonë. Ne u rritëm në Shqipëri në kushtet e një paqeje komuniste, në një kohë kur një ushtri e madhe fshatarësh vietnamezë, të drejtuar nga komunistët e vendit të tyre, luftonin për jetë a vdekje me fuqinë më të madhe ushtarake të globit.
Për një kohë të gjatë sytë e të gjithë botës ishin të drejtuar nga Vietnami dhe ajo luftë e gjatë dhe mjaft e egër kundërshtohej me të drejtë nga çdo anë. Kundërshtohej edhe nga shumica e amerikanëve, kundërshtohej edhe nga qeveria shqiptare e asaj kohe.
Për brezin tim, Lufta e Vietnamit, e cila nisi kur ne sapo kishim ardhur në jetë dhe përfundoi kur ishim studentë në universitet, sot thuajse është harruar. Për të gati nuk flitet më, edhe pse pasojat e saj vazhdojnë të ndihen shumë në jetën e vietnamezëve e të amerikanëve. Afro gjysmë shekulli që ka kaluar nga përfundimi i saj e kanë bërë atë luftë një ngjarje të largët të së shkuarës.
Ndërkohë, luftra të tjera, shumë prej tyre mjaft të përgjakshme, i kanë nxehur rajone të tjera të globit nga koha në kohë.
Janë shumë. Ndër to mund të përmend konfliktet e vazhdueshme arabo-izraelite (në vitet 1956, 1967-70, 1982-85, 1987-93 dhe ky i ditëve të fundit), lufta e Algjerisë (1961-62), luftrat mes Irakut dhe kurdëve (1961-70 dhe 1974-79), lufta civile në Jemenin e Veriut (1962-70), lufta civile në Çad (1965-79), lufta civile në Kamboxhia (1967-75), disa luftra ndërshtetërore në gadishullin e Indokinës, lufta civile në Etiopi (1974-91), lufta sovjeto-afgane (1979-89), lufta e parë (1960-65) dhe e dytë (1998-2003) në Kongo, lufta mes Iranit dhe Irakut (1980-88), lufta në Afganistan (2001-21) dhe ajo në Irak (2003-11), lufta civile në Siri dhe sot lufta në Ukrainë.
Janë shumë. Janë miliona jetë njerëzore të humbura. Miliona njerëz të gjymtuar e të shpërngulur nga shtëpitë dhe vendet e tyre. Triliarda dollarë dëme materiale. Dhe, mbi të gjitha, një psikozë pasigurie e frike që si fantazmë i rri botës mbi kokë.
Do të ketë përsëri luftë. Lufta ka qenë dhe është bashkëshoqëruese e njeriut. Jo sepse ajo është pjesë e natyrës njerëzore, por sepse organizimi politik i shoqërisë dhe marrëdhëniet johumane që ky organizim krijon e ruan në shoqëri dhe klasat që kanë sunduar e sundojnë mbi të e bëjnë luftën jo vetëm një mjet sundimi ekonomik e politik mbi shoqërinë, por edhe një strategji të dëshiruar për to.
Në një botë kaq të trazuar e vazhdimisht në luftë, brezi im ka qenë fatlum që jetoi një jetë pa luftë. Unë nuk shoh gjasa që ky brez ta përjetojë luftën si një eksperiencë jetësore edhe më tej. Ajo që uroj është që edhe brezi i sotëm i ri i shqiptarëve dhe brezat e shqiptarëve që do të vijne, kudo në rajonin tonë, të mos ndeshen kurrë me luftën dhe të mos i provojnë kurrë tmerret e saj dhe tragjeditë njerëzore që lufta shkakton./Dita
Bukur Fatos!