Protesta e Partisë Demokratike ka provokuar një sërë reagimesh nga aktorë të ndryshëm të skenës së interpretimit politik në vend, midis të cilëve dalloj qëndrimin e Fatos Lubonjës ndaj saj dhe apelin e kryeredaktorit të portalit Exit.al, Carloalberto Rossi-t.
Lubonja shprehet se njerëzit që i janë bashkangjitur PD-së duhen përkrahur, se fundja, kërkesat që kjo parti parashtron janë të drejta dhe se në zgjedhje nuk mund të hyhet në këtë gjendje pasi kjo do të ishte të legjitimoje të keqen me duart e tua. Ai tërheq këtu një paralele midis grumbullimit tek ҫadra e PD-së dhe lëvizjes “Cinque Stelle” në Itali më 2009. Si një ndjekës entuziast i lëvizjes “Cinque Stelle” në fillimet e veta në Itali, një nga pikat kryesore të forcës së saj mobilizuese kam konsideruar pikërisht thirrjen “Uno vale uno”, që nënkuptonte se kjo ishte një lëvizje e të gjithë qytetarëve të zhgënjyer, zëri i të cilëve vlente sa zëri i çdonjërit prej liderëve të tyre. Çdokujt që (me të drejtë) tregohet dyshues ndaj liderit të Partisë Demokratike, Lubonja i shpjegon se është maxhoranca, me Edi Ramën në krye, ajo që ka luajtur kartën e zhvleftësimit të Lulzim Bashës, duke i mëshuar tezës se lideri i vërtetë i PD-së është Berisha. Ai vijon më tutje të arsyetojë se si kjo protestë e ka ngritur profilin e Bashës në PD dhe suksesi ose jo i saj do të përcaktojë fatin e ardhshëm të kësaj partie. Megjithatë përpos përkrahjes që Lubonja i bën protestës, ai nuk kursehet në kritikat ndaj udhëheqësve të saj.
Nga ana tjetër, kryeredaktori i Exit.al në një letër të hapur drejtuar Lubonjës, jo vetëm që e mbështet qëndrimin e këtij të fundit por shton se Partia Demokratike ka reflektuar dhe ajo i njeh gabimet e së shkuarës dhe kjo dëshmohet, nëpërmjet atyre që Rossi i konsideron parametra të Perëndimit të krishterë si pendimi dhe rrëfimi.
Kujt i duhet ‘Pesë Yje’?
Është e vërtetë që shumë njerëz të zhgënjyer dhe që nuk bien dakord me një sërë vendimesh dhe sjelljesh të qeverisë aktuale, duke mos ditur si dhe ku ta kanalizojnë zhgënjimin e tyre, i janë bashkangjitur PD-së. Megjithatë kjo nuk e bën këtë protestë një lëvizje mirëfilli qytetare (aq më tepër të pavarur siҫ ishte “Cinque Stelle” në Itali), për aq kohë sa protesta më së shumti ka mbledhur militantë dhe udhëhiqet e mbikëqyret nga Partia Demokratike e cila është mjaft vigjilente për ta drejtuar atë kah e sheh ajo më të dobishme. “Cinque Stelle” lindi nga bashkimi i njerëzve të thjeshtë, pa kurrfarë mbështetje partiake, të cilët nuk ndiheshin më të përfaqësuar nga partitë në pushtet. Beppe Grillo ishte komedian dhe blogger ndërsa Gianroberto Casaleggio merrej me informatikë (IT) përpara se të çonin lëvizjen e tyre parlament. Ҫadra e protestës në bulevardin e Tiranës udhëhiqet nga Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, aktorët më të vjetër në skenën politike të Shqipërisë pas ’90.
Mbi të gjitha, a është “Cinque Stelle” një shembull i përshtatshëm për kontekstin politik shqiptar nëse fokusohemi edhe tek ideologjia dhe politikat e saj, jo vetëm tek fakti që ajo lindi si protestë? A kemi nevojë në Shqipëri për një parti populiste, me një program jo fort të qartë, dhe që shpeshherë përҫon mesazhe kontradiktore; për një parti të pa konsoliduar ideologjikisht, gjë që i bën të diskutueshme shumë nga vendimet e saj? Si për shembull, aleanca në Parlamentin Europian me Nigel Farage në 2014, vendimi për ta ndërprerë bashkëpunimin me grupin e tij parlamentar në janar të 2017 për t’iu bashkuar Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Europës (Alde). Në fund, vetëm pak ditë më pas, rikthimi te Farage pas refuzimit të bashkëpunimit nga grupi parlamentar Alde.
A kemi nevojë, ndër të tjera, për krijimin e një frymë anti-BE si ajo e “Cinque Stelle” (po të sjellim në vëmendje edhe krizën politike në të cilën gjendet sot Perëndimi, sikurse pafuqinë dhe varësinë që ka një shtet i vogël si Shqipëria tek fuqitë e mëdha)? Shqipëria është më e mbrojtur dhe premton një të ardhme më të frytshme nëse vijon përpjekjen për t’u bërë pjesë e BE-së, jo duke u shkëputur prej saj. Po ashtu, një parti e re e pavarur por me ngjyresa nacionaliste siҫ shfaqet shpeshherë “Cinque Stelle”, nuk do të ofronte zgjidhje për problemet që Shqipëria ka (marrë parasysh nivelin shqetësues të nacionalizmit që e karakterizon tashmë vendin tonë) – ajo vetëm sa do t’i thellonte këto probleme.
Mungesa e alternativës dhe kushtet politike në të cilat ndodhemi, na rikthejnë edhe kësaj here në situatën e pafavorshme e të zgjedhurit të së keqes më të vogël, e cila padyshim nuk është Partia Demokratike. Marrëdhënia midis PS-së dhe LSI-së në këtë 4-vjeҫar ka qenë e tensionuar. Gjithashtu qeveria e zgjedhur jo vetëm që nuk ka mbajtur shumë nga premtimet elektorale por ka rezultuar të jetë e paaftë për t’u shkëputur nga figurat e lidhura me krimin dhe veprimet e jashtëligjshme. Me një sërë akuzash mbi supe dhe një zhgënjim të thellë në rradhët e popullit, kjo qeveri hyn në këto zgjedhje e fraksionuar, me humbje të një pjese të konsiderueshme të elektoratit por akoma në gjendje për të rifituar.
Ҫfarë ngjall kureshtje dhe kërkon vëmendje e po ashtu përkrahje, është fakti që për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë vërehet një masë premtuese e individëve që kanë filluar të bashkohen për të protestuar për të drejtat e cenuara apo për pakënaqësitë karshi pushtetit, pa rëndesën e asnjërës prej partive të vendit mbi supe. Rasti më i fundit ishte protesta e banorëve të Zharrëzës dhe më herët protestat e studentëve kundër ligjit për reformën në arsimin e lartë (reforma neoliberale e një qeverie të majtë që solli domosdoshmërinë e forcimit të Lëvizjes Për Universitetin). Është vënë re që studentët, punëtorët e fabrikave dhe fasonerive, të pamundurit, romët (në disa raste) dhe komuniteti LGBT janë bashkuar në kauzat e njëri-tjetrit dhe kanë refuzuar partitë në mesin e tyre. Nëse ka një grumbull qytetar me potencial të cilit i duhet kushtuar vëmendje, ky është pikërisht ai grup.
Kauza partiake, jo kombëtare
Për të rifituar besueshmërinë e popullit dhe për pasojë për të garantuar njëfarë ndryshimi (nëse!) e ndoshta edhe një proces zgjedhor pak më normal nga këto që kemi parë derimë tani, Partia Demokratike do duhej urgjentisht të ishte reformuar duke zëvendësuar figurat e vjetra dhe duke ndjekur një ligjërim politik dhe politikbërje rreptësisht të ndryshme nga ajo më herët. Pas këtij hapi kaq të rëndësishëm, PD-ja do duhej ta kishte përqafuar me rigorozitet rolin si opozitë dhe kundërshtimin e shumë vendimeve qeveritare, kritikën sikurse edhe pakënaqësitë e shoqërisë me qeverinë Rama-Meta, do duhej t’i kishte artikuluar dhe zgjidhur në rrugë institucionale. Vetëm paskëtaj do t’i kishte bërë ajo vend vetes në popull dhe do të ishte garantuar për një proces zgjedhor më dinjitoz.
Por PD-ja nuk ndoqi asnjë prej këtyre hapave. Mbi të gjitha, roli i saj si opozitë në këtë 4-vjeҫar ka qenë thuajse inekzistent. Partinë Demokratike nuk e ka zhvleftësuar Edi Rama apo në tërësi Partia Socialiste dhe aleatja e saj. Partia Demokratike ka zhvleftësuar veten duke mos shfaqur asnjë përpjekje për ndryshim. Është pikërisht kjo aryeja që e bën të hipurit në anijen e PD-së sot të rrezikshme. Në politikë (dhe jo vetëm në politikën shqiptare) garancia na vjen nga reflektimet nëpërmjet veprimeve konkrete jo nga metodat turbulluese kishtare (siҫ propozon Rossi). Një pjesë e konsiderueshme e kritikave të PD-së ndaj qeverisjes PS-LSI bëjnë sens por pikërisht pse ato artikulohen nga PD-ja kështu si kjo e fundit zgjodhi të mbesë, bien dhe fatkeqësisht nuk mbartin më kurrfarë rëndësie.
PD-ja nuk ka asnjë plan konkret. Protesta e PD-së i përngjan më tepër një tentative dëshpërake për t’i treguar gjindjes forcën partiake që kinse zotëron (forcë që mungon). Pse nuk e pret procesin zgjedhor për ndërrimin e butë dhe demokratik të pushtetit Partia Demokratike? Sepse në zgjedhje nuk po hyhet pastër, do të më përgjigjej ndoshta Lubonja dhe bashkë me të shumëkush tjetër. Por kur ka qenë realisht e pastër pjesëmarrja në zgjedhjet e dy dekadave të fundit në Shqipëri? Ky nuk është justifikim ndaj procesit zgjedhor të qershorit që mund ta parashikojmë të turbullt (si zakonisht) por kundërargument ndaj idesë së dobët dhe romantike se me mbështetjen e protestës së PD-së do të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbi të gjitha, si mund të hyhet pastër në zgjedhje me PD-në kësisoj?
Nga ana tjetër, nëse sjellim në vëmendje reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut, Partia Demokratike nuk ka dëshmuar mjaftueshëm vullnet mbi këtë hap absolutisht të rëndësishëm të vendit. Të shkaktuarit e përplasjeve të vazhdueshme në parlament mbi këtë çështje, ka prodhuar ngadalësi të procesit për integrimin e reformës për të mos thënë ngrirje të saj. Megjithatë ndërsa jemi tek reforma, e konsideroj këtë të fundit një pikë të hapur për debat të mëtejshëm, duke qenë se po e përfshij atë në arsyetim si një çështje me të cilin bie parimisht dakord (për aq kohë sa më mungon një informim i detajuar dhe i saktë mbi atë në ҫfarë reforma konsiston).
Së fundmi, nuk mund të përjashtohet mënyra shqetësuese se si lideri i opozitës ka vendosur t’i japë formë protestës: nëpërmjet retorikave nacionaliste, fakteve të gënjeshtërta dhe nxitjes së dhunës. Jo më larg se një javë më parë, Lulzim Basha i bënte thirrje popullit të ushtronte dhunë, duke qëlluar dhe kryer atentate ndaj figurave të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. Gjithashtu, në këto thirrje të bujshme ai foli disa herë për luftë, ҫfarë mendoj se është gjëja e fundit që i nevojitet Shqipërisë dhe shqiptarëve, qoftë edhe figurativisht.
Janë këto arsyet që më bëjnë të mos e përkrah protestën e PD-së, të jem skeptike ndaj propozimeve që ajo ofron dhe t’i konsideroj reagimet si këto të Lubonjës dhe Rossi-t naive dhe mjaftueshëm shqetësuese për t’i hedhur zjarrit benzinë.