Në debatin e organizuar në Dokufest, në Prizren, Fatos Lubonja tha se edhe Shqipëria, pas 25 vjetësh, është duke e formuar një Gjykatë Speciale që, sipas tij, është një shenjë e dështimit të gjithë kësaj klase politike.
“Është komplet situatë e njëjtë tek ne”, theksoi ai.
Lubonja e ka ndërtuar metaforikisht ndërtesën e pushtetit në Shqipëri, duke e ndarë në një ndërtesë me tre kate plus bodrumi.
“Në katin e parë e kam vendosur pushtetin oligarkik-ekonomik. Në bodrum kam futur krimin, paratë e krimit. Në katin e dytë mediat, shpeshherë të lidhura, dhe në katin e tretë politikën.
Politika në Shqipëri është vërtetë e ndarë në dy pjesë, por strukturat e përbashkëta kanë një ashensor që lëviz nga bodrumi deri në katin e tretë dhe kjo është ndërtesa e pushtetit. Ndërrimet e partive politike nuk ndërrojnë asgjë në këtë ndërtesë.
Vetë thelbi i një shteti demokratik është që të mos jenë të gjitha në një objekt, por t’i kesh të ndara këto.
Por, të gjitha janë në të njëjtat duar të një kaste e cila duhet rrëzuar”, tha ai, duke theksuar se as ai nuk e di se cila do të jetë mënyra e rrëzimit, shkruan koha.net. (b.an)