Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA prezantoi projektin e Kursit të Gazetarisë Investigative me studentë të gazetarisë nga universitete publike dhe private të Shqipërisë dhe me pjesëmarrës në programet e Qeverisë së SHBA për gazetarë.
Ambasadori Lu shtoi se qeveria e kaluar, përfshi dhe ajo aktuale kanë probleme me trafikimin e lëndëve narkotike madje se ka dhe politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Më poshtë është teksti i bisedës së Ambasadorit me disa prej studentëve që i drejtuan pyetje atij.
Pyetje: Jam Merxhani. Kam përfunduar studimet për gazetari dhe po përgatitem për diplomën. Dua të di qëndrimin dhe opinionin tuaj lidhur me situatën në Shqipëri dhe debatin politik lidhur me të. Faleminderit.
Ambasadori Lu: Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nxitur qeverinë e Shqipërisë dhe Policinë e Shtetit që të bëjë më shumë në luftën kundër trafikut të narkotikëve. Agjencia për Luftën Kundër Drogës e SHBA (DEA) punon ngushtë me Policinë e Shtetit të Shqipërisë për të luftuar trafikimin e drogës, me fokus të posaçëm tek trafikimi i heroinës dhe kokainës. Programi ynë ICITAP i asistencës për policinë për disa vite ka zhvilluar një kamp veror që ndihmon të rinjtë t’i thonë jo drogës. Ne, qeveria e SHBA përgëzojmë përpjekjet e Guardia di Finanza të Italisë për përpjekjet e tyre për të eliminuar prodhimin e kanabisit. Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë më shumë për këtë problem të përbashkët që kemi bashkë me Shqipërinë, sepse e dimë që ky problem ndihmon për të krijuar probleme të tjera me korrupsionin, krimin e organizuar dhe varësinë nga droga. Pyetja që kam disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së.
Pyetje: Jam Klaudia dhe vij nga Vlora. Kam mbaruar Universitetin e Tiranës për gazetari. Do të pyes në lidhje me zgjedhjet. Opozita beson se zgjedhjet në Dibër janë manipuluar. Çfarë mendoni për këtë dhe si mund të ndikojë kjo në zgjedhjet e ardhshme?
Ambasadori Lu: Shqetësimet kryesore që kam dëgjuar nga opozita dhe të tjerë për Dibrën janë përfshirja e grupeve kriminale dhe blerja e votave. Tani është shumë e zakonshme në Shqipëri që ta dëgjojmë këtë ankesë. Ambasada e SHBA dërgoi katër persona në Dibër për të vëzhguar zgjedhjet. Shtetet anëtare të BE dërguan një ekip me nëntë persona në Dibër dhe OSBE dërgoi edhe vëzhgues ndërkombëtarë. Diçka tjetër që di është që Shqipëria po bëhet një demokraci më e zhvilluar për sa i përket zgjedhjeve. Këta vëzhgues të huaj janë një numër shumë i vogël krahasuar me numrin e madh të vëzhguesve shqiptarë. Prandaj, lidhur me nëse këto akuza janë apo jo të vërteta, unë do të shqetësohesha më pak se ç’mendojnë të huajt dhe do të isha më i interesuar të dija se çfarë kanë raportuar vëzhguesit vendas.
Pyetje: Do të flas shqip. Në momentin që hymë këtu hymë me shumë shpresë dhe ne të rinjtë po presim nga ju që të na dhuroni shpresë, t’i jepni shpresë kësaj Shqipërisë sonë që vazhdon të jetë plot me halle plot me vuajtje. Prandaj nuk zgjodha që të flas anglisht, për të shprehur ato brengat e mia si i ri që janë, pasi pak ditë na ndajnë nga çelja e llotarisë amerikane dhe ne do të vazhdojmë të themi të ikim një orë e më parë nga Shqipëria, të largohemi nga ky vend sepse ky vend nuk do të bëhet. Do të iki unë, do të ikin këto vajzat, dhe ky djali. Gjithë këta njerëz kanë investuar në një shkollë, në një punë dhe duhet t’i vendosin themelet në Shqipëri por vendi jonë nuk po na i ofron këto themele. Mund të flasim gjatë për këtë. Kjo është tema që na mundon ne të rinjve që na prekin shumë tema dhe mungesa e shpresës në Shqipëri. Prandaj vijmë në Ambasadën amerikane, kërkojmë nga Amerika që të na sjellë këtë Shqipëri që kemi vite që e duam, që e ëndërrojmë por kemi vite që nuk e shohim dhe nuk e dimë se kur do ta shohim.
Do të doja të ndalesha në një pikë që ka të bëjë me reformën në drejtësi, çështjen e vetingut. Partia Demokratike ka çuar përsëri Ligjin e Vetingut në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë këtë ligj, do të thotë kjo se e gjithë lufta që keni bërë ju bashkë me ambasadoren tjetër Romana Vlahutin do të shkojë dëm? A mund të vihet në zbatim ky ligj pa konsensusin me opozitën?
Ambasadori Lu: Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë Ligjin e Vettingut në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik. Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e Ligjit të Vetting, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi.
Pyetje tjetër? Ndonjë pyetje për të vazhduar një pyetje të mëparshme?
A mund të them diçka për aty ku filluat, për të rinjtë dhe atë që po mendojnë ata në Shqipëri? Nuk jam i ri kështuqë nuk mund të flas në emër të të rinjve por mund të flas për veten time dhe nëse më pyesje gjashtë muaj më parë se në çfarë drejtimi po shkon vendi, nuk jam i sigurt cila do të kishte qenë përgjigja. Sot, ndihem shumë më optimist për të ardhmen e vendit dhe për të ardhmen e të rinjve si ju. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme. Do të sjellë më shumë investime dhe tregti në vend, më shumë vende pune dhe mundësi për të rinjtë si ju. Do t’ju shtyjë më tej në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian; dolët shumë mirë në kampionatin europian të futbollit. Është një kohë e shkëlqyer për të qenë në Shqipëri dhe mendoj se që të gjithë duhet të jeni krenarë për atë që vendi juaj ka arritur në muajt e fundit.
Një pyetje të fundit?
Pyetje: Jam 20 vjeç dhe kam mbaruar për Marrëdhënie Publike në Universitetin Europian të Tiranës. Pyetja është për arsimin. Si e shikoni situatën e arsimit këtu në Shqipëri bazuar mbi atë se çfarë ka ndodhur me studentët dhe protestën e tyre?
Ambasadori Lu: Kam qenë në Shqipëri për më pak se dy vjet. Ka ndodhur shumë në arsim gjatë kohës që kam qenë këtu. Ajo që mbaj mend në fillimin e kohës sime këtu është mbyllja e disa universiteteve private. Ajo që di si amerikan është se arsimi i mirë është i mundur nga universitetet publike ose private. Por është shumë e rëndësishme që të mbajmë standarde të larta për të dyja dhe mendoj se në përgjithësi është diçka shumë pozitive që shoqëria shqiptare po kërkon të mbajë standarde të larta në universitetet publike dhe private në Shqipëri. Në lidhje me pranimet në universitet. Unë vij nga një vend ku shpesh është shumë e vështirë të hysh në universitet dhe nëse ia del të futesh, është shumë e vështirë të paguash për universitetin. Si babai i dy fëmijëve që janë duke u rritur, shqetësohem çdo ditë se si do të kem paratë e mjaftueshme që ata të shkojnë në universitet. Në Shqipëri, mendoj që prindërit shqetësohen për të njëjtën gjë: a do hyjnë fëmijët e mi në universitet dhe a do të kem paratë e mjaftueshme për t’i mbështetur, sidomos nëse është universitet privat. Ndaj, mendoj që është e rëndësishme që të ketë standard, që të ketë standard për mënyrën se si pranohesh në universitet publik dhe se si pranohesh në universitet privat; që mënyra të mos jetë me anë të korrupsionit; të mos jetë me anë të manipulimit; që përzgjedhja për pranim në universitet të mos varet nga kush është babai apo xhaxhai yt, por të varet vërtet nga shqyrtimi konkurues. A është ky rasti sot në Shqipëri? Nuk e di. E di që ka shumë vëmendje nga gazetarë të mirë si ju për këtë çështje; mendoj shoqëria po e shikon këtë çështje; mendoj njerëzit në qeveri po pyesin veten; njerëzit në universitetet private po përpiqen të gjejnë nëse duhet të përpiqen të mbajnë të njëjtat standarde. Mendoj se është shumë e shëndetshme që shoqëria të reflektojë për këtë. Nuk e kam përgjigjen. Po përpiqem të mbledh paratë e mjaftueshme për t’i dërguar fëmijët e mi në universitet por mendoj se dialogu është i shëndetshëm. E përgëzoj opozitën, qeverinë dhe sidomos shoqërinë civile që është duke kërkuar përgjigjet e duhura. Pyetja edhe më e vështirë është se çfarë ndodh me të gjithë të diplomuarit nga universitetet, se si do të krijohen vende pune për të gjithë ju. Mendoj se ne në ambasadë dhe partnerët tuaj të huaj janë shumë të përqendruar tek kjo pyetje sepse siç sapo tha kolegu im këtu, nuk duam që ju të largoheni nga vendi. Ju jeni shpresa për Shqipërinë dhe duhet të ketë mundësi të mjaftueshme që njerëzit të konkurojnë ndershmërisht për vende pune të mira që do t’ju joshnin të qëndronit këtu.