Vetëm dy ditë më parë u shpallën fituesit e lojës promocionale të kuponit tatimor, por duket se shpallja e tyre nuk u “përtyp” lehtë në radhët e qytetarëve, duke ngjallur dyshime mbi ndershmërinë e saj, veçanërisht pasi u mësua se deklarimi i fituesve nuk u bë direkt në televizion, pro ishte regjistruar paraprakisht. Për të shuar hamendësimet, zyra e shtypit e Ministrisë së Financave ka sqaruar, me anë të një deklarate, se si do të veprohet. Ajo pranon shqetësimet e ngritura për faktin se fituesja e çmimit të madh ka paraqitur 130 kupona, me një vlerë mbi 7,3 milionë lekë. Më poshtë sqarimi i Ministrisë së Financave:
“Kategoria e parë dhe e dytë e fituesve janë përzgjedhur në bazë të formulës së aplikuar mbi bazën e të dhënave e vënë në dispozicion nga Posta Shqiptare (shumë e 70 për qind të vlerës nominale të kuponëve më 30 për qind të numrit të kuponëve). Komisioni ka certifikuar të gjithë zarfet në rendin zbritës deri sa nxori 11 fituesit. Për të gjetur 11 fituesit Komisionit iu desh të kontrollonte mbi 600 zarfe, të cilat janë penalizuar për arsye të:
– Deklarimit të rremë: Deklarimi i vlerës është bërë duke shtuar nga një zero, ngatërresë që shkaktohet nga lekë të vjetra dhe lekë të reja, apo mos lexim korrekt të vlerës së kuponit;
– Përfshirja në zarf e kuponëve jo tatimorë, apo kuponëve jashtë afatit të lojës.
Dyshimet se si çmimi i madh znj. Valbona Lleshi është fitues me 130 kuponë me një vlerë nominale 7,337,778 lekë nuk është korrekt, kur dihet se vlera maksimale e kasës për të lëshuar një kupon tatimor është 150,000 lekë.
Komisioni i vlerësimit u jep 10 ditë kohë të gjithë pjesëmarrësve të adresojnë ankesat e tyre në adresën: Komisionit të vlerësimit të fituesve; Shtypshkronja e Letrave me vlerë/ (ish topografia ushtarake); Tiranë
Kategoria e III dhe e IV e fituesve e shpallur live në “Top Channel” është rezultat i përzgjedhjes rastësorë të aplikacionit informatik të aplikuar mbi databazën e gjeneruar nga posta. Komisioni ka vendosur të mos vendos dorë mbi databazën e postës për të eliminuar zarfet të cilët deklaronin një numër më të vogël kuponësh se sa të lejuar pa u verifikuar paraprakisht, për të eliminuar gabimet njerëzore që mund të ishin bërë nga posta. Shpallja e fituesve do të bëhet pas certifikimit të 500 zarfeve të përzgjedhur nga sistemi informatik, vetëm nëse ato do të përmbushin të gjitha rregullat e përcaktuara në rregulloren e lojës”.
Shpallja e 511 fituesve të Lotarisë së Kuponit Tatimor është përballur më një sërë kontestimesh nga qytetarët që u bënë pjesë e kësaj loje. Ngritja e një sërë pikëpyetjesh ka ardhur pasi në ëebsiten e Lotarisë janë vënë re edhe fitues me 2 kupona, ndërkohë që po aty është e përcaktuar se kualifikimi si pjesëmarrës në këtë lojë kërkon jo më pak se 50 kupona tatimorë dhe me vlerë totale të të gjithë kuponave jo më të vogël se 5,000 lekë. Por sipas sqarimit të ministrisë së Financave të gjithë zarfet e fituesve tashmë do të verifikohen nga një komision i posaçëm pasi mund të ketë edhe gabime në vlerën e shkruar në zarf ose në numrin e kuponave. Në rastin kur një numër është përzgjedhur fitues dhe pas verifikimit të të dhënave të deklaruara në zarf rezulton se ka mos përputhje me gjendjen faktike të tij, çmimi do të anulohet. Kjo lotari u krijua me qëllim që të ndërgjegjësonte qytetarët që duhet të tërheqin kuponin tatimor pas çdo blerjeje, duke detyruar bizneset që të lëshojnë kupona, por duket se përfundimi i fazës së parë të saj nuk i ka lënë aq të kënaqur qytetarët.
Shorteu
28 mijë lojtarët morën pjesë në lojën promocionale të kuponit tatimor të organizuar nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sipas rregullores, në 4 kategoritë e fituesve, dy të parat ku luhej për çmimin e madh 1 milion lekë dhe 10 çmime me fitues që do të marrin nga 100 mijë lekë secili, u përzgjodhën mes 600 zarfeve që u hapën nga komisioni i lojës. Ndërsa 500 çmimet e tjera të kategorisë së tretë dhe të katërt, ku fituesit do të marrin përkatësisht nga 15 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, shorti u hodh në mënyrë elektronike. Sipas rregullores së lojës, u përjashtuan nga gara të gjithë ata lojtarë, të cilët në zarfet e tyre nuk kishin shkruar saktë brenda zarfit, numrin e kuponëve dhe vlerën e saktë me lekë të rinj, si dhe të gjithë ata që kanë vendosur brenda zarfit kuponë që nuk i përkasin periudhës 15 nëntor-31 dhjetor 2015.
SHEKULLI