Shqipëri-Kroaci, me shumë gjasa do të jetë ndeshja miqësore, e cila do të hapë dyert dhe do të urojë stadiumin e rikonstruktuar “Loro Boriçi” në Shkodër.
Në muajin mars, kuqezinjtë e Kombëtares kanë për të zhvilluar dy takime miqësore, përpara grumbullimit të tyre për të nisur përgatitijet për finalet e “Francë 2016”.
Ndonëse trajneri De Biazi kishte biseduar me trajnerin Fatih Terim për të zhvilluar një miqësore me Turqinë në mars, duke qenë se kjo e fundit nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare, mësohet se FSHF ka nisur kontaktet për një miqësore në Shqipëri, me kombëtaren e Kroacisë, raporton “Panorama Sport”.
Gjithnjë, sipas zërave që qarkullojnë në FSHF, është planifikuar që ndeshja Shqipëri-Kroaci, e para për kuqezinjtë gjatë marsit, të zhvillohet në Shkodër për të përuruar stadiumin e rikonstruktuar “Loro Boriçi”, i cili do të ketë një “fytyrë” të re krejtësisht moderne.
Ndërkohë, në të vazhdojnë punimet me intensitet të lartë, për përfundimin e tij. Pasi është shtruar tapeti i barit, në stadiumin “Loro Boriçi” ka nisur mbulimi i tribunës qendrore, si dhe i xhamave në fasadat e jashtme.
Besohet që në muajin shkurt, gjithçka të ketë përfunduar dhe ndeshja miqësore e kuqezinjve ndaj Kroacisë, të jetë edhe dita e përurimit të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.
Sportal.al