Lorik Cana: PSG-ja më bëri futbollist, por dua ta mund
Menjëherë pas lindjes së djalit, të cilën e cilësoi “ndjenjën më të bukur të jetës”, Lorik Cana përqendrohet te impenjimet në karrierën si futbollist. Fundjava rezervon një tjetër emocion për kapitenin e Kombëtares, që do të përballet me të kaluarën. Të shtunën, Nantes do të presë në shtëpi kryesuesit e Paris Saint Germain. 32-vjeçari nuk i harron kohët e kaluara në “Parc des Princes”, por siguron se në sfidën që hap javën e tetë të Ligue 1 vlen vetëm fitorja.
Nesër, në orën 17:30, Nanta do të presë kampionët e “Ligue 1”. Lorik Cana do të ketë mundësinë të tregojë veten në përballje me lojtarë të tillë kalibri si Zllatan Ibrahimoviç, Edinson Kavani, Ezekuel Laveci etj. Kuptohet, vështirësia për të marrë pikë është e madhe për Nantën, ku aktivizohen Cana dhe Lenjani, dy lojtarë titullarë të kombëtares shqiptare. Në sezonin 2005-2006, Lorik Cana u bë pjesë e ekipit të parë të PSG-së, pikërisht në kohën kur aty luante braziliani i mirënjohur, Ronaldinjo. Në këtë klub (pa llogaritur ekipin B) luajti 69 ndeshje dhe shënoi 2 gola. Duke e parë si një “ish”, mediat franceze janë fokusuar pikërisht te shqiptari në prag të përballjes së të shtunës.
“PSG ishte klubi im i parë. Aty u rrita, luajta si profesionist, fitova trofeun tim të parë dhe më dha mundësinë të provoja emocionet e Champions League. Mbetet ende një klub i veçantë për mua, edhe pse skuadra e tanishme ka mjaft ndryshime nga ajo ku unë u rrita. Sa herë që përballem me PSG-në kërkoj të fitoj. Kjo do të ndodhë edhe tani që mbroj ngjyrat e Nantes, pavarësisht se ata janë favoritë për titullin”, tha Cana.
Mbrojtësi shqiptar bëri edhe krahasimin ndërmjet gjendjes aktuale të Paris Saint Germain dhe ekipit ku ai u aktivizua nga viti 2002 deri më 2005-ën: “Skuadra e sotme është më e fort se në ditët e mia. Në atë periudhë kishim ambicie të mëdha dhe arritëm të luanim në Champions League. Parisit iu nevojit shumë kohë të rikthehej në këtë aktivitet. Skuadra e tanishme është një shkallë më lart dhe synon të jetë protagoniste në arenën ndërkombëtare. Ata kanë disa prej lojtarëve më të mirë në botë për pozicionet e tyre”.









