Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, deklaroi se Shqipëria ka qenë një nga vendet më të ekspozuara në Evropë ndaj kërcënimeve të sigurisë, përfshirë edhe përplasjet në kuadër të asaj që ai e cilësoi si “luftë kibernetike” me Irani.
Sipas Vangjelit, gjatë 20 viteve të fundit janë evidentuar disa episode të rënda që lidhen me tentativa për atentate terroriste, të cilat janë parandaluar falë ndërhyrjes së agjencive ligj zbatuese shqiptare dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se rreziku mbetet ende prezent, duke paralajmëruar përsëritjen e skenarëve të ngjashëm përmes aktivizimit të celulave të fjetura.
“Shqipëria ka qenë vendi i dytë në Evropë i cili ka qenë në mes të një lufte, luftës kibernetike me Republikën Islamike të Iranit ka pasur disa episode domethënëse për atentate terroriste 20 vitet e fundit. Celula të fjetura, njerëz të importuar nga jashtë, episode vërtet të rënda të cilat janë shmangur nga fati, nga agjencitë ligj zbatuese shqiptare, nga bashkëpunimi shumë i ngushtë nga partnerët e huaj dhe me radhë. Unë parashikoj përsëritjen e këtij skenari me celula të fjetura që mund të shkaktojnë dëmtime nga më të ndryshme, një shpërthim eksplozivi diku, një çantë e harruar gjetkë etj apo dhe goditje të tentuar në perimetrin e kampit të muhaxhaedinëve në Manzë”, u shpreh Vangjeli.











