Pagesat prej miliona dollarësh për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe mosdeklarimi i faturave pranë KQZ, kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Agjencia e Lajmeve Associated Press, britanikja Daily Mail dhe prestigjozja New York Times raportojnë se prokuroria ka nisur hetimet ndaj Partisë Demokratike, për përdorimin e këtyre parave, raporton Lexo.al.
Në raportime citohet prokuroria e Tiranës që i kërkon PD të shpjegojë nëse i ka deklaruar apo jo këto fatura në KQZ.
“Prokuroria e Tiranës thotë se ka filluar një hetim mbi paratë që Partia Demokratike ka përdorur për lobim në Shtetet e Bashkuara. Prokurorët kanë kërkuar nga demokratët dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpjegojnë dhe tregojnë nëse një pagesë e dyshuar si informale, prej $ 675,000 (€ 570,000) nëpërmjet kompanive offshore, është deklaruar apo jo nga partia. Mediat kanë raportuar se në pranverë, përpara zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë në qershor, demokratët e opozitës paguan tre kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara…”- shkruan AP.