Kreu i përgjithshëm i prokurorisë Adriatik Llalla ka deklaruar përpara prokurorëve të Gjirokastrës se organi i akuzës ka kërkuar heqjen e mandatit të dy kryetarëve bashkiakë socialistë, atë të Tepelenës dhe Poliçanit.
Bëhet fjalë për Tërmet Peçin dhe Adriatik Zotkajt. Sipas Llallës ka nisur procedimi për këta të dy kryebashkiakë.
Llalla i ka dhënë një mesazh prokurorëve që të ndalojnë këdo zyrtar të inkriminuar që preket nga ligji i dekriminalizimit.
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka ngritur gjithashtu shqetësimin e fenomenit të kultivimit të kanabis dhe lëndëve narkotike në vend, gjatë analizës vjetore në prokurorinë e Gjirokastrës. Sipas kreut të organit të akuzës bashkëpunimi me institucionet e tjera nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Në lidhje me performancën e prokurorisë në Gjirokastër, Llalla pohoi se shkak i rënies së punës është kostoja financiare./a.k











