Pas Adriatik Llallës, edhe prokurorja Rovena Gashi i dërgoi një letër kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe presidentit Bujar Nishani, ku sulmonte ashpër ambasadorin amerikan Donald Lu.
Por, ajo që bie në sy, është fakti se kjo letër, ngjason identike me atë të Adriatik Llallës, vetëm se emrat ndryshojnë. Prokurorja Gashi shkruan se i’u revokua viza pasi ajo mbajti qëndrime parimore kritike për disa pika të Reformës në Drejtësi që sipas saj shkelnin të drejtat e njeriut.
Në tërësi të dyja letrat janë të strukturuara me paragrafë ku rendisin çështje të njëjta me të cilat sulmohet ambasadori. Në momente të caktuara shohim që teksti duket identik.
Kryeprokurorori Llala shkruan për presionin që sipas tij ka pasur nga ambasadori për reformën në Drejtësi:
“Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.
Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme”.
Me tekst thuajse identik është edhe letra tjetër e prokurores Rovena Gashi:
“Në vlerësimin tim, revokimi i vizës së shërbimit ka lidhje më së pari me qëndrimet që kam prezantuar lidhur me draftin e Reformës në Drejtësi.
Këto qëndrime të miat parimore binin ndesh me projektin e hartuar nga disa ekspertë vendas dhe të huaj, i cili mbrohej publikisht nga ambasadori amerikan, Donald Lu”.
E njëjta gjë vihet re në të dy letrat ku teksti duket thuajse identik edhe kur ambasadori akuzohet se ka ndërhyrë për disa çështje hetimore. Për më shumë, më poshtë po ju vëmë në dispozicion të dyja letrat:
Letra e Adriatik LLallës:
Të nderuar Zotërinj,
Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikes gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anulluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anulluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti.
Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu.
Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.
Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.
Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.
Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.
Të nderuar zotërinj,
Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.
Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithëshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj.
Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional.
Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media.
Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithëshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014, Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin.
Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane.
Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.
Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë.
Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.
Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.
Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politikë në Shqipëri.
Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.
Të nderuar zotërinj,
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës.
Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë.
Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike Shqiptare.
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, larg çdo presioni e shantazhi që synon deformimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
ADRIATIK LLALLA
Letra e Rovena Gashit:
Të nderuar Zotërinj,
Unë që po Ju drejtohem quhem Rovena Gashi dhe jam Prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme. Prej muajit Qershor 2013 jam në pozicionin e Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Prej muajit Tetor 2016 drejtoj njëkohësisht edhe strukturën e “Dekriminalizimit” në institucionin ku ushtroj funksionet si prokuror. Gjithashtu, në datën 27.01.2017, jam përzgjedhur anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në bazë të procedurës së zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë.
Po Ju drejtohem, në përmbushje të detyrimit tim ligjor dhe moral, për shkak të një situate që në vlerësimin tim është absurde dhe në kundërshtim të hapur me normat ligjore vendase dhe ndërkombëtare.
Në datë 26.01.2017, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, konkretisht zyra konsullore, më ka revokuar vizën amerikane të shërbimit, e tipit R B1/B2. Punonjësit konsullorë nuk e shoqëruan me asnjë lloj komunikimi zyrtar ose jozyrtar këtë vendimmarrje të tyre.
Ky akt i ndërmarrë ndaj personit tim nga Ambasada Amerikane në Tiranë ishte tërësisht i papritur, pavarësisht se, për shkak të pozicionit si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, kisha marrë sinjale për veprime konkrete ndaj personit tim.
Në vlerësimin tim, revokimi i vizës së shërbimit ka lidhje më së pari me qëndrimet që kam prezantuar lidhur me draftin e Reformës në Drejtësi. Në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme, unë kam qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete dhe tryeza diskutimi lidhur me paketën kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Në çdo rast, unë kam shprehur qëndrimin tim parimor dhe profesional, duke vlerësuar nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë. Në prezantimet e mia publike, në disa raste në prania edhe të Ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Donald Lu, kam kundërshtuar disa aspekte të drafteve ligjore, të cilat, në pikëpamjen time binin ndesh me parimet e përgjithshme të së drejtës, si edhe me forcimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Këto qëndrime të miat parimore binin ndesh me projektin e hartuar nga disa ekspertë vendas dhe të huaj, i cili mbrohej publikisht nga ambasadori amerikan, Donald Lu.
Në kontakte formale dhe informale me zyrtarë të ndryshëm të Ambasadës Amerikane më është përcjellë mesazhi që, nëse do të vijoja të prezantoja qëndrime kundër projektit të mbrojtur nga ambasadori Lu, ndaj meje mund të kishte pasoja negative. Këto sugjerime nuk janë marrë parasysh prej meje, duke mbrojtur në çdo aktivitet bindjen time, bazuar në përvojë dhe profesionalizëm. Rezultoi se, një pjesë e konsiderueshme e argumentave të prezantuara nga ana ime, u konsideruan të tilla edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias, i cili u investua nga palët politike në Shqipëri. Pra, rezultoi që, pavarësisht presioneve ndaj meje, por edhe prokurorëve të tjerë, që të mbështesnin pa asnjë kundërshti draftin e mbrojtur nga ambasadori Lu, profesionalizmi i dëshmuar nga unë, nga prokurorët e tjerë, si edhe njohës të ligjit, të ishte në përputhje me parimet ndërkombëtare të së drejtës.
Gjithashtu, në cilësinë e drejtuesit të sektorit shumë të rëndësishëm të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, deri më tani kemi siguruar rezultate të kënaqshme në drejtim të largimit nga Kuvendi dy deputetë, si edhe një numër të konsiderueshëm zyrtarësh nga administrata publike. Gjithashtu, kemi në proces verifikimi edhe disa deputetë, të cilët, me shumë mundësi, mund të penalizohen nga ligji “Për Dekriminalizimin”.
Ajo që konstatoj është se, disa prej deputetëve që penalizohen nga ky ligj, janë persona të shantazhuar publikisht me mesazhe nga Ambasada Amerikane, të cilat janë bërë publike edhe në media, që këta të fundit të siguronin balancat parlamentare, si edhe votat e nevojshme për të miratuar projektin e ambasadorit Lu në Kuvendin e Shqipërisë.
Po ashtu, unë jam përzgjedhur anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Unë isha kandidaturë e vetme e Prokurorisë së Përgjithshme për një vend anëtar në KED. Përzgjedhja ime në KED u formalizua në procedurën e zhvilluar nga Kuvendi i Shqipërisë, më datë 27.01.2017.
Por, vetëm një ditë më parë, konkretisht më dt. 26.01.2017, kur emri im tashmë ishte publikuar si kandidaturë pa konkurencë për anëtare e KED, thirrem me urgjencë në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Unë gjendesha në Gjermani, në një aktivitet të Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit. Nga komunikimi telefonik me zyrtarët e Ambasadës Amerikane në Tiranë më është kërkuar që të paraqitesha me urgjencë, për të zhvilluar një takim me konsullin. Duke qenë se unë ushtroj detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, vlerësova se urgjenca e kërkesës mund të lidhej me çështje të ngutshme të hetimit ndërkombëtar ose terrorizmit.
Për shkak të përgjegjësisë që kam ndaj detyrës, rikthehem në Tiranë dhe paraqitem menjëherë para Ambasadës Amerikane. Por, aty nuk pritem nga konsulli, por nga një punonjës, i cili, pasi më kërkoi pasaportën, më njofton se më ishte revokuar viza e shërbimit. Pas këtij veprimi, nuk më komunikuan asnjë arsye për këtë veprim dhe këtu përfundoi takimi.
Të nderuar zotërinj,
Sa më lart Ju prezantova angazhimin tim profesional në sektorë të rëndësishëm të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe qëndrimet e mia ndaj draftit të Reformës në Drejtësi, të mbrojtur publikisht nga Ambasadori Amerikane në Tiranë, z. Donald Lu.
Në vlerësimin tim, pikërisht qëndrimet e mia parimore përsa i përket Reformës në Drejtësi, të cilat, siç e përmenda më lart, gjetën mbështetje edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias, mund të kenë shërbyer si shkak për revokimin e vizës amerikane të shërbimit, me të cilën isha pajisur për shkak të detyrës.
Gjithashtu, vlerësoj se ky akt tërësisht jo-diplomatik, mund të jetë edhe një formë presioni që struktura e “Dekriminalizimit” që unë drejtoj, të mos penalizojë deputetë, të cilët njihen publikisht si persona që zhvillojnë komunikim të vazhdueshëm me ambasadorin Lu.
Personalisht nuk evidentoj asnjë justifikim që Ambasada Amerikane në Tiranë të më thërriste me urgjencë për revokimin e vizës së shërbimit, pikërisht, një ditë para se të zhvillohej procedura për përzgjedhjen e anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në të cilin unë u zgjodha anëtare.
Për më tepër, në momëntin që unë sapo kam dalë nga Ambasada e SHBA në Tiranë, ku më ishte komunikuar revokimi i vizës së shërbimit, në median shqiptare ka dalë njoftimi i Ambasadës së SHBA-së për heqjen e vizave disa prokuroëve dhe gjyqtarëve. Në këtë deklaratë, citoj “…Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin…”.
Pra, personalisht e vlerësoj se veprimi jo-diplomatik i Ambasadës Amerikane në Tiranë ka qenë një manovër për të goditur personin tim për shkak të detyrës, angazhimeve të mia në drejtim të “Dekriminalizimit”, si edhe për të mos legjitimuar pjesëmarrjen time në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Të nderuar zotërinj,
Pavarësisht sjelljes jo-korrekte të Ambasadës së SHBA në Tiranë, unë Ju garantoj se do të vijoj të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore. Do të vijoj që të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit për krimin e organizuar, transnacional dhe terrorizmin.
Gjithashtu, Ju garantoj se struktura e “Dekriminalizimit” do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimin e saj ligjor për të siguruar pastërtinë e Parlamentit dhe të administratës publike shqiptare, pavarësisht presioneve dhe shantazheve nga segmente të caktuara të politikës apo diplomatë të huaj.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,
PROKURORI
ROVENA GASHI
/java/a.m.