Në konferencën e kryetarëve, opozita kundërshtoi futjen në rendin e ditës të Kuvendit të ndryshimeve në rregullore. Përpara Kuvendit, deputetja e PD Jorida Tabaku tha se mazhoranca ka thënë që pret zbardhjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se bashkëjetesa në parlament është shkelur me dy këmbë. Ajo pohoi që rregullorja duhet të ketë ndryshime konsensuale.
“Ndryshimet e rregullores të cilat PD i çoi në Gjykatën Kushtetuese, janë besoj, me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë opozitës për shkelje të rregullave të parlamentit, janë rasti më flagrant sesi rregullat e bashkëjetesës në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë. PD i qëndron faktit që rregullorja e parlamentit duhet patjetër të ketë ndryshime konsensuale. Ndryshimet e reja shkelin të drejtat e komisioneve dhe kryetarëve dhe krijojnë një super komison sikur po ndahen vilajete këtë në parlament, njëri i nënës e tjetri i njerkës. Ky diskutim në konferencën e kryetarëve duke pasur parasysh që kishte në bazë vetëm ndryshimet e rregullores, është e nevojshme që të sqarohemi që ndryshimet e rregullores të njëanshme që marrin hapësirën e opozitës, që s’janë dakordësuar e konsultuar janë në shkelje të të gjitha parimeve të bashkëjetesës në parlament”, tha Tabaku.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, iu përgjigj deputetes së PD.
Gjykata Kushtetuese është në shkelje të vendimit të vet. Brenda 30 ditësh nga data 23 shkurt, GJK duhet të kishte zbardhur vendimin e vet, këtë kemi thënë. Ndërkohë që nuk kemi hyrë fare në pjesën e ndryshimit të rregullores.
Kemi rënë dakord për kalendarin. Është e papranueshme të thuash që nuk kemi rënë dakord kur nuk ke qenë në sallë.
Sa i përket mocionit me debat, jam plotësisht dakord që duhej të zhvillohej. The këtu edhe për një mocion tjetër me debat për luftën kundër krimit të organizuar. E kemi bërë më 17 dhjetor. Është mbajtur ai. E bëre këtë gabim, ta falim.
Në nëntor të vitit të kaluar kemi bërë një konferencë kryetarësh dhe kemi rënë dakord për të bërë një bashkim të dy çështjeve në një mocion me debat: raportin e DASH-it, Departamentit Amerikan të Shtetit, jo ish-Dashit tuaj… dhe mocionin me debat që lidhet me nenin 18 të ligjit të Kuvendit të Shqipërisë për integrimin në BE. Edhe ju, edhe ne na ka kaluar afati i përcaktuar.
Sot, ju dashnorët më të rinj të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’ju jap një fakt që është më domethënës, jo për ju, as për ne, se ne e dimë. E kemi filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe që prej asaj dite, ja ku e kemi listën e plotë të ligjeve të përafrimit të legjislacionit për përmbushjen e kritereve para kushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE: 23 ligje. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e PD. Ju këtu vini e na thoni: ‘Po ju, pse s’na votoni ligjet tona?’. Këtu nuk janë ligjet tona, por ligjet e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit”, tha ndër të tjera Balla.











