Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe një prej themeluesve të Partisë Socialiste, Fatos Nano, që u nda nga jeta më 31 tetor.
Me kërkesë të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në shenjë respekti e nderimi, deputetët e Kuvendit kanë mbajtur një minutë heshtje.
Seanca plenare e ditës së sotme ka një rend te ngarkuar ku shumë çështje janë të përfshira ku parashikohet zgjedhja e anëtarëve të komisionit rregullator të komisionit qendror të zgjedhjeve por edhe raportime të vitit 2024 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Departamentit të Administratës Publike ,Komisioni i Prokurimit Publik si dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish sigurimit te Shtetit.
Gjithashtu pritet për diskutimi i projektligjit për barazinë gjinore që tashmë do të njohë dy gjini burrë e grua. Diskutime pritet të këtë edhe për disa akte normative si “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” si edhe për disa ndryshme në ligjin ”Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”.
Një vend të veçantë do të zë edhe akti normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2025, teksa diskutime janë parashikuar edhe në projektligjin për miratimin e buxhetit fiskal të vitit 2024.
Edhe miratimi i raportit të Komisionit te Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike për mos ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit, Bajram Begaj, është një nga pikat e rendit të ditës, së bashku me disa projektvendime për disa ndryshime për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të kuvendit dhe për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme.











