Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja propozoi që dy nismat e deputetëve Murrizi dhe Gjoni dhe të gjitha draft amendamentet e Gjiknurit dhe deputetëve të tjerë të bashkohen dhe të shqyrtohen në një tekst të integruar.
Por ky avancim i Kuvendit duket se e ka xhindosur Presidentin. Ilir Meta përmes Facebook shprehet se ky veprim i Kuvendit është atentat ndaj rendit kushtetues.
Nga ana tjetër Meta shpreh mbështetjen e tij për propozimet e PD dhe LSI.
Ja postimi i plotë i Metës:
Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.
Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.
Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.
Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit.
Koha për reflektim!