Shtetet e Bashkuara kanë publikuar një listë me 210 figura të rëndësishme ruse, si pjesë e një ligji sanksionesh që ka për qëllim të dënojë Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.
Uashingtoni nënvizoi se personat në këtë listë prej 210 emrash, nuk janë bërë subjekt i sanksioneve të reja.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit rus Vladimir Putin, i cili deklaroi se lista në fjalë ka vënë nën shënjestër të gjithë popullin rus dhe përbën një akt armiqësor që komplikon marrëdhënien mes palëve.
Ligji i sanksioneve është miratuar në gusht nga Kongresi amerikan dhe presidenti Donald Trump e nënshkroi duke i bërë të qarta vërejtjet e tij.
Pas këtij hapi, qeverisë ju kërkua të hartonte një listë në të cilën do të renditeshin emrat e personave të cilët kishin përfituar nga lidhja e afërt me presidentin Putin.
Lista e njohur jozyrtarisht si “Lista Putin” përmban 210 figura të rëndësishme ruse, mes tyre, 114 qeveritarë ose të lidhur me qeverinë apo biznesmenë të fuqishëm, ndërkohë që 96 të tjerët janë oligarkë.
Ndër personat e përfshirë janë emra si Dmitry Medvedev, kryeministër i Rusisë, Alexei Miller, shef i Gazprom, Roman Abramovich, pronar i klubit londinez të futbollit Chelsea, apo Alexander Bortnikov, shef i spiunazhit në Shërbimin Federal të Sigurisë.
Këta persona njihen si aleatë të vjetër të presidentit Putin.
a.ç










