Pas dështimit të konsensusit për miratimin e Reformës në Drejtësi, tashmë duket se do të flasë logjika e ftohtë e numrave në Kuvend për miratimin e saj. Kryeministri Rama, pas dështimit të tryezës për konsensus me kreun e PD-së, Lulzim Basha, bëri të ditur se mazhoranca do të dërgojë për votim në Kuvend draftin e dakordësuar me ndërkombëtarët. Në mungesë të një kompromisi të orës së fuundit, tashmë do të jetë Kuvendi që do të thotë fjalën e fundit.
Për miratimin e draftit të Reformës në Drejtësi do të duhen 94 vota. Një prag shifror që edhe ndërkombëtarët kanë nisur ta shohin në një mënyrë të ndryshme, të ndarë nga linjat partiake. Me logjikën se një paketë e tillë e rëndësishme, si ajo e reformimit të drejtësisë, duhet të krijojë një raport thuajse personal mes deputetit dhe votës që ai jep, edhe duke shpërfillur pozicionimet partiake. Vetë BE-ja nuk ngurroi të artikulonte edhe nevojën e miratimit të draftit me 2/3 e votave në Kuvend, duke iu adresuar në këtë mënyrë edhe ndërgjegjes individuale të çdo deputeti. Tashmë është e qartë se PD nuk ka probleme me mazhorancën. Por ajo ka probleme serioze me SHBA-në dhe BE-në.
Valsi i numrave në Kuvend
Çështja tashmë shtrohet se cilat janë mundësitë që ky draft të kalojë në Kuvend me 94 vota të deputetëve? Në plan të parë ky duket një “mision i pamundur”. Mazhoranca aktuale nuk e ka numrin e duhur të votave që ta kalojë e vetme draftin. Nga ana tjetër edhe lidershipi i PD-së bëri të qartë se nuk është i gatshëm të votojë pro draftit. A do të mundet mazhoranca të bëjë numrin e votave të duhura, që ky draft të kalojë në Kuvend edhe pa konsensusin e PD-së? Këtu qëndrojnë dhe të gjitha pikëpyetjet. Por asgjë nuk duket se është e pamundur. Mazhorancës i duhen vetëm 4 vota për të kaluar draftin, të paktën në letër. Vota të cilat natyrisht duhet t’i negociojë në kampin e PD-së. Ose t’i “blejë”, siç sugjeron fjalori i këtyre orëve.
Aktualisht, duke u mbështetur në logjikën e shifrave, si dhe në disa deklarime individuale të deputetëve, mësohet se numri fillestar i votave të deputetëve që janë pro draftit është 90. Në këtë numër votash përfshihen votat e PS, LSI, PDIU, PBDNJ, PDK dhe PKDSH. Për të kaluar draftin duhen edhe 4 vota, të cilat duhet të gjenden në kampin e PD-së. Ndonëse duket një numër i vogël votash që kërkohen, vështërsia për t’i siguruar nuk është e lehtë, pasi nëse PD merr një vendim politik për të mos votuar draftin (ose dhe në rast abstenimi) atëhere deputetët “rebel” do të përjashtoheshin nga grupi parlamentarë i PD-së.
Negociatat
A ka pasur negociata individuale me deputetë të veçantë që të votojnë në favor të kësaj reforme? Përgjigja është po. Më shumë se rrjedhje informacioni për këto takime, ky fakt është kuptuar nga disa deklarata të bëra si nga ish- kryeministri Berisha, kryetari i PD-së, Lulzim Basha deri dhe nga Presidenti, Bujar Nishani, të cilët kanë akuzuar mazhorancën se “po kërkon të blejë deputetë nga opozita”.
Zona gri e votave në PS dhe PD
Natyrisht këto përllogaritje janë bërë mbi bazën e votave në bllok, si dhe të deklarimeve të vetë deputetëve në mbështetje të draftit. Por nga ana tjetër edhe vetë brenda mazhorancës ka jo pak turbulenca, sa i përket numërit total të votave. Grupi i PS përballet me tre probleme: e para; a do të votojnë pro draftit deputetët, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, të cilët janë në një përballje publike me kreun e PS-së, Edi Rama dhe qeverinë që ai drejton? Nuk ka pasur ndonjë qëndrim publik të tyre kundër reformës dhe as ndonjë deklarim vote kundër. Por mjegulla vijon të jetë prezente. E dyta; a do të jetë në Kuvend ditën e votimit deputeti Armando Prenga? Edhe ky është një fjalëkryq më vete, po të kemi parasysh se ai është nën hetim nga drejtësia, ndonëse nuk ka një vendim që e pengon atë të jetë pjesë e Kuvendit. E treta; PS ende nuk ka zëvendësuar mandatin e Koço Kokëdhimës që ia hoqi Gjykata Kushtetuese. Pra ka një mandat më pak në listën e saj të mandateve. Dhe së fundi, si do të votojë Vangjel Dule? Dikur ai ka thënë se e voton reformën, por se kërkon që pas kësaj të zgjidhet një qeveri teknike.
Edhe në kampin e opozitës ka jo pak pikëpyetje. Ndonëse është zgjedhur nga lista e PD-së, Dashamir Shehi, përfaqëson LZHK në Kuvend. Ai pritet të ketë një vendim personal lidhur me mënyrën sesi do të votojë në Kuvend, pavarësisht vendimit që do të marrë grupi i PD-së. Po kështu edhe deputeti, Agron Duka, nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PD-së, pasi në Kuvend përfaqëson PAA. Duka ka thënë që është pjesë e opozitës, por ende nuk ka deklaruar nëse partia që ai drejton do të jetë pjesë e vendimeve politike që do të marrë PD në lidhje me Reformën. Po ashtu mbetet të shihet sesi voton Fatmir Mediu, duke pasur parasysh afërsinë e tij historike me amerikanët. Ndërkohë enigma e madhe qëndron brenda grupit demokrat. Mund të supozohet se deputetë si Eduard Selami e ndoshta e Majlinda Bregu, janë më pranë votimit të reformës (variantit zyrtar), sesa mosvotimit të saj. Selami është shprehur shpesh për shmangien e përplasjes me ndërkombëtarët dhe të njëjtën gjë ka bërë në terma të ngjashëm edhe ish-ministrja e integrimit Bregu. Brenda grupit spekulohet se edhe deputetë si Eduard Halimi mund të jenë për një votim pro draftit, por kjo duhet verifikuar. Sjellja e deputetëve demokratë mund të kushtëzohet nga klima që do të krijohet në ditët e ardhshme brenda PD, por edhe nga qëndrimi taktik i saj ditën e votimit. Bojkoti i seancës do e bënte më të vështirë pjesëmarrjen deputetëve që do të donin ta votonin reformën.
Siç vihet re arritja e numrit të artë prej 94 votash në Kuvend për të votuar Reformën në Drejtësi, mbart një sërë të papriturash nga të dyja krahët. Mazhoranca ndodhet përpara një sfide të vështirë për të bërë numrat e duhur, por dhe PD e ka shumë të vështirë që të pengojë arritjen e pragut prej 94 votash për miratimin e Reformës në Drejtësi. Sidomos duke ditur se në momentin e votimit, të gjitha lozhat sipër sallës së Parlamentit do të jenë të mbushura me diplomatë të huaj dhe gazetarë.
(javanews.al) Me. Ar
Votat e pro draftit
PS- 62 mandate
LSI- 20 mandate
PBDNJ- 1 mandat
PDIU- 5 mandate
PDK- 1 mandat
PKDSH- 1 mandat
Votat kundër
PD- 48 mandate
PR- 1 mandat
PAA 1 mandat