Eshtë shndërruar në njeriun e ditës. E nisi që një javë më parë kryeministri Rama që e veçoi ndër antarët e kabinetit të tij bashkë me Tahirin, Beqen dhe Gjiknurin, u bë e tillë të martën e kësaj jave deri pas mesnate kur u miratua ligji dhe duket se do të rikthehet sërish fort në vëmendje në shtator kur në protestat e pritshme të opozitës, emri i saj do të jetë një nga më tës sulmuarit. Bëhet fjalë për Lindita Nikollën, ministren e arsimit. E duartrokitur, por dhe e fyer pafund, e lëvduar, por dhe e urryer, ministrja e arsimit shpjegon dhe njëherë ligjin për arsimin e lartë që premton ndryshimin e status quo-së universitare. Ajo flet për marrëdhënien e tendosur me ish-kryeministrin Berisha, ironizon jetëgjatësinë e tij politike dhe tregon se kërkon të bëjë, së paku si individ, një politikë ndryshe
Nga Lorenc Vangjeli
Nikolla u akuzua nga opozita për klientelizëm, por ajo vetë habiti shumëkënd kur deklaroi se gjatë miratimit të ligjit kishte marrë kërcënime të rënda. Në një intervistë të gjatë për revistën JAVA ajo thotë të vërtetën e saj për ligjin që do të dëshmohet i mirë apo i keq së paku një vit më pas. Atëherë kur ai të hyjë në fuqi, nëse më parë nuk do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.
Sapo ka kaluar në Kuvend dhe është miratuar ligji për Arsimin e Lartë dhe ai prej kohësh është bërë objekt i fortë debati publik. Çfarë ka të ndryshme dhe çfarë synon të bëjë ndryshe nga më parë në këtë pjesë të sistemit arsimor?
Në fakt për t’i kthyer përgjigje kësaj pyetje, do më duheshin orë të tëra diskutimi, por do të mundohem të jem sa më konçize në ligjërimin tim. Ligji që ju përmendni mbart brenda tij reformën më të madh në këto 25 vitet e fundit që synon t’i japë një here e përgjithmonë fund rrënimit të arsimit shqiptar duke e udhëhequr atë drejt standardeve perëndimore të zhvillimit të dijes.
Ligji do të sjell një ndryshim masiv e cilësor për të gjithë studentët e brezave që vijnë dhe nuk është thjesht një përmirësim i ligjit të vjetër, por është një vizion krejt i ri.
Neni 1 i Ligjit të ri për Arsimin e Lartë mishëron besimin tonë se arsimi i lartë është e mirë dhe përgjegjësi publike dhe sfidat që reforma jonë e arsimit të lartë ka marrë përsipër është që të mobilizojë të gjitha burimet e shoqërisë në shërbim të këtij vizioni zhvillues.
Së pari, ne duhet të optimizojmë financat publike, paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë, me arsim të lartë ose jo, të rinj apo të vjetër, persona që mund të përfitojnë ose jo nga universiteti. Asnjë qindarkë nga këto para nuk duhet dhe nuk mund të shkojë dëm!
Këtë, reforma e bën në dy mënyra. Financimi për universitetet publike, pra paratë që shteti i jep universitetit, tani do të jepen në bazë të treguesve të performancës. Kjo do të thotë që universitetet që tërheqin studentët më të mirë, që i përgatisin ata më mirë, që kanë nivel më të lartë punësimi të të diplomuarve, që bëjnë më shumë kërkim shkencor, që marrin pjesë në më shumë projekte ndërkombëtare, do të kenë edhe më shumë mbështetje nga fondet publike.
Kjo do t’i shtyjë universitetet që të kenë më shumë interes, të jenë cilësorë, të kenë staf cilësor, t’i përgatisin më mirë studentët dhe jo thjesht t’i kalojnë. Ky është një mekanizëm i provuar vetërregullues, më efikas se sa kontrolli nga lart, të cilin kemi parë të dështojë.
Mënyra e dytë e optimizimit të financave lidhet me mbështetjen me bursa për studentët. Ky ligj do të sigurojë arsim të lartë më cilësor, mundësi më të mëdha për arsim për studentët në nevojë, nxitje për të rinjtë për të ndjekur studimet në degët prioritare apo në degët e mbrojtura, si dhe zhvillim të cilësisë dhe ekselencës. E thënë qartë dhe prerë; do japim bursa për studentë që vijnë nga familjet e varfra; do japim bursa për studentë që kanë meritën dhe do të preferojnë të vijojnë studimet e larta universitare në degët prioritare të zhvillimit të vendit dhe sigurisht; do japim bursa për stuentët e ekselencës.
Së dyti ligji rrit ndjeshëm autonominë universitare, duke deleguar drejt universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh të rëndësishme mbi numrin e studentëve të pranuar, kriteret e përzgjedhjes, përzgjedhjen e studentëve, tarifat e studimit, numrin e stafeve akademike dhe nivelin e pagave të tyre.
Për të realizuar bashkërendimin e burimeve të shoqërisë na lipset optimizimi i burimeve njerëzore, të së gjithë trupës së Profesoratit dhe të stafeve akademike. Në strukturën ekzistuese të universiteteve këto burime njerëzore shpesh herë nuk kanë qenë efecientë apo janë keqpërdorur e shpesh herë, e ashtuquajtura liri akademike është përqendruar thjesht dhe vetëm në lirinë për të mbajtur një vend pune.
Ligji i ri krijon premisat për lirinë akademike të universitetit, nëpërmjet modernizimit të qeverisjes së brendshme universitare, duke i dhënë autoritet të qartë Senatit Akademik mbi qeverisjen akademike të universiteteve dhe duke e mbështetur punën me një strukturë administrative në shërbim të misionit.
Së treti, reforma synon të mobilizojë të gjitha burimet shoqërore, institucionale në shërbim të arsimit si një e mirë publike. Pra një risi e këtij ligji është se ai mundëson bashkërendimin e institucioneve publike të themeluara dhe të financuara nga shteti me institucionet publike të iniciuara dhe të financuara nga organizata private, të cilat nuk kanë qëllim fitimi. Krijojmë kështu mundësinë dhe vetëm mundësinë që nëpërmjet institucionit të arsimit të lartë publik të pavarur të ofrojmë më shumë shërbim publik, por edhe liri më të madhe, ashtu siç operojnë sot universitetet më prestigjieze të botës.
Ligji për AL, ndan qartësisht dhe ridimensionojmë tri rolet e shtetit në arsimin e lartë. Rolin rregullator, si vendosës i standardeve dhe rregullave të funksionimit, por edhe si garantues i funksionimit të sistemit dhe të cilësisë, rolin e financuesit të sistemit të arsimit të lartë, duke financuar institucionet e ofruesve të shërbimit, por dhe duke mbështetur përfituesit, rolin e ofruesit të drejtpërdrejte të shërbimit nëpërmjet institucioneve të arsimit të lartë publik.
Pse kaq kundërshti, pse kaq shumë armiqësi për hartimin e këtij ligji? Cilat janë interesat që ju gjykoni se preken?
Kundërshtia është pjesë e debatit konstruktiv, diku me racionalitet por ndoshta diku dhe e tejet ekzagjeruar e pse jo dhe me dashakeqësi. Ndoshta sepse disa individë shtyhen nga inercia e refraktarizmit duke e patur të vështirë ndryshimin e status quo-së dhe privilegjeve të mëparshme ku jo detyrimisht liria shoqërohej me përgjegjësi dhe llogaridhënie, diku hatërmbetje e sigurisht nevoja për të kundërshtuar kuturu thjesht për kredo politike. Në fakt jam ndjer e zhgënjyer nga deputetë të opozitës por dhe disa grupe të interesit të cilët jo vetëm nuk kishin lexuar ligjin, por të paktën as relacionin shoqërues përpara se të kundërshtonin në mënyrë të nxituar dhe me argumenta banalë. Në cdo aktivitet publik, mbledhje pune, event formal apo informal të komisionit gjatë gjithë këtyre 18 muajve jam kujdesur personalisht që të gjithë anëtarët e komisionit paralmentar përgjegjës për arsimin të ftohen për të qenë prezent. Heshtjen prej një viti e gjysmë, mosdhënien e një alternative tjetër, braktisjen e çdo ftese nga Komisioni për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor për të debatuar, e kam lexuar, por jo vetëm unë, si një lloj miratimi në heshtje. Dhjetë ditë përpara miratimit të këtij ligji, në respektin maksimal të përfaqësimit të opozitës, të bindjeve të saj, nuk mund të kuptoj se cila është shtysa e vërtetë që i bëri shumë prej tyre të ndanin vijën logjike të argumentit dhe vlerësimit të tyre real për ligjin me qëndrimet ndryshe që përcollën përpara mediave.
E vërteta është se u arrit të vendosej një standard i ri komunikimi, një kulturë e re debati, një proces i model konsultimesh e gjithëpërfshirjeje, pasi ky ligj vjen si një produkt i një diskutimi gjerësisht në qarqet akademike të vendit dhe grupet e interesuara, si dhe është konsultuar me ekspertë evropianë të arsimit të lartë, duke patur mbështetjen dhe referenca pozitive që nga akademik të kaibrit botëror deri tek drejtuesit më të lartë të arsimit në Komisionin Evropian e madje dhe të përshëndetjes në formën e deklaratës për shtyp të Ambasadës të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. Nuk di se në cilin ligj për arsimin janë realizuar mbi 30-të forume publike e pjesëmarrje në debate të mbi 2000 pedagogëve, ballafaqime të drejtpërdrejta me titullarët e institucioneve të arsimit të lartë duke marrë në shqyrtim e debatuar çdo vërejtje e sugjerim, dhjetëra debate e qindra shkrime gjatë një viti e gjysmë, maratonë debatesh deri në orët e para të mëngjesit, nen për nen, si në Komisionin e Ligjeve ashtu edhe në atë të Edukimit dhe Medias.
Ju në veçanti dhe gjithë qeveria në përgjithësi, jeni akuzuar për klientelizëm për hartimin e këtij ligji, por nuk u tha ndonjëherë se cilët qëndronin në hije pas tij, përveç idesë së shprehur se mund të jetë lobim i fortë i një universiteti privat në Tiranë. A mund të thoni, në të kundërt, se cilët janë në “dritë”, domethënë, cilët janë ekspertët që kanë hartuar atë?
Hartuesit e këtij ligji nuk janë as oligarkë, as eminenca gri, e as anëtarë të ndonjë llozhe imagjinare interesash klienteliste, produkt i lajthitjeve të disa mendjeve të frymëzuara nga romane konspirativë. Ata janë anëtarë të një komisioni të pavarur akademikësh të ngritur me urdhër të Kryeministrit, për të hartuar në mënyrë të pavarur dokumentin strategjik që është bibla e këtij ligji reformator. Janë emra personalitetesh me integritet profesional e akademik, të cilët janë bërë publik që në fillim të këtij procesi. Ata janë profesorë të nderuar si, Arjan Gjonca, Besnik Aliaj, Myftar Barbullushi, Dhurata Bozo, Aleksandër Xhuvani, Ervin Demo, Adrian Civici, Edmond Hajdëri, Anila Paparisto, Artan Hoxha dhe Elida Rapti. Të gjithë profesionistë që jetojnë me universitetin çdo ditë, nga njerëz që nuk i tremb konkurrenca e ndershme akademike, as dijet e studiuesve të rinj, nga njerëz që zhvillojnë e marrin përgjegjësi, nga zonja dhe zotërinj të botës akademike që nuk e shikojnë ligjin si rrezikim të pozitave dhe autoritetit të tyre. Këta pedagogë e profesorë, që fatmirësisht nuk i mungojnë vendit, janë garancia e suksesit të këtij ligji që ka në qendër studentin dhe pedagogun, e jo klientelizmin, korrupsionin e mediokritetin.
Keni pretenduar edhe se keni marrë kërcënime në funksion të detyrës suaj. Keni dijeni se nga kush vijnë ato, keni bërë denoncim në polici?
Nuk do të preferoja të komentoja këto shqetësime me publikun. Nuk e bëra as në ato ditë tejet të vështira. Nuk do ta bëjë as sot. Sigurisht kam njoftuar organet e rendit.
“Reforma në arsim kaloi me votat e të padiplomuarve, injorantëve dhe të korruptuarve…”, kjo ishte akuza e kreut të opozitës Lulzim Basha; cili do të ishte komenti juaj për një gjë të tillë?
Ligji për Arsimin e Lartë u miratua pas një procesi model konsultimi dhe politikëbërje. Do të mbahet mend si reforma e parë që bëhet nga një grup profesorësh të lidhur ngushtë me dijen. Ndërsa në parlament, ky ligj mori votat e 78 përfaqësuesve të popullit shqiptar të mandatuar nga 1 milion votues, pas një diskutimi të hollësishëm në komisionet parlamentare.
Krijoi shumë kuriozitet biseda juaj me zotin Berisha në Kuvend ditën e miratimit të ligjit. Ju vetë nuk e keni komentuar një gjë të tillë duke preferuar që biseda të jetë konfidenciale. Megjithatë, mund të shtoni diçka më shumë?
Preferoj të mos komentoj atë bisedë. Keto dite kam degjuar që ka shumë kërshëri e çudi. Në fakt përshtypje nuk duhet të na bëjë komunikimi, por mungesa e tij në sallën e parlamentit. Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët tanë. Une jam ithtare e ndjekjes së një kulture të re komunikimi publik e politik, kushdo qoftë krahu tjetër.
Kur bëhet fjalë për interesat e të ardhmes së të rinjve shqiptar, aty nuk bëhet kompromise.
Edhe herë të tjera ju keni pasur një marrëdhënie të tendosur me ish-kryeministrin Berisha, çfarë mendoni për të si njeriu që ka zotëruar skenën e politikës për këta 25 vjet pluralizëm?
Zoti Berisha është ish lideri i opozitës, ish-president e ish-kryeministër i vendit, tanimë një deputet i parlamentit shqiptar. Unë u bëra nënë kur zoti Berisha nisi rrugëtimin si politikan. E tani ime bijë 25 vjeçe ndjek ende nga ekrani debatet e tij, po me të njëjtën ton e gjuhë. Personazhe kaq komplekse i gjykon më mirë historia, por për mua mbi të do të rëndojnë gjithmonë 1997-ta, ngjarja e Gërdecit dhe vrasjet në 21 Janar.
Pak retrospektivë: një nga aksionet e para të qeverisë ishte “mbyllja” e një sërë universitetesh, të cilat kryeministri Rama, dje në opozitë e sot në qeverisje, i quante kioska. Çfarë ka ndodhur me to në këtë vit pasardhës?
Vetëm një inspektim i plotë i kritereve të ligjshmërisë që ne realizuam në institucionet e arsimit të lartë dhe ranë përtokë 18-të institucione piramidë të arsimit të lartë privat, një publik dhe dy filiale publike. Bëmë publik raportin për këto institucione private, pa thënë se ishin të gjitha institucione të licencuara nga ministrat e qeverisë së mëparshme. Morëm përgjegjësitë e sistemimit të studentëve edhe pse ligji nuk na i ngarkonte, duke dhënë me vepra shembullin se besojmë tek misioni i arsimit të lartë, si e mirë dhe përgjegjësi publike.
Fatkeqësisht edhe 15-të institucionet e arsimit të lartë publik i gjetëm në shkelje të ligjit, sigurisht jo në nivelin e shkeljeve të piramidave që u mbyllën, por nëse i referohem 37 kritereve ligjore, kriteret e shkelura tek 15-të institucionet e arsimit të lartë publik në vend variojnë nga 3 deri në 22. Edhe këtu ndoshta ishte nevoja për t’i etiketuar rektorët, dekanët e pedagogët e ca më shumë ata që kishin kundërshti ndaj ligjit, por sigurisht nuk ishte ky qëllimi ynë.
Sot që flasim, asnjë prej 18 institucionet e arsimit të lartë të mbyllura nuk operon në tregun shqiptar. Ato janë mbyllur njëherë e përgjithmonë. Kush thotë të kundërtën, gënjen. Ndërkohë, agjencia britanike e akreditimit QAA, anëtare e ENQAs (Agjencia Europiane e Sigurimit të Cilësisë) ka filluar punën për të verifikuar kriteret e cilësisë të të gjithë IAL-ve publike dhe private në vend, dhe pritet të dal me një raport për sa i përket cilësisë së tyre. Sapo ky raport të jetë gati, universiteteve do t’u përcillen të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e nevojshme, të cilat do të ndihmojnë në arritjen e aspirateve të tyre për t’u shndërruar në konkurrent të denjë për tregun europian të standardeve të dijes ku ne jemi të vendosur të udhëheqim sistemin arsimor shqiptar.
Do të ketë ndryshime në këtë vit të ri shkollor për gjimnazistët që kërkojnë të hyjnë në universitet?
Jo, pasi ky ligj hyn në fuqi në vitin akademik 2016-2017. Kjo pasi ne mendojmë se universitetet kanë nevojë për një periudh tranzicioni e cila do të ndihmojë në përshtatjen dhe familjarizimin e tyre me ndryshimet dhe risitë që sjell ky ligj, por në të njëjtën kohë edhe për maturantët e këtij viti do të ishte e pandershme që procedurat dhe rregullat e lojës të ndryshoheshin në fund të mbylljes së procesit të tyre mësimor. Nga ana tjetër, dhe për Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë shqiptare do të duhej një periudh e shkurtër kohore e cila do të përdoret në funksion të përgatitjes të të gjitha akteve nënligjore që do të shoqërojnë zbatimin e këtij ligji. Gjithashtu, më lejoni t’ju bëjë me dije të gjithë studentëve dhe familjeve të tyre, përkundër gjithë paragjykimit të ngritur, se nuk do të ketë asnjë rritje të tarifave të studimit për studentët. Ato mbeten të njëjta me ato të një viti më parë.
Paraardhësi juaj është denoncuar në prokurori. Cilat është kritika juaj kryesore për të djeshmen dhe çfarë mendoni se është detaji kryesor për të ndryshuar deri në fund të mandatit të qeverisjes së majtë?
Fokusi i tyre ishte tek sasia, dhe për këtë bënë kompromis me cdo gjë. Rrënuan cilësinë, shkelën standartet ligjore, anashkaluan kriteret e akreditmit, shpërfillën procedurat e administrative. Në këtë katrahurë, morën në qafë thuajse një brez të tërë studentësh, njerëz të vërtetë. Të rrënosh jetë njerzish me dijeni të plotë, për mua është e pafalshme. Për mandatin tonë mund të thuhen shumë gjëra. Jo gjithmonë ja kemi dalë të jemi në lartësinë e aspiratave tona dhe atyre të publikut. Por unë jam e bindur thellësisht që sot I gjithë sistemin e dhe vecanrisht sistemi arsimor është në drejtimin e duhur. Misioni ynë është ti mbajmë sytë tek qëllimi, përmirësimi I jetës së të rinjve shqiptarë, dhe nëse e bëjmë këtë qytetarët do na vlersojnë për sa kemi mundur të bëjmë.