Limos Dizdari është një emër i njohur jo vetëm si artist, por dhe politikan, pasi për shumë vite ka qenë i përfshirë në politikë.
Prej vitesh ai është tërhequr nga jeta publike, si rrallëkush në Shqipëri, që nuk shkulet nga pushteti, dhe jeton në Ksamil.
Sot ai ka dhënë një intervistë për gazetën Dita, ku rrëfen disa prapaskena për afrimin dhe më pas largimin nga LSI.
Zoti Dizdari, ju jeni një ndër figurat shumë të rëndësishme të themelimit të LSI-së. Pas kaq vitesh, si e shikoni agresivitetin e sotëm të LSI-së dhe “ortakërinë” e saj me PD-në në këtë prag protestash?
Kjo pyetje më është bërë shumë herë dhe në shumicën e rasteve kam bërë sikur jam përgjigjur.
Dhe ju keni thënë të vërtetën?
Jo gjithmonë kam thënë të vërtetën. Ajo është e komplikuar, është e vështirë dhe frikshme ta artikulosh. Kërkon një analizë të hollësishme të atmosferës politike në Shqipëri dhe mendimit që ekziston mes partive, aq shumë të shtuara.
Më 2004, kur u themelua LSI-ja, “kuajt” që përcaktonin kufijtë e pronave, pothuajse e kishin kryer punën e tyre. Dhe ashtu të lodhur, ata kullosnin jonxhë të njomë mbi tapitë e vjetra.
“Tabela e Mendelejevit”, e mbushur me bejlerët e rinj, me valencë dhe “vlerë” të lartë, ishte plotësuar dhe e mbingopur për nga vlerat. Ajo çfarë ishte kryer, duhej çimentuar.
Si ju shfaqej mozaiku i partive politike, që në përfytyrimin tuaj, mund të ishte, pse jo, edhe një polifoni?
Po ta vëzhgoje me pak vemendje, binte lehtësisht në sy zhgënjimi, deri në kufijtë e qesharakes, dëshpërimi i njerëzve. Kjo, për shumë arsye dhe ndër më të hidhurat, sasia në pafundësi e partive që gëlonin në jetën sociale e politike të vendit. Ato kishin marrë trajta fushateske dhe funksiononin si forma organizimi njësoj si në këngët e dobëta polifonike, në kuptimin që njera nga ato ia merrte, një e dytë që ia kthente dhe një e tretë, PSD e Skënder Gjinushit, që ia hidhte. Dy të parat bënin vazhdimisht rokadë, duke këmbyer pushtetin te njëra-tjetra.
Partia Social-Demokrate, e drejtuar nga një mendje shkencore e ndritur, e kish të pamu-ndur të bënte kompromis me të ligën, me të pistën dhe veçanërisht me antikombëtaren. Ndonëse mbeti një parti e vogël, periferike, pa siguruar kurrë vlerën e saj reale, që meritonte në organizimin e vërtetë e social të Shqipërisë. Nëse ajo po tkurrej çdo ditë, do të thotë se diçka mungonte…Me duket, disiplina e shkencave të sakta, është e vështirë të respektohet.
Ajo mundi të arrijë vetëm një koalicion gjithmonë të heshtur kundra saj, gjersa sot ky zë i mbytur, është bërë i plotë e mohues. Merita për këtë i takon vetëm Gjinushit. Ishte më i mençur se sa duhej. Rrembat e të shkuarës nuk duhej t’i prishnin. Një mendje e mençur më shumë të prish punë, se sa të ndihmon. Ai gjithmonë gjen rrugë të shkurtëra per të të bindur, për të të ndihmuar të marrësh vendime dhe argumenta per të mbajtur premtimet.
Si erdhi tek ju propozimi për të qenë në LSI?
Tamam në këtë atmosferë bie zilja e telefonit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Dhe paradhoma e zëvendëskryeministrit Meta më njoftonte se ai ishte nisur për të arritur tek unë. Hyri në oborrin e Lidhjes me një shpurë të madhe burrash hijerëndë, të veshur me kostume të zinj autoritarë e të sertë, ndërsa ai vete u ngjit në zyrën time. Në Lidhje u ndje “lëkundje” e madhe. Artistët, të pamësuar me vizitorë të këtyre niveleve, ngelën të trembur si zogj të pullazeve. Iliri hyri tek unë me një buzëqeshje të ëmbël, e cila e shoqëroi gjatë gjithë kohës që qëndroi aty. Më dha një letër me pesë faqe, ku më propozonte si të parit, të bëhesha pjesë për krijimin e një partie të re. U habita, mbeta si pikëçuditëse. Ne të dy ishim anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste, me Kryetar Fatosin, një burrë i qeshur e me humor, një njeri i hapur, pa barriera kompleksi, njeri i kënduar e me asimilim të lartë, një kryetar partie apo kryeministër me aftësi të mëdha.
Por, siç duket, edhe me huqe të vonuara apo të mbetura pezull nga një adoleshencë apo rini e mirëkontrolluar nga edukuesit e tij. Të punoje me të, sidoqoftë, ishte kënaqësi. Ishte me rendiment në punë. Kjo gjë e kënaqte, por përtonte për ta vazhduar më tutje atë. Nuk di as unë ta shpjegoj pse u largova prej tij. Sidoqoftë, gjithnjë në mënyrë të mjegullt, kam menduar se ka qenë i angazhuar. Çdo vit që kalon më bind se në llojin e tij ka qenë si një tip “luledielli”, për farat e së cilës nuk pyeti kurrë se ku shkuan. Më duhet të pranoj si të vërtetë, si natyrë, si karakter, si koncept apo si qëndrim në detyrë, unë nuk kam qenë as si nxënës, as si qytetar, them as si drejtues, një i tillë verbërisht i bindur, apo, siç quhet “yesman”, nëse nuk isha tërësisht i bindur si mendim e më vonë si ndërgjegje individuale apo shoqërore.
Vazhdimisht keni bërë presion për të treguar për dy qëndrime, që i quani të mençura. Cilat janë ato?
Dëshiroj t’i them edhe për lexuesin ato dy qëndrime vërtet të mençura, për të vërtetuar diçka nga kjo që isha duke thënë.
E para: – Duke pirë një kafe në Klubin e Shkrimtarëve me Kol Jakovën, erdhi një gazetare fare e re dhe e pyeti: – Ç’është gazeta e pavarur? Dhe Kola i përgjigjet: – Ajo që nuk është varur akoma.
E dyta: Filip Çakuli, me shumë humor e mençuri, rrëfente:
Shkova në një ambasadë dhe kërkova 2-3 viza per disa miq të mi. Këshilltari, me të qeshur dhe prerë, më thotë: Nuk mund të të jap viza.
I them këshilltarit: Do të të jap lajme interesante nga Parlamenti.
Dhe ai më thotë me të qeshur: – Para teje ishin 4 deputetë këtu tek unë, Filip.
Le t’i kthehemi letrës së Ilirit për ju…
Letra që vuri para meje Iliri, fliste dhe arsyetonte se sa e domosdoshme po bëhej nevoja për t’u shkëputur nga PS e për të krijuar një parti të re – A nuk janë të mjafta këto të 70-a që kemi, – I thashë-po të shtojmë edhe një tjetër?
– Me Nanon nuk vazhdohet… megjithatë, në kryesi vetëm ti kritikon. Unë flas në mbledhjet e Qeverisë.
– Domethënë, unë bëj sherret, ti zihesh për koshat e fiqve- i thashë dhe bërtita.
Nuk doja të largohesha nga PS. Ftesa e Ilirit nuk më entuziazmoi, por m’u duk vetja i vetmuar e pa mbrojtje. Të nesërmen u gjenda i ftuar tek “Sheraton”-i nga Iliri e Dritani, në një drekë nga ato që kish qejf Iliri. Më vonë erdhi edhe Spartak Braho. U ndjeva rehat me ardhjen e tij. Me të kemi një marrëdhënie sinqeriteti të vjetër. Spartaku është burrë zakoni e me tradita. Nuk fjalos shumë, por i ka vlerë fjala dhe është vazhdimisht i kthjellët.
Folëm vetëm për partinë. Këmbëngulja e tyre për të bërë pjesë, më llastoi ca. M’u duk vetja siç duhet të jetë ndjerë edhe Sejfullai, kur u kthye nga Moska si ish-anëtar i Kominternit e iu bashkua lëvizjes komuniste në Shqipëri, për ta ngrysur jetën si përkthyes i veprave të klasikëve komunistë – Leninit, Enverit, Stalinit.
Unë pyeta pak. Më thanë se po punojmë për një lloj programi.
Pyeta se si ishim me fondet… Dritani më garantoi: -Mos e çaj kokën. Sa do? 1, 2, 3, 5 apo 7 milionë euro? Më shumë s’kemi!
Me mendje përtypa… Ky qenkërka thesi.
Pyeta përsëri Ilirin: – Sa do ta caktosh kuotizacionin për çdo anëtar partie?
Me një buzëqeshje në tërë qenien e tij, më tha: – Çfarë rëndësie ka kjo? Ti vetë nuk ke ndonjë mendim?
I propozova që çdo deputet të paguajë 50 mijë lekë, çdo zëvendësministër apo drejtor ndërmarrjeje nacionale 30 mijë lekë, çdo nëpunës 15 mijë lekë dhe çdo anëtar i thjeshtë nga 2 deri në 3 mijë lekë.
-Po pse kaq shumë?
Në fakt, fola kot dhe po kot, fillova të argumentoj: – Secili që vjen në këtë parti, të ndjehet i vlerësuar si në një teatër, ta blejë vendin tek i cili kërkon të ulet, të mos kenë mundësi të tallet me anëtarët e saj e të mos kemi të drejtë t’i blejmë ata e më pas t’i keqpërdorim.
A u pranua propozimi juaj, apo vetëm u provua?
Sigurisht që propozimi im i improvizuar, nuk u pranua. Por jo se nuk u provua: në ca zgjedhje që u bënë, u tentua të hiqej nga sekretar për Tiranën, të mos ishte Dritani. Pashë me sytë e mi se si nisi të turfullonte Dritani. Dhe u qetësua kur i thanë se do të mbetej në atë post.
Mendoj se diçka e tillë do të ketë ngjarë dhe kur mendoi dhe filloi të xhirohej me kamera të fshehtë.
– Ka harxhuar shumë- më thoshte, sa shumë nga ajo parti: “Gjynah apo jo…allah, allah thashë. Gjynah, por ka patur, mendova.
Sidoqoftë, pranova të punoja për strukturimin e kësaj partie të re. Më kërkuan t’i bashkangjitesha një grupimi të madh, që do të shkonte në Skrapar. Një mendim si prej një djali vendi.
U realizua mitingu i Skraparit dhe çfarë kujton nga ai takim?
Një shpurë shumë e madhe, u nisëm për mitingun në Skrapar. Gjatë gjithë rrugës, në makinën e tij Iliri u kujdes të më thoshte se në çfarë pika duhej të përqendroja fjalën time në Çorovodë, që do të ishte edhe fjala hyrëse në atë takim shumë popullor.
Fola, thashë gjëra të vërteta. Kisha shumë emocion. Në zërin tim kishte një shqetësim, që vërehej lehtësisht. Siç duket, ai vinte si jehonë e luftës, duke pyetur subkoshiencën time, nëse vallë më dëgjonte babai i vrarë në Therepel. Ai nuk ka as varr, ku është?? Po vrasësi i tij, më dëgjon, sa fjalë të vyera thosha?! U prita mirë. Populli është gjithmonë i mirë e i çmuar. Prita të më duartrokiste, kur thashë dhe fola aq shumë fjalë të mira për Ilirin. Në kafen e rastit pas mitingut nuk kishte as kuadro të vendit, as njerëz të luftës e as entuziazëm. Populli ka aftësinë të të lexojë mirë.
Një plak pa dhëmbë e i parruar diçka mërmëriti në gojën e tij të tultë e të lagësht. E falënderova, edhe pse nuk e kisha marrë vesh çfarë tha.
Në kthim ndaluam në Bogovë, ku partiaku më uroi për fjalimin.
Ishte një fjalim programatik. Mendova që vajzat e mia do të kenë arësye të mburren me këtë fjalim të babait.
Sa më shumë largohesha nga Skrapari, aq më shumë bëheshin lëmsh mendimet e gjuhën e kisha të hidhur. E kam kaluar shumë herë nëpër mend fjalën time në Çorovodë. Isha si një regjisor i keq, që kërkoja, përmes përdorimit të situatave, të bëja personazhet më të gjatë, më të bukur e më të mençur se ç’ishin në të vërtetë. E kujtoj shpesh atë fjalim. Si mundësi reale për t’i prishur humorin vetes.
Ishte një intuitë pararendëse si kohë.
Kam përshtypjen se ndoshta kjo ndodh edhe me Edi Ramën dhe me Ben Blushin. Siç duket, me të gjithë tipat artistikë.
A ka vend për paralelizma? Çfarë kujtoni nga “puçi” për të qenë ju Kryetar i Konventës së LSI?
Ka ndodhur dhe me Dhimitër Anagnostin, Teodor Laçon, Kiço Blushin apo Robert Ndrenikën. Bën përjashtim vetëm Dritëro Agolli. Siç duket, në këtë grup ishte më pak i larguari nga psikologjia e fshatit, që ka afër dhe pohimin dhe motivin, tipar shumë tipik, për politikanët e sotëm.
Ne e kemi parë të organizuar pas krijimit të partisë, në zgjedhjen kryetar i Konventës së LSI. Në mendje kisha e shpresoj të mos ngjaja me fatin e drejtuesve kryesorë të Konventës Ko-mbëtare të Parisit 1871. Shpresoja të bënin punë të mira.
Unë nuk kisha “uri”, as ambicie, isha i tëri me ëndrra, e doja vendin tim, të bëhej më i pasur, me ujëra e diell, më i miri ndër ata që na rrethojnë.
Në mbledhjen e tretë të Konventës Kombëtare shpërtheu një “breshër vrastar” në sallën ku zhvillohej ai takim. Fliste një anëtar i kësaj Konvente, një ish-atashe ushtarak për shumë vite të tëra në një nga shtetet e rëndësishme të NATO-s.
Fliste me shumë etikë, me qetësi të brengosur me fakte dhe shembuj tronditës. Salla mbeti e habitur dhe fytyrat e tyre si të murosura. M’u kërkua të ndërhyja. Nuk hyra dhe nuk e pezullova folësin. Por mbas tij thashë “pushim”.
Mbas pushimit mbledhja vazhdoi e squllët dhe u mbyll shpejt.
2-3 javë më vonë shkova në Itali, me shërbim nga Lidhja e Shkrimtarëve.
Kur erdha, gjeta të caktuar në postin e kryetarit të Konventës Viktor Tushën.
U ndjeva mirë, por nuk m’u dha mundësia t’i uroja Viktorit “punë të mbarë”.
Paskam patur të drejtë, i thashë Dritanit, kur kërkova që anëtarët e LSI të paguanin kuota të larta anëtarësie. Unë nuk kisha paguar asgjë.
Vazhdova si anëtar i Konventës dhe për ca kohë, për të përfunduar si fiku i thatë. Siç thotë populli, fikun e mirë e ha breshka (ai bie në ferra, atje vetëm breshka shkon).
Jeta rridhte qetë, politika bënte zhurmë dhe njerëzit e saj direkt bënin zullume nga më monstruozet. Pa rënë në sy, u largova dhe nuk u çudit kush, nuk shkroi njeri, fillova jetën e një-trajtshme.
Pas kësaj, si ishin kontaktet me Ilir Metën?
Me Ilirin takoheshim pas punëve të përditshme. Gjithmonë më është dukur një njeri vërtet pa background, por me iniciativë të veçantë, një kuadër ekzekutiv me aftësi vendimmarrëse shumë të veçantë dhe i sigurt në realizimin e atyre vendimeve.
I ngjan Enverit për nga aftësia. Vërtet nuk ka bërë hidrocentrale, shkolla e spitale, as Re-zervat e Skraparit të mbushura me flori e me tërë ato kursime, gjer tek qumështi i dallëndyshes, të gjitha këto, për të siguruar vendin në kohë lufte.
Dhe ashtu ndodhi. Por vërtet ka një stof shumë të mirë prej udhëheqësi.
Ajo çfarë gjendet sot nën kostumin e Presidentit, më duket si një diçka që funskionon si një pakt mes qetësisë së jashtme dhe pasigurisë për atë që mund të ngjajë nesër.
Ilirin, do të doja ta shihja më me dritë.
Mendoni që ikja nga LSI ishte lëvizja e duhur?
Ca muaj më vonë mora vesh se edhe Sabiti ishte larguar nga partia. E pyeta: – Po ti, ç’pate, pse ike? Me buzëqeshje m’u përgjigj: – Pse, ti të jesh më i mençur se unë?!
Pastaj mora vesh se vreshti i “budallenjve” u shtua edhe me Pëllumb Xhufin, Fatos Klosin, Ndre Legisin e të tjerë. U bëmë shumë, por vendet nuk mbeteshin bosh. Ndryshim përbën sa i gatshëm je, të përdoresh apo të kundërshtosh.
Do të doja të flisnim pak edhe për Monikën. Si e përjetove gjestin e saj, me çizme drejt Ramës?
Më provokoi të qeshur dhe keqardhje. M’u duk një kopjace, pa të veçantë. Duke ardhur nga i njëjti krevat ëndërrues bashkëshortor, ajo u përpoq të imitonte Ilirin, kur iu hakërrye Jozefinës, që dhe ai më shtyu të mbaja një buzëqeshje në fytyrë. Ai sikur e dinte që nuk do ta linin kurrsesi, të mbërrinte deri te Kryetarja Ata që paguheshin, mund të humbisnin punën.
Cili është vlerësimi që keni për “martesën” më të fundit: PD-LSI?
I njëjti vlerësim me atë të Dashamir Shehit, i cili flet gjithnjë thjesht e qartë. Ai kërkon vazhdimisht ta bindë politikën, por kurrë nuk pranon t’i nënshtrohet asaj.