Qeveria ka hapur sërish procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, duke u dhënë qytetarëve mundësinë që deri në fund të vitit të përditësojnë vlerën e pronës së tyre me një taksë preferenciale.
Por a do të sjellë ky ligj një ulje të shumëpritur të çmimeve në tregun imobiliar?
Për të folur më tepër rreth kësaj teme, e ftuar në emisionin “Alert”, ishte Anisa Musta, konsultente imobiliare.
“Patjetër mendoj që është rregullator për tregun dhe do ketë një farë ndikimi, sidomos për pronat, pallatet ekzistuese që i themi ne, pra pallatet shumë të vjetra, që do t’i çojë drejt asaj vlerës reale që ato kanë, po nuk duhet të harrojmë diçka.
Së pari, vetë çmimi i referencës zyrtar që neve kemi, me të cilin i trajtojmë pronat sot, të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë, ne e dimë shumë mirë që nuk është çmimi real i i atyre pronave.
Pra, ai çmim me të cilin pronat shitet, nuk është, çmimi ligjor nuk është çmimi real që neve i shesim, i transaksioneve që realizohen.
Kështu që, për ata që presin, nuk e di, ulje çmimesh apo ndonjë ndryshim kolosal në tregun e pasurive të paluajtshme nga ky ligj, unë besoj që nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh.
Me fjalë të thjeshta, unë mendoj që thjesht kemi disa pronarë që do shesin këtë vit pronat edhe në qoftë se më përpara kanë paguar 15,000 euro, 20,000 euro, do paguajnë më pak.
Por nuk është se do ketë ndonjë ndikim shumë të madh te pjesa e uljes së çmimeve, sepse nuk mund të presim që një diferencë aq e vogël, pra në qoftë se pronari do negociojë pak në çmimin e pronës që do ta shesë sepse po paguan një taksë më të ulët, kjo nuk ndikon në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme.
Mund të ndikojë deri diku te pronat që janë mbi 20 vite, ato të vjetra, po te pronat e reja që janë edhe shumica e transaksioneve që ne bëjmë çdo ditë në treg, nuk besoj se do ketë ndonjë ndikim të madh.
Ajo që unë mendoj që do kishte një ndikim edhe do ta ndryshonte tregun, do të ndihmonte atë që është më e rëndësishme, familjet shqiptare që ta kenë më të lehtë që të blejnë një pronë, do të ishte të punohet me çmimin e referencave.
Të rritet çmimi i referencës, të shkojë në vlerën që realisht tregu ka sot dhe me të cilën ne shesim sot, që në këtë mënyrë të ndihmojmë pjesën e kreditimit.
Pra ajo është ajo që unë mendoj që do të ndikonte më tepër në në treg sesa kjo.
Kjo është thjesht një lehtësi le të themi, për këtë periudhë deri në dhjetor, që nuk është periudhë shumë shumë e gjatë se 10 muaj janë, për ata që shesin prona gjatë kësaj periudhe ose ata që do mendojnë ta shesin pronën një ditë.
Është vullnetare, por nga sa kam parë unë në treg ose me transaksionet që unë punoj çdo ditë, këtë po e përfitojnë vetëm ata që thjesht kanë vendosur të shesin pronën e tyre gjatë këtij viti, do paguajnë 10% më pak.
Nuk është se do ketë ndonjë ndikim shumë të madh, sidomos te pjesa e çmimeve dhe asaj të shumëpriturës uljes së çmimeve”, u shpreh Musta.











