Nga Altin Ketro/
Në kuadër të protestave të studentëve, të cilët kanë paraqitur një sërë kërkesash, kryesisht të karakterit ekonomik e social ndaj qeverisë, nën këtë vorbull së fundmi edhe një grup pedagogësh të universiteteve publike kanë firmosur një peticion ku i kërkojnë Kuvendit abrogimin e ligjit të Arsimit të Lartë.
M’u duk e pavend që një trupë elitare, siç janë pedagogët, e trajtojnë këtë ligj në tërësinë e tij si një të keqe pa asgjë pozitive duke mos kërkuar së paku amendime pjesore aty ku ata konstatojnë se ka problematika, por shkojnë në ekstrem duke kërkuar shfuqizimin e plotë të tij.
Ligji i Arsimit është një ligj i ri dhe ka ende nevojë për kolaudim. Si e tillë, kjo situatë më ngjan me një situatë të ngjashme kur u bë përzgjedhja e maturantëve për universitet sipas meritës nëpërmjet sistemit elektronik. Duke qenë një model i ri dhe i paprovuar më parë, ai solli një përshtjellim dhe ankth tek gjimnazistët nga frika se po humbnin të drejtën për të studiuar në nivelet e larta universitare. Mbaj mend se u krijua edhe një situatë e ndezur politike me akuza të rënda nga opozita. Por, vetëm pas një viti, gjimnazistët pasardhës nuk patën asnjë problem dhe sekush mori atë që i takonte sipas meritave që kish pasur gjatë viteve të gjimnazit. Për çudi askush nuk u ndje më, bile as opozita.
E njëjta gjë po ndodh edhe tani, po tashmë jo me atë që ka të bëjë me përzgjedhjen e maturantëve, por me rolet menaxheriale të universiteteve. Çdo ditë e më tepër dëgjojmë akuza për menaxhim të dobët nga rektorët, dekanët, senatet, administratorët, bordet, etj. Çdokush përpiqet t’ia hedhë fajin tjetrit.
Me ç’pashë në ligj, aty ishin përcaktuar qartë detyrat dhe përgjegjësitë e gjithsecilit. Bile në nenin 33, çdo universiteti i njihej e drejta për të pasur Statutin e vet (d.m.th. kushtetutën) tek i cili theksohej se “në statut përcaktohen hollësisht: organizimi, strukturat përbërëse të tij, veprimtaritë e autoriteteve dhe organeve drejtuese, zgjedhja apo emërimi i tyre, nivelet e delegimit të kompetencave nga autoritetet drejtuese dhe administrative, periudhat e kryerjes së vlerësimit të brendshëm të strukturave ose programeve të studimit, detyrat dhe të drejtat e personelit akademik, ndihmës akademik, administrativ dhe të studentëve, si dhe çështje të tjera që rregullojnë veprimtarinë e institucionit.”
Po në ligj, në nenin 37 të tij ndër të tjera theksohet se “Senati është organi kolegjial më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, përgjegjës për përmbushjen e misionit të tij” dhe vijohet më tej me nenin 38 ku ndër pikat e tjera të detyrave që ka Senati Akademik janë edhe “garantimi i autonomisë së institucionit të arsimit të lartë, liritë akademike, si dhe të drejtat e studentëve.”
Ligji u garanton të drejta studentëve, pikërisht ato të drejta që studentët po i kërkojnë edhe tek disa prej 8 pikave të famshme siç është e drejta për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse si dhe shprehja e vlerësimit prej tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit.
Natyrisht, ligji ka 143 nene dhe unë s’kam ndërmend që t’i sjell ato një për një këtu, por në tërësinë e vet ky ligj m’u duk shumë bashkëkohor.
Ajo që sjell problematika në këtë ligj dhe që po duket se po ngrihet edhe nga të tjerët është se ai nuk po zbatohet ashtu siç duhet pikërisht nga personat që duhet ta zbatojnë atë: Senat Akademik, Rektor, Dekan, Administrator, Bord i Administrimit. Është e qartë se midis tyre nuk ka një harmonizim të punës. Dhe kjo nuk vjen asfare nga baza ligjore, por nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë së cilit prej tyre sipas përcaktimeve që jep ligji.
Sepse është shumë e thjesht ta godasësh ligjin, por edhe ligji më përfekt bëhet vetvetiu i keq nëse njerëzit që duhet ta zbatojnë atë rrinë e vegjetojnë, duke i munguar nervi i reagimit për të konstatuar problematikat në funksionimin e punëve, për t’i ngritur këto problematika atje ku duhet e për t’u dhënë zgjidhje optimale në kohën e duhur.
Se ja, po marr një shembull shumë të thjeshtë. Bashkia e Tiranës funksionon në bazë të një ligji të veçantë të qeverisjes vendore. Po të marrim periudhën 2011 deri 2015 kur bashkinë e drejtonte Lulzim Basha, mund të thuhet se ky ligj është shumë i keq dhe duhet rrëzuar për shkak se ky ligj ka vetinë të vërë në gjumë kryetarin bashkë me administratën e vet. Si i tillë ai ligj i bie të jetë fajtor që Tirana për 4 vjet mbeti në vendnumëro në rasti më të mirë, pasi shumë sektorë patën regres në krahasim me atë çka gjetën nga koha e Ramës.
Për çudi, po ky ligj i qeverisjes për Tiranën funksionoi për bukuri përgjatë viteve 2015-2018 kur në drejtim është Erion Veliaj. E pra, mbi të njëjtin ligj kemi dy modele qeverisje që janë në kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën: njëri modelin që do të mbajë disa kunguj nën një sqetull (bashkinë, partinë, familjen në Holandë dhe kunatin pazarxhi tenderash); tjetri modelin që është i fokusuar 24 orë të ditës në punët e bashkisë, në drejtim vertikal deri në qelizën e fundit të administratës, me kërkesë llogarie për secilin dhe raportim të përditshëm problematikash dhe zgjidhjesh të tyre.
Konkluzioni është se nuk është fare faji i ligjit, por i personave që duhet ta zbatojnë ligjin. Mjafton që ai që merr përgjegjësinë që të jetë pjesë e Senatit Akademik, rektoratit, dekanatit, administrimit, bordeve, apo këshillave studentorë, të ketë vullnetin për të zbatuar kompetencat që i jep ligji e për të adresuar çdo problematikë atje ku duhet, ligji automatikisht kthehet nga “problematik”, në një ligj perfekt.
Prandaj, të nderuar rektorë, dekanë, profesorë, pedagogë e studentë. Mos u lodhni kot duke rrëmuar nene të veçanta të ligjit si e si t’u bishtnoni përgjegjësive që ju njihen në të gjithë nivelin vertikal të universitetit. Ju duhet vetëm diçka: t’i gjeni punës njeriun, e jo njeriut t’i gjeni punën. Ja, kaq e thjeshtë është.