Nga Ben Andoni
Të mjafton të dëgjosh vetëm një mëngjes për ankesat, vërejtjet, komentet dhe sugjerimet e njerëzve të popullit ta kuptosh drejt kaosin shqiptar sa i përket vendimmarrjes publike. Cinizmi i vazhdueshëm i administratës dhe performanca e dobët e pushtetit i ka bërë shumë njerëz, organizata, iniciativa ta ndjejnë nevojën që të përfshihen vetë. Por, më kot. Sak si te Porta e Kafkës, i pret një rojtar, që pasi i hap me vështirësi një portë, i lë përpara një porte tjetër, ku vështirësia për të ngritur zërin bëhet edhe më e madhe. Dhe, kështu me radhë. Në pamundësi.
Paradoksi është se referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, miratuar me referendum popullor në vitin 1998, Neni 2/2 parashikon parimisht se :‘Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti‘, ku Neni 81 i Kushtetutës, rregullator i procesit ligjvënës, e orienton demokracinë e drejtpërdrejtë në kanalin e vetëm të procesit legjislativ, kur parashikon se ‘të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës‘ .
Larg kuptimit të dokumentit themeltar të shtetit, njerëzit e zakonshëm dhe iniciativat e ndryshme ndjejnë se zëri i tyre nuk shkon dhe humbet, ndaj një projektligj i fundit synon të përmbushë këtë detyrim me realizimin në praktikë e me rregulla të qarta procedurale të vullnetit propozues qytetar me anë të nismës ligjvënëse popullore.
Kjo ishte arsyeja që pak ditë më parë, kur Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare (QNL), në bashkëpunim me organizata të tjera të shoqërisë civile, me qytetarë të angazhuar në çështjet publike, me universitetet dhe me ekspertë profesionistë, hartoi draftin për ‘Nismën Ligjvënëse Popullore’.
QNL e finalizoi këtë projekt me disa partnerë të rëndësishëm si: Departamenti i të Drejtës Publike i FD-Universiteti i Tiranës, si dhe fakultete të tjera pranë Universiteteve, Vlorë, Durrës, e Shkodër. Gjithashtu, dhe partnerë të saj që kanë ndërmarrë nisma të ngjashme si: Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Res Publica, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, Qendra Komunitare Sot për të Ardhmen, Durrës, Qendra Gruaja tek Gruaja, Shkodër. etj.
Nisma ka vazhduar nëpërmjet projektit ‘Zbatimi dhe forcimi i nismave ligjvënëse qytetare të parashikuara në Kushtetutë, përmes përmirësimeve ligjore dhe rritjes së aktivizimit të shoqërisë civile’, me mbështetjen e Fondacionit ‘Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’.
Duhet të jemi disi të vonuar, pasi nisma e drejtpërdrejtë ligjvënëse, është e sanksionuar prej kohësh në rendin juridik evropian. Mungesa e risive për të propozuar një ligj në Kuvend, por edhe mungesa e strukturës së procedurave përkatëse, që duhet të parashikohen me ligj, e ka lënë të mangët të gjithë procesin e krijimit të nismës.
“Një këndvështrim i ri i këtij instrumenti ndikohet nga zhvillimet e vazhdueshme të teknologjisë së lartë, si dhe nga zhvillimet për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit. Aktualisht, e drejta e pjesëmarrjes po shihet e lidhur ngushtë me të drejtën parlamentare dhe po kërkohet rritja e parashikimeve ligjore në rregulloren e parlamenteve për të garantuar këto të drejta, citohet konstitucionalistja Aurela Anastasi. Ajo po parashikohet edhe në kuadrin e ligjeve specifike që rregullojnë publicitetin e punëve gjatë hartimit dhe miratimit të akteve ligjore e nënligjore, përmes mjeteve të teknologjisë së lartë, me qëllim që publiku të ketë njohje dhe akses për të shprehur opinione e sugjerime”.
Projektligji i paraqitur synon të rregullojë të gjithë procesin dhe procedurat në bazë të të cilave do të ndërmerret nisma ligjvënëse popullore. Që duke filluar nga momenti i regjistrimit të nismës, në modalitetet e funksionimit dhe përfaqësimit të saj nga organizatat e shoqërisë civile apo qytetarët e angazhuar, në krijimin e Grupeve të Mbledhjes së Nënshkrimeve, në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve, procesin e verifikimit të tyre nga KQZ, e deri në dërgimin/ depozitimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Deri më tani është vërejtur qartë një mungesë e rregullimeve ligjore për ushtrimin e kësaj nisme. Kjo çështje u duk sidomos gjatë ushtrimit të nismës së 20400 zgjedhësve për miratimin e ligjit të vetëm të këtij karakteri “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Përgjatë procedurave, kur u paraqit dhe u diskutua në Kuvend, dolën në pah problematika që shkaktoheshin nga vakuumi ligjor, të cilat u kapërcyen “me vullnetin e mirë” të parlamentarëve.
Skeptikët mendojnë se fare lehtë, në vend të lodhjes për firmat, rrahjes së mendimit të aktorëve të ndryshëm, le të ndiqen procedurat për ushtrimin e nismës ligjvënëse parlamentare, ose qeveritare. Si shembull vlejnë organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, të cilat kanë hartuar edhe projektligje të tjera të rëndësishme, të cilat janë propozuar në Kuvend përmes nismës ligjvënëse qeveritare.
Por ideatorët e këtij drafti mendojnë se nisma popullore përmban në vetvete disa avantazhe. Ajo i edukon ata përmes ndërgjegjësimit qytetar, mbi rëndësinë dhe përmbajtjen e ligjit që propozohet. Për më tepër, në vend të kaosit publik, kjo nismë ndihmon në rritjen e debatit publik, përmes medies, si dhe të debatit juridik midis profesionistëve dhe institucioneve, mu si ai që u zhvillua gjatë dhe pas miratimit të ligjit kundër dhunës në familje. Ai është edhe një indikacion i mirë për nisma të tjera në të ardhmen. Ky debat e përgatit më mirë shoqërinë për të mirëpritur ligje të reja, si dhe për t’i zbatuar ato me efektivitet.
“Në këto kushte, studimi i nismës ligjvënëse popullore, si pjesë e institucioneve kushtetuese të demokracisë së drejtpërdrejtë, është i nevojshëm për t’i dalluar dhe qasur ato me të drejtat e pjesëmarrjes në qeverisjen e vendit”, thotë Anastasi për Javanews.
Nëse do arrijë që të miratohet një projektligj i tillë atëherë ai do t’i sjellë një karakteristikë të re Kushtetutës së Shqipërisë dhe demokracisë popullore, duke e bërë atë shumë më të prekshme. Deri më sot, ajo duket si pak statike, ndërkohë që një iniciativë e tillë u krijon mundësi reale si shoqërisë civile nëpërmjet organizatave të saj, edhe qytetarëve të angazhuar në çështje civile që të ushtrojnë nisma ligjvënëse.
Problemi është nëse arrihen të mblidhen nënshkrimet e 20 000 (ose më shumë) zgjedhësve, të cilët gjenden në momentin e shpalljes së një kauze në Shqipëri apo edhe ata jashtë vendit. Edhe për këtë ka zgjidhje: Njerëzit që e iniciojnë atë kanë dy mënyra për t’i shkuar drejt kauzës së tyre, e para duke ia paraqitur të plotë projektin dhe t’i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e tij, por mund të ushtrojnë nismën edhe duke i paraqitur thjesht një kërkesë Kuvendit për të shqyrtuar/miratuar një ligj në të ardhmen.
E për të realizuar këtë, do të ishte e nevojshme të bëhej një sinkronizim i mirë i institucioneve, ku veçohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë, organet vendore etj., mendojnë iniciatorët e saj, që në një parashikim afatgjatë presin të rritet cilësia e nismave ligjvënëse të ndërmarra, të rritet shkalla e bashkëpunimit të organizatave të shoqërisë civile, si dhe të rriten kapacitetet njerëzore për t’u përfshirë në këto nisma.
Projekti krijon mundësinë mbështetësve të nismës që përfshirjen e tyre ta realizojnë edhe online, nëpërmjet nënshkrimit të tyre jo fizikisht, por nëpërmjet një portali të dedikuar për këtë qëllim, i cili do të mundësojë edhe certifikata të printuara krahas të dhënave elektronike që mund të mblidhen ose të gjenerohen online.
Duket disi i vështirë dhe abstrakt, por duhet thënë se drafti përmbledh standardet dhe praktikat më të mira evropiane, si dhe parimet e trashëgimisë elektorale evropiane, duke referuar frymën dhe praktikën e dokumenteve të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit në 16 Shkurt 2011, për ‘Iniciativën Ligjvënëse Popullore në BE’, standardet e parashikuara nga Kodi i Praktikave të Mira për Referendumet (2007) të Komisionit të Venecias, si dhe të modeleve të ligjeve për nismat ligjvënëse qytetare të shteteve të tjera si Itali, Austri, Letoni, Kosovë, Portugali, Spanjë, Hungari, Poloni dhe Slloveni.
Nisma e drejtpërdrejtë ligjvënëse është sanksionuar tashmë edhe në rendin juridik evropian. Traktati i Bashkimit Evropian, me ndryshimet e sjella nga Traktati i Lisbonës (2009), sanksionon shprehimisht: “Të paktën 1 milion qytetarë të Bashkimit, që kanë shtetësinë nga një numër i konsiderueshëm i Shteteve anëtare, mund të ndërmarrin iniciativë për të dërguar në Komisionin Evropian një propozim të përshtatur mbi një çështje, në të cilin qytetarët e konsiderojnë të nevojshëm një akt juridik të Bashkimit, me qëllim zbatimin e traktateve”.
Organizatorët e shoqërisë civile mendojnë se një ligj i posaçëm do të rregullojë si duhet aspektet më të rëndësishme të ndërmarrjes dhe ushtrimit të nismës ligjore qytetare. Ndërkohë, ka nevojë edhe për rregullime ligjore në Rregulloren e Kuvendit, në lidhje me diskutimin dhe miratimin e projektligjit të paraqitur si rezultat i kësaj nisme.
Janë aq shumë por të mundshme, që tash e më vonë, nismat ligjore direkt nga populli prej Shqipërisë të mos presin si te Kafka. Vetëm se kanë nevojë për vullnet, atë që mungon shpesh te strukturat ligjvënëse parlamentare dhe më gjerë. (Javanews)