I gjithë sektori i kultivimit të peshkut në rezervate do të rregullohet me ligj të veçantë. Drafti i përgatitur nga Ministria e Bujqësisë do të përcaktojë hartën me zonat tokësore dhe detare ku do të lejohet ky aktivitet.
“Akuakultura do të zhvillohet në zonat, qofshin këto tokësore apo ujore, të përcaktuara me ligj, si dhe do të disiplinojë edhe aktivitetin e akuakulturës që ushtrohet nga individë apo persona fizik privat në tokat e tyre, por që deri më sot e kanë bërë pa marrë asnjë lloj leje”, shprehet Arian Palluqi, drejtor i peshkimit, Ministria e Bujqësisë.
Projektligji parashikon vendosjen e qerasë për pronat shtetërore ujore apo tokësore që do të jepen tek privatët për këtë lloj aktiviteti, si dhe licensimin për çdo subjekt. Sipas direktivave të Bashkimit Europian nuk do të lejohet kultivimi i specieve që prekin biodiversitetin.
“Në akuakulturën e ujërave të ëmbla do të jenë trofta dhe peshq të familjes së krapit, ndërsa në det bëhet fjalë për kocën dhe levrekun kryesisht, por më vonë do të përfshihen edhe specie të tjera”, thotë Palluqi.
Sektori i akuakulturës ka pasur një zhvillim të rëndësishëm vitet e fundit në Shqipëri dhe interesi është në rritje. Ligji i ri do të krijojë mundësinë edhe te subvecionimit të fermave të peshkut.
ma.me