Maria Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025, ditën e djeshme zhvilloi një takim me Presidentin amerikan Donald Trump, por nuk zbuloi shumë detaje të bisedës që zhvilluan sëbashku.
Sipas mediave të huaja, duke folur sot në Uashington DC, Machado tha se ishte e bindur se do të kishte një tranzicion të rregullt në Venezuelë pas ndërhyrjes së SHBA-së dhe se përfundimisht do të kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ajo tha gjithashtu në fjalimin e saj në Fondacionin Konservator të Trashëgimisë se i kishte thënë Presidentit amerikan se do të kthehej në Venezuelë sa më shpejt të ishte e mundur.
Ajo pohoi se opozita në Venezuelë ishte “e përgatitur të bënte atë që duhej si një qeveri legjitime”, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se Machado ditën e djeshme i dha Trumpit medaljen e saj të Çmimit të Paqes, edhe pse komiteti i Nobelit thotë se çmimi nuk mund të transferohet dhe ajo është ende fituesja zyrtare.
Trump tha sot se dhurata e medaljes nga Machado ishte një “gjest i mrekullueshëm” dhe e përshkroi atë si një “grua të mrekullueshme”.











