Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj është vlerësuar nga Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama me çmimin “Lider botëror për paqe’. Gjatë aktivitetit të organizuar në Kryegjyshatë, Baba Edmond Brahimaj tha se ndjehet i nderuar për këtë çmim, ndërsa bëri apel për tu bashkuar të gjithë në luftën kundër terrorizmit.
“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që egërsia me të cilën na godet terrorizmi në shkallë botërore pavarësisht duarve që ai përdor nuk mund të luftohet vetëm me konferenca sllogane. Duhet të konsolidojmë institucionet e solidaritetit brenda familjes, brenda dashurisë së njëri-tjetrit, duke vlerësuar diversitetin si shtytje për të ecur përpara dhe jo për tu hakmarrë ndaj njëri-tjetrit”, tha ai. Edhe përfaqësuesi i Ambasadës Aamerikane në Tiranë vlerësoi kontributin e kryegjyshit botëror në promovimin e tolerancës fetare.
“Mesazhi që po hapet nga komuniteti bektashian dhe nga ju baba Mondi është mesazhi i paqes dhe harmonisë dhe sidomos për mua si një i huaj është mesazhi i mirëpritjes. Faleminderit për këtë”. Çmimi për Baba Edmond Brahimaj ishte një iniciativë e misionit dilpomatik për paqe dhe prosperitet zyra qendrore në Tiranë në bashkëpunim me shqiptarët që jetojnë në SHBA.