Gazetarja Eni Vasili ka promovuar mbrëmjen e sotme librin e saj “Unë kam vrarë”, në një ceremoni të organizuar në hotel “Rogner”, ku ishin të pranishëm personalitete të njohur të politikës, gazetarisë, artit, etj.
“Une kam vrare”, nje libër trondites që hedh drite mbi një nga dosjet me delikate të të gjitha kohrave “Gratë që kanë vrarë“. Jo me kot në frymën e 8 marsit, ditës ndërkombëtare të të drejtave të grave ky libër del në tregun e botimeve, si një akt rrëfimi dhe sensibilizimi per një Shqipëri që nuk e njohim dhe një realitet që e injorojmë. Libri nuk merr përsipër të fajësojë e as të shfajësojë, por nëpërmjet rrëfimit në vetë të parë tregon se ku janë rrënjët e vërteta të problemit, se si këto gra, nëna, motra, bashkëshorte u kthyen papritmas në vrasëse.
Historite rrënqethese të këtyre jetëve të përshkruara nga varferia, dhuna, mungesa e edukimit janë gjithashtu një akt akuze per nje shoqëri të munguar, për një shtet që nuk është aty për të mbrojtur individin në momëntin e nevojës.
Pershkrimet e këtyre jetëve nuk kanë lënë indiferent shkrimtarin Ismail Kadare i cili ka shkruar parathënien e librit të gazetares Eni Vasili , ku analizon jo vetëm librin, por paraqet edhe tezat e tij per marrdhënien dhe sjelljen e shqiptarëve ndaj gruas duke iu drejtuar historisë.
VASILI: S’ESHTE LIBRI I TË VËRTETAVE ABSOLUTE, POR E VËRTETA E KËTYRE GRAVE
Teksa falënderoi të pranishmit në përurimin e librit të saj, autorja Eni Vasili theksoi se vepra e saj nuk sjell një të vërtëtë absolute, por një të vërtetë të personazheve, gratë.
“Faleminderit që keni ardhur. Kryetari i Kuvendt, Kryeminiasër, ministra, e ambasadorë. Faleminderit që jeni pjesë e kësaj ngjarje. Faleminderit shkrimtarit Islmail Kadaresë që pati durim që të merret me librin tim. Ajo që dua të them për këtë libër, është se dy vite më parë kur Kadare dhe Agolli, më thanë që të merrem publikisht me çështjen e Nazime Vishës për të kërkuar falje publike. Kam shkuar dhe në burg dhe kam përjetuar tmerrin, kam pasur dhe nevojë për psikologu. E rëndësishme është se ky nuk është libri i të vërtetave absolute, por e vërteta e këtyre grave.”, tha Vasili.
Ndër të tjera gazetarja Vasili tha se libri nuk shfajëson e as përligj askënd. “Nuk është një ligj që përligj, shfajëson. “Unë kam vrarë” është një akt rrëfimi, pendese për këto gra, që duke kryer një veprim të patolerushëm i kanë dhënë një zgjidhje jetës së tyre. Është dhe një ‘mea cupla’. Falënderoj znj.Ramën për kontributin e saj për kopertinën e librit. Falenderoj dhe shkrimtaren Diana Çuli.”, theksoi Eni Vasili.
PARATHENIE
Të thuash për një libër se është i rëndësishëm, në pamje të parë duket se nuk ke thënë ndonjë gjë të veçantë. Shprehja përdoret për një shumicë librash, për arsyen e thjeshtë se bota në të cilën jetojmë është plot çështje tê ndërlikuara , për të cilat librat, dëshmitë dhe idetë ende mungojnë.
Megjithatë ka mungesa që janë më të ndjeshme se të tjerat, rrjedhimisht , ka botime me rëndësi të veçantë, ndër të cilat hyn, pa dyshim, ky libër i Eni Vasilit për gratë e dënuara për vrasje.
Vrasja është e vjetër sa bota. Eshtë vrarë në të gjitha kohërat e në të gjithë popujt, me raca e kultura të ndryshme, të zhvilluar e të pazhvilluar, në rende tiranike dhe demokratike.
Eshtë krijuar gënjimi se me instituimin më të madh të vrasjes, që është lufta, etja për të ka patur gjasë të shuhet. Ose e kundërta, të shtohet. S’ka ndodhur as njëra, as tjetra.E njëjta gjë mund të thuhet për rendet liberale ose tiranike. Për këto të fundit është krijuar iluzioni se kur shteti vret, vrasësit tulaten. Për ngjashmëri, në shtetet demokratike, ku vrasje shtetërore s’ka, vrasësit i vijnë në ndihmë të ëmblit shtet, për të kryer atë që demokracia nuk lejon…
Libri i Eni vasilit nuk mëton të merret me tiparin universal të dukurisë. As të shtrojë pyetje, për të cilat përgjigjet janë shpesh të pamundura. Siç e ka treguar vetë, profesioni e ka shtyrë gazetaren e re jo thjesht tek pyetja, përse kishte ende vrasje në këtë botë, duke përfshirë edhe vendin ku ajo jeton, por tek pyetja, përse arrinin të vrisnin pikërisht ato që e krijonin jetën, gratë.
Në shtjellime të tilla, në kohën kur një pjesë e botës sundohej nga mendimi marksist, shkaqet kërkoheshin në radhë të parë , në kushtet ekonomike e shoqërore, etj.,etj. , me të cilat marksizëm-leninizmi kishte arritur të trulloste shkollat dhe akademitë.
Autorja ka patur fatin të mos jetë ndikuar nga gjithfarë doktrinash të zbrazëta, duke na dhënë kështu një libër të qartë, me një qasje të drejtëpërdrejtë ndajvetë dramës dhe personazheve të saj. Rrëfimet e grave vrasëse janë aq tronditëse, sa nuk përbën ndonjë metaforë, por një të vërtetë bindëse shprehja se, duke vrarë dikënd, ato kanë vrarë, në radhë të parë, veten. Jo vetëm kaq, por autorja vetë na zbulon vuajtjen e asaj, në kohën që kërkon të kuptojë atë që shpesh ngjan si e pakuptueshme.
Për libra të një natyre të tillë, lexuesi ka të drejtë të dijë arsyen për të cilën ato janë shkruar, për të shkuar më tej tek çështja themelore : a ka shpresë që ky problem kaq i dhimbshëm të ketë një kufizim, një tkurrje ?
Këto personazhe thellësisht dramatike janë gra dhe vajza shqiptare, ato që i kemi ndeshur shpesh në rrugë, në jetën e përditshme, por që befas shfaqen këtu, prapa hekurave të burgut.
Shqyrtimi me gjakftohtësi e paanësi i kësaj çështjeje i ka munguar e vazhdon t’i mungojë mendimit shqiptar. Nga klisheja se qëndrimi ndaj grave është pasojë e ndikimit turko-osman, tek idea tjetër se ky qëndrim është në traditën shqiptaro-europiane, e cila në këtë fushë nuk është për t’u lakmuar, shtrihet një përftim i paqartë e shpesh kaotik.
Teza e dytë, e cila lidhet me prirjen për të kërkuar në jetën shqiptare shenjat dhe standartet europiane është, sipas çmitizuesve shqiptarë, jo vetëm e kotë, por shprehje e provincializmit dhe e servilizmit ndaj Europës , shoqëruar me etnocentrizëm e një sërë kotnish, gjysma të huajtura prej amerikano-palestinezit Eduard Ben Said.
Problemi i përkatësisë europiane të shqiptarëve vazhdon të shkaktojë acarim tek një pjesë e çmitizuesve. Gjallërimi i tyre pas rënies së komunizmit ka qenë , veç të tjerash, mëse i habitshëm. Kur një vend del nga diktaturë e treguar me gisht, gjëja e parë pas shembjes së saj, është shembja e miteve të saj. Në Shqipëri, në vend që të ndodhte kjo, u bënë përpjekje për diçka të kundërt : kthimin e pasionit çmitizues drejt epokës skënderbejane, veçanërisht kundër europianit të madh , Kastriotit, atij që u përpoq si askush të ndalte shkëputjen e Shqipêrisë nga Europa.
Më pas pasioni vazhdoi kundër Rilindjes kombëtare, asaj që në programin e saj për Shqipërinë e ardhshme, vuri si model Zvicrën. E më pas, sulmit s’i shpëtoi as themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Cështja e Europës qysh në fillimet e saj ka patur lidhje me thelbin e problemit : qënien e vetë Shqipêrisë. Idea se principatat e Arbrit nuk mund të ishin veçse europiane , nuk lindi në salla universitetesh, por ditën që ato, bashkë me lirinë, e humbën kontinentin e vet.
Aksioni i Skënderbeut ishte i pandarë nga kjo ide. Ndaj fill pas rebelimit të tij, gjëja e parë që bëri ishte aleanca e ngutshme me princat e Europës. Prania e trupave të tyre në kështjellat shqiptare ishte një dukuri e kohës. Historiografia komuniste u përpoq më vonë ta linte në hije këtë prani, me përjashtim të rasteve kur s’fshihej dot, si ai i qindra ushtarëve italianë të vrarë në betejën e Beratit.
Skënderbeu e bëri Europën aq të rrokshme sa që, për të dhënë vetëm një shembull, s’përbënte ndonjë habi që ajo niste te kështjella e Lezhës, vetëm disa kilometra larg kryeqendrës shqiptare të Krujës.
Aksioni i nisur prej Kastriotit, u thye më pas, por jo idea e tij. Këtë e kuptuan shqiptarët e, për fat të keq, e kuptuan gjithashtu kundërshtarët e tyre, por në kah të mbrapshtë, si një mënyrë e vetme për të patur një Ballkan e një Europë juglindore pa shqiptarë.
Pa u zgjatur në dramën e dëbimit të një populli, mund të thuhet se pas përdorimit të armëve e të shpêrnguljeve , shkurt, pasi u provua gjithçka për heqjen e shqiptarëve prej Europës, mbeti vetëm karta e fundit : heqja e Europës prej shqiptarëve.
Ky akt i errët nisi me ndalimin e gjuhës shqipe , një nga krimet më të rralla dhe më mizore në historinë e botës. Shteti osman s’ka kërkuar asnjëherë ndjesë për këtë krim. Përkundrazi, po të shfletohet shtypi turk i fillimit të shekullit XX, do gjendet jehona e ashpër kundër « pabesisë së shqiptarëve », të cilët, duke qenë ende shtetas të kësaj perandorie, kur erdhi puna tek alfabeti i gjuhës shqipe, pas lejimit të saj, duke e sfiduar perandorinë, zgjodhën alfabetin latin.
S’mund të thuhej se shqiptarët, në raste të ndryshme, kishin bërë gjithmonë zgjedhjen më të mirë. Ata kishin bërë gabime, si gjithë ballkanasit, si popujt e tjerë të kontinentit. Por, me mbrojtjen kryeneçe të gjuhës shqipe, si shenjën e parë të kombit, ata e shpallën atë si një urdhër të epêrm. Mbi të u bazua toleranca shekullore fetare, një nga vlerat që i bënte nder përpara Europës dhe botës.
Shqiptarët i ruajtën shenjat bazike të qytetërimit europian natyrshëm, ngaqë për mirë apo për keq, i përkisnin atij universi.
Sipas një shpalimi të cekët dhe me ngjyrim romantiko-patriotik, gjendja e palakmueshme e femrës në botën shqiptare, është shpjeguar mê së shumti si ndikim osman. Për të qenë të drejtë duhet të pranojmë se kjo klishe nuk është e saktë.
Qëndrimi ndaj grave ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga keqkuptimet më të mëdha të krejt njerëzimit, duke përfshirë edhe qytetërimin europian. Ndonëse ndodhet në zonën më të emancipuar të botës, Europa gjithashtu ka borxhet e saj ndaj kësaj drame. Borxhi shqiptar është, në radhë të parë, pjesë e tij.
Ndërsa sprapsja e ndikimit osman , kur ishte fjala për gjuhën shqipe, ishte e prerë, tek çështja tjetër madhore, ajo e femrës , kjo sprapsje, duke qenë e ndjeshme në thelb, ngjante më pak e bujshme. Femra shqiptare në tërësinë e saj nuk u mbulua. Madje Shqipëria do të ishte, vite më pas, shteti i parë i Europës që, qysh në vitet 30’, që do të ndalonte shaminë, me dekret shtetêror. Sfida të tjera, siç ishte sublimimi pa asnjë kufi, i bukurisë femërore, qysh në mesjetën e vonë (portretizimi i famshëm i femrës shqiptare prej Pjetër Bogdanit « veshur me diell, mbathur me hanë », për të dhënë vetêm një shembull , do ta vërtetonte këtë.
Kundërthënia midis sublimimit në art dhe shpërfilljes në jetë, është një tipar i hershëm shqiptar dhe kontinental. Ndërgjegjësimi për këtë është i rëndësishëm sepse kur një popull ose një kontinent i tërë , merr pêrgjegjësinë për mangësitë e veta, pikërisht tek kjo përgjegjësi gjendet edhe shpresa për kapërcimin e së keqes.
Libri që kemi përpara shtjellon një nga dosjet më delikate të të gjitha kohëve : gratë vrasëse, ose mê saktë, gratë që kanë vrarë.
Ato janë si të tjerat, të reja, ose jo, nëna, motra, dashnore, bashkëshorte. Vetë ky kushtëzim bart me vete rrezikun e moskuptimit, të sentimentalizmit e të rënies në moralizim.
Autorja ia ka dalë t’i shmanget kësaj. Ajo nuk merr as qëndrimin e një gjykatëse e as tê një avokateje. Nuk fajëson, as përligj.
Drama e këtyre grave i kapërcen kufijtë e çdo seance gjyqësore. Duam apo s’duam, ato bëjnë pjesë në kalendarin dhe në trazimin tonë të pêrbashkët. Dhe përtej tyre, në shpresën për t’i kapërcyer ato.
Ismail Kadare