Parafjalë
Pse “Nga janari në dhjetor”?
Është një titull që më erdhi natyrshëm pasi kisha sistemuar lëndën e librit. Është fillimi dhe fundi i një viti. Por edhe fillimi e mbarimi i një cikli, i një periudhe. Vetë jeta ka një fillim dhe një fund. Të tillë fat kanë edhe partitë, shtetet, perandoritë…
Unë merrem me “universin” e vendit tim. Me historinë e këtij populli, me arritjet dhe disfatat, me heronjtë dhe antiheronjtë. Ky “univers” kam parë se është shumë i pasur, me shumë dritëhije, me përthyerje të paimagjinueshme dhe me një reliev të habitshëm.
Nuk pretendoj të jem i përkryer në mendimet e mia. Dhe sidomos të jem i pëlqyer nga të gjithë.
Por kujtoj shpesh fjalët e fundit të poetit të madh gjerman Johan Volfgang Gëte, i cili, ndërsa po e përpinte errësira e vdekjes, pëshpëriti: “Licht, mehr Licht!”! Që do të thotë “Dritë,më shumë Dritë”. Që më tej mund të interpretohet edhe si “më shumë dritë, më shumë dituri, më shumë realitet”.
E kjo do të thotë: Dritë mbi të kaluarën, për të mbrojtur të ardhmen nga errësirat e të shkuarës.
Në të vërtetë kjo në thelb është deviza e çdo krijuesi. Pa asnjë përjashtim të gjitha veprat e historianëve dhe shkrimtarëve janë histori dhe tregime të së shkuarës. Ndryshon stili apo interpretimi, por jo thelbi. Shkrimtarët dhe gazetarët aktivë shkruajnë më së shumti për të tashmen, por duke e ditur fare mirë se kjo e tashme kthehet në të shkuar shumë shpejt, qysh të nësermen, ata ndiejnë mbi supe një përgjegjësi historike.
E shkuara është pjesë e pandarë e jona. Ajo ka një fuqi të jashtëzakonshme për të ndikuar në të tashmen tonë. Është vlerë që ndikimin e së shkuarës ta bëjmë sa më pozitiv për të ardhmen tonë. Unë mendoj se është mirë të kthejmë kokën pas, e të kujtojmë nga dhe si kemi ardhur këtu ku jemi sot. Por jo të mbetemi peng i së shkuarës. Në rastin më të mirë, kur e tashmja jonë është e suksesshme, marrim frymë të lehtësuar që kemi mundur të lëmë një gjurmë, të shtojmë një vlerë në historinë tonë, të shtojmë një gur në këtë ngrehinë që na identifikon si komb. Vetëm kështu do të ndihemi krenarë me veten mbi atë që kemi arritur duke ecur në gjurmët më të mira të paraardhësve.
Më duket e tepërt t’ju kujtoj se e ardhmja mund dhe duhet të jetë shumë më e mirë se e shkuara! Kjo është aspiratë. Jeta do merrte një tjetër rrjedhë nëse vendosim qëllime që na shkëpusin nga e shkuara. Kjo nuk do të thotë të fshish, (kjo është e pamundur), apo të harrosh të kaluarën. Kjo do të thotë t’i japim vetes mundësinë për të qenë më mirë, për t’u ndjerë më mirë, për të dashuruar më mirë, për të punuar më mirë, për të qenë të kthjellët të pranojmë se çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më. Ky është ndërgjegjësimi të të realizuar aspiratën.
Falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata miq të shumtë, shkrimtarë, historianë, filozofë, intelektualë e politikanë që nëpërmjet takimeve, bisedave e intervistave që kam bërë me çiltërsi në vite, ma lehtësuan shumë punën për formësimin e këtij libri.
Autori
Nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë…
Variacione mbi motivet e poezisë “Kënga e ushtarëve të vjetër” të Ismail Kadaresë
Këto ditë të gjata izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit, mu kujtua kjo poezi e hershme e shkrimtarit tonë të shquar e cila fillon me këtë varg domethënës “Nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë…”, një varg që përsëritet dy herë në pesë strofat e kësaj poezie. Duke marrë parasysh kohën kur është shkruar kur i gjithë populli ishte ushtar dhe secili kishte një pushkë në krah në kushtet e izolimit të thellë të vendit, nuk ishin të paktë ata që i kishte marrë malli për një luftë të re, pas asaj që kishim lënë pas. Të gjithë ishin gati që, me të dhënë urdhër Komandanti, të bënin përpara për t’i bërë ballë armikut ngado që të vinte, nga qielli, toka apo deti…
Pikërisht në atë kohë poeti ynë Kadare shkroi: “Nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë, / në zjarr e tym na shkoi kjo jetë, / gjithmonë drejt luftërave shtegtojmë, /siç shtegtojnë drejt dimrit retë…”
* * *
Dhe ne u vumë në mendime se si na erdhi kjo e keqe në trajtë epidemie kaq papritmas në të dalë të dimrit dhe nuk e parandaluam dot. Dikur, në kohën e socializmit ishte një parullë mjaft domethënëse “Të punojmë dhe të luftojmë si në rrethim”.
Rrethimi dhe izolimi në atë kohë ishin krejtësisht realë. Edhe trimëria, edhe sakrificat në atë kohë kishin kuptim dhe ishin të justifikuara. Ne ishim mësuar me atë mënyrë jetese dhe shtynim ditët pa mundur të kalonim kufirin por edhe duke mos lejuar të na shkelte kush kufirin. Ndaj dhe nuk bëhej fjalë për pandemi të këtij lloji. Besoj se e kanë parë të gjithë në një TV ditët e fundit një pamje mjaft domethënëse kur futbollisti i famshëm Bekenbauer në fillim të viteve ‘70 lante duart dhe dezinfektohej me të zbritur në Rinas, kur skuadra kombëtare e Gjermanisë Perëndimore erdhi të luante me skuadrën tonë në Tiranë. Po kështu veprohej me çdo të huaj pa asnjë dallim që hynte në vendin tonë. Edhe valët e televizioneve të huaja ishin ndaluar të depërtonin deri tek ne, pasi thuhej së përmbanin “viruse” të rrezikshme për rininë tonë të pastër. Ndaj dhe është plotësisht e vërtetë ajo që është thënë dhe thuhet tani ndonjëherë se në kushtet e izolimit të skajshëm ne ishim të imunizuar nga epidemitë virale nga jashtë.
E pranoi këtë fakt edhe ish-mjeku Sali Berisha ditët e fundit në një intervistë në skype që dha nga shtëpia e tij në TV. Po se do të na pllakoste një pandemi në përmasa të tilla tridhjetë vjet pas përmbysjes së atij regjimi, këtë nuk na e kishte rrokur mendja.
Por të mos harrojmë se jetojmë në një shoqëri të hapur dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve. Dhe pikërisht këtu ishte fshehur dhe kurthi. Virusi kaloi tinëzisht kufirin e na pushtoi pa u rënë trumpetave dhe, si i pabesë që është, shkeli edhe ligjet e luftës, pa na dhënë asnjë shenjë apo njoftim paraprakisht.
Kur u dha alarmi, ishte tepër vonë…
* * *
Epidemia e koronavirusit qysh në fillim u konsiderua si një luftë. “Jemi në luftë!”, shpalli me pezm lajmin e bujshëm kryeministri-komandant. Një luftë pa krisma, një luftë mbrojtëse kundër një armiku të padukshëm, por shumë të rrezikshëm. Këtë radhë komandanti, domethënë kryeministri, dha urdhrin “Tërhiquni! Mbylluni në shtëpi! Kush del nga shtëpia është tradhtar!“ Nuk tha “rrëmbeni armët!“. Tha vetëm lani duart mirë e mirë me sapun, qëndroni sa më larg me njëri-tjetrin dhe mbylluni brenda natë-ditë. Doli edhe vetë në televizor e na tregoi se si të lanim duart.
Këto urdhra të çuditshëm dhe sidomos rreziku që na vjen nga ky armik i ri dhe i padukshëm, nuk u mor seriozisht nga të gjithë, pavarësisht se kishim marrë vesh hatarat që ai kishte bërë në disa vende të tjera. Disa të krisur nuk e dëgjuan fjalinë deri në fund por, sa dëgjuan fjalën “luftë” dolën në rrugë gati për mobilizimin e ri. Secilit prej tyre i shkoi nëpër mend se mund të dilte në krye si prijës i të tjerëve, dikush tjetër do të ishte komisar, një tjetër intendent… Dhe kështu do të hynte në histori. Përfytyronin edhe taborret e ushtarëve pas tyre, gati për të kënduar marshe luftarake… Disa u drejtuan nga depot e armatimeve të dikurshme, ku secili e kishte nga një pushkë dikur në kohën e alarmeve dhe zboreve, duke harruar për një moment se ato depo i shpartalluam dhe i grabitëm në vitin 1997. Pra ishin gati të bëheshin fli para mësymjes së beftë të një armiku të tmerrshëm që mund t‘u kushtonte edhe jetën.
Por, pasi ta mundnin, atyre që do të mbeteshin gjallë do t‘u siguronte ca dekorata të tjera në gjoks. “Gjithë jetën mbetëm majë kalit,/ mbi tokën tonë që na bekoi,/ ka kohë që s‘shkelim me dy këmbë,/ por shkelim me katër potkonj.“
***
Nuk u mor seriozisht kjo luftë e re as nga deputeti Spartak Braho në ditët e para, kur duke i marrë një intervistë për gazetën DITA për të ngritur moralin e lexuesve përballë këtij armiku, doli në një qafë të paparashikuar: “Është në Shqipëri dikush më i rrezikshëm se koronavirusi!“ tha ai. E kishte fjalën për Sali Berishën. Si është e mundur?, pyetëm ne. Po, po. Është plotësisht e vërtetë. Sepse koronavirusi do të largohet një ditë, sikurse kanë ikur edhe epidemi të tjera apo edhe ushtri armike që na kanë pushtuar herë pas here. Por Saliun këtu do ta kemi, peshqesh dhe të gatshëm për të gatuar luftëra të tjera, grushte të rinj shteti, protesta të dhunshme… Pra ne do bëjmë atë që kemi zakon dhe do të vazhdojmë të ecim me vendosmëri nga lufta e vjetër, në një luftë të re. Sa të lajmë hesapet me koronavirusin, do të vazhdojmë të merremi shumë fort me njëri tjetrin si gjithmonë. Izolimi i kësaj periudhe na ka shtuar adrenalinën për një luftë të re, sulmuese dhe ballë për ballë me njëri tjetrin. Ato po, janë luftëra të vërteta, moderne, ku shkëlqen heroizmi dhe atdhetarizmi i vërtetë!
Intervista u botua të nesërmen në gazetë, pavarësisht se mbante pak erë disfatizëm dhe i çorientonte disi lexuesit.
***
Por edhe vetë Sali Berisha nuk e ka marrë shumë seriozisht këtë luftë. Vërtet është mbyllur në shtëpi e nuk del nga pragu i derës nga fillimi i karantinës, por nuk pushon asnjë moment të bëjë atë luftën e madhe që ai e ka për zemër. Ai ka zënë pozizionin e tij në rrugën “Perlat Rexhepi” dhe sikur u thotë të vetëve: Këtë rrugë e mbroj unë, hapni sytë në rrugët e tjera…
Jo më kot kjo rrugë mban emrin e një heroi nga Vlora dhe unë jo më kot kam zgjedhur të banoj aty! Dhe me armën e tij shumë të dashur fejsbukun, që e ka mësuar ca me vonesë, qëllon pandërprerë nga frëngjia e tij me breshëri të pandërprera, por pa e nxjerrë kokën nga frëngjia për të parë nëse ka qëlluar në shenjë apo jo. Mjafton që bataretë e tij bëjnë zhurmë dhe ngjallin kaos në kampin e armiqve të tij. Ai ngazëllehet brenda vetes së tij dhe jeton me delirin se ka bërë hatanë mbi armiqtë.
Sepse na kujtohet ushtari i mirë Shvejk në këtë moment. Shvejku mori pjesë direkt në beteja në Luftën e Parë Botërore, ku u shqua për heroizma dhe ishte gati të jepte edhe jetën për Perandorin. Për shembull, në pozicion luftimi ai fshihej bukur në transhe, nxirrte pushkën mbi llogore e qëllonte kuturu. Kur lodhej, ulej këmbëkryq, ndizte çibukun dhe ia merrte këngës së përmallshme: “Kur ne u nisëm në marshim,/ Zuskat qanin me ngashërim…“
***
Kjo lufta me koronavirusin nuk u mor seriozisht as në Kosovë. Përndryshe deputetët kreshnikë të Kosovës, jo vetëm nuk e pranojnë vetizolimin e mbylljen në shtëpi, por pa iu dridhur qerpiku mblidhen me urgjencë në sallën e parlamentit dhe pas dymbëdhjetë orësh mbledhjeje brenda asaj salle iu turrën Albin Kurtit dhe e rrëzuan qeverinë e tij foshnjë 50 ditëshe. Ky është heroizëm! Ky është patriotizëm! Ky është shkëlqimi i trimave të vërtetë! Dhe ata ndihen krenarë për këtë akt trimëror se ishin të vetmit deputetë në gjithë rruzullin që dolën nga izolimi nëpër shtëpira për t‘u mbledhur në sallën e parlamentit dhe e rrëzuan qeverinë e tyre legjitime në kulmin e pandemisë, duke shënuar një rekord të paparë. E për këtë rekord ata 83 deputetët që ngritën duart për të shpartalluar qeverinë e brishtë të Kurtit do të ndihen krenarë dhe do të kujtohen gjatë për aktin që tani është i pashlyeshëm…
***
Lexuesi me siguri është kurioz të dijë se ç‘mendon aktualisht autori i kësaj poezie të bukur që ia kujtojmë pas kaq shumë vitesh. Kadareja në këtë periudhë është zakonisht në Paris. Por si në Paris, si në Tiranë ai do të bënte të njëjtën gjë: Do të mbyllej në shtëpi dhe do të priste me qetësi largimin e virusit.
Imagjinoj se si mund t‘i përgjigjej ai një pyetjeje pak a shumë të tillë: Si ju duket kjo luftë dhe si e shihni të ardhmen pas saj? Shkrimtari do të vinte paksa buzën në gaz dhe duke na parë me një ironi karakteristike për naivitetin tonë, do të përgjigjej:
Po unë ua kam dhënë përgjigjen nja pesëdhjetë e ca vjet para se të shfaqej kjo epidemi. Lexoni finalen e „Këngës së ushtarëve të vjetër“ dhe aty keni edhe parashikimin që më kërkoni:
Alarmi prapë ja gjëmon,
dhe horizonti është me re,
nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë,
dhe tjetër fat s’kërkojmë ne.
27 mars 2020