Shtresat në nevoje në Lezhë do të kenë mundësi të marrin shërbim ligjor falas. Që prej datës 4 shtator pranë ambienteve të gjykatës është hapur zyra e ndihmës juridike e cila do ti vijë në ndihmë kësaj shtrese të shoqërisë. Ky shërbim i ri është prezantuar nga Kryetarja e Gjykatës, Ornela Naqellari në prani dhe të përfaqësuesve të Bashkisë, Sherbimit Social dhe organizatave të ndryshme.
“Kategoria e personave që do të përfitojnë nga shërbimet ligjor falas është e gjerë dhe do të përfshijë ato kategori për të cilët shoqëria ka më shumë shqetësim për ti siguruar barazi dhe akses në drejtësi dhe tani me krijimin e zyrës së ndihmës juridike falas unë mendoj që ky akses do jetë më i madh, mbrojtja do të jetë më efektive dhe më e afërt” u shpreh Naqellari.
Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Alfrida Marku u shpreh se kjo zyre ka qenë mjafte nevojshme për shumë persona të cilët nga kushtet e vështire ekonomike nuk kishin mundësi përfaqësimi ligjor në gjykate.
“Shërbimi ligjorë falas i vjen në ndihmë të gjithë këtyre personave por unë do ta vija theksin tek gratë të cilat janë subjekt i dhunës ekonomike. Por fat të keq problemet ekonomike të gërshetuara me problemet sociale i përballin këta qytetarë me pamundësinë për të qenë të barabartë në procese të ndryshme gjyqësore”, tha Marku.
Kjo zyre është mundësuar në kuadër të implementimit të Memorandumit të Bashkëpunimit “Për më shumë akses në drejtësi nga gratë dhe burrat shqiptar” e nënshkruar nga Ministri i Drejtësisë mbështetur nga UNDP.
ma.me