Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, si edhe ka zbardhur dy të tjera, të kryera nga një 37-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në pranga është vënë 37-vjeçari Perikli Doçi, i cili u kap pas një ndjekjeje policore në zonën e Paskuqanit. Sipas policisë në momentin e ndalimit, ai mbante maskë silikoni.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti lëndë eksplozive gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse, një armë zjarri me municion dhe një motomjet pa targa, i dyshuar i vjedhur.
Nga hetimet, 37-vjeçari dyshohet i përfshirë në dy ngjarje kriminale të mëparshme në Paskuqan, përfshirë të shtëna me armë zjarri ndaj një banese dhe vendosje lënde plasëse, ku janë shkaktuar dëme materiale.
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Kontigjenti”.
Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale kundër personit dhe pronës, si dhe zbardhen 2 të tilla, të kryera nga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapet, si rezultat i ndjekjes policore, një 37-vjeçar që kishte siguruar, për qëllime kriminale, lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa.
Në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur maskë silikoni.
Sekuestrohen sasi lënde eksplozive (gati për shpërthim), 10 litra lëndë djegëse, 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, 1 maskë silikoni dhe 1 motomjet pa targa (i dyshuar i vjedhur).
Si rezultat i vigjilencës së shtuar të shërbimeve të Policisë së Tiranës, për garantimin e sigurisë së qytetarëve, si dhe falë intensifikimit të kontrolleve dhe administrimit të informacioneve në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontigjenti”.
Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi P. D., 37 vjeç, banues në Paskuqan.
37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.
Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.
Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.
Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, P. D, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.











