Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim në Lushnjë, pasi u kap teksa lëvizte i armatosur në qytet.
Policia lokalizoi një bar-kafe në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku dyshohej se ndodhej shtetasi i armatosur. Gjatë ndërhyrjes, oficerët gjetën një armë pistoletë me municion në xhepin e një xhupi, që ishte lënë në tavolinë.
Pesë të rinj, shokë të 21-vjeçarit, u arrestuan për moskallëzim krimi, pasi nuk treguan se kujt i përkiste xhupi dhe arma. Në banesën e shtetasit M. S. u gjet edhe municion luftarak.
Policia ka sekuestruar armën, municionin, një automjet dhe pesë celularë, ndërsa vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/ Lëvizte i armatosur në qytet, shpallet në kërkim një 21-vjeçar.
Arrestohen 5 të rinj, shokë të 21 vjeçarit, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte me armë zjarri në qytet, dhe se ndodhej në një lokal bashkë me disa shokë të tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar lokalin, një bar-kafeje në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku dyshohej se ndodhej shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë për arrestimin tij.
Gjatë ndërhyrjes shërbimet e Policisë kanë gjetur në xhepin e një xhupi, që ishte lënë në nga karriget e tavolinës ku ndodheshin 5 të rinjtë, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi i personit që posedonte xhupin dhe armën e zjarrit , konkretisht shtetasi M. S., 21 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte larguar pak minuta më parë për në një berberhane dhe do kthehej përsëri.
Po në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit E. K., 20 vjeç, S. Sh., 24 vjeç, G. M., 21 vjeç, H. T., 20 vjeç dhe L. S., 22 vjeç, të gjithë banues në Lushnjë, të cilit ishin në një tavolinë me shtetasin M. S, dhe nuk treguan se kujt i përkiste xhupi dhe arma duke penguar Policinë në veprimet e saj.
Po në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. S , u gjet municion luftarak (fishekë).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit tip pistoletë, municioni luftarak, 1 automjet dhe 5 aparate celularë.
Vijon puna për kapjen e 21 vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, në ngarkim të 5 shtetasve të arrestuar, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit M. S., të shpallur në kërkim.











