Kryetari i Komisionit te Ligjeve Fatmir Xhafaj ka nisur nje leter para pak ditesh, ne adrese te krereve te Prokurorise se Pergjithshme, krerëve të Gjykatave, Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit. Ne te parashtrohen argumentat se perse procedura e perzgjedhjes se kandidaturave per Keshillin e Perkohshem te Emerimeve ne Drejtesi ka pasur shkelje dhe ka devijuar nga fryma e Kushtetutes.
Ne letren qe po botojme te plote me poshte, Xhafaj shprehet se “më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojë, edhe vetë rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë”.
Opinioni publik kujton sesi kreu i parlamentit Ilir Meta i doli publikisht ne mbrojtje kryeprokurorit Llalla, pas kritikave te ashpra qe u adresuan ndaj tij nga ambasadori amerikan Donald Lu. Meta mbrojti pikerisht proceduren te cilen Fatmir Xhafaj e konsideron si teresisht antikushtetuese, per arsye se sipas tij eshte luajtur me dispozitat ligjore ne menyre hileqare. Kjo leter e fut procesin e zgjedhjes se Keshillit te Perkohshme te Emerimeve ne Drejtesi dhe ne vijimesi edhe ate te zbatimit te Reformes ne Drejtesi, ne nje faze te paqarte. Nuk dihet se çfare do te ndodhe tani, kur edhe ish-kryetari i komisionit te posaçem parlamentar te Reformes, shprehet hapur se procedurat e ndjekura nga parlamenti, gjykatat dhe prokuroria, per krijimin e Keshillit te Emerimeve ne Drejtesi, kane qene antikushtetuese.
Me poshte letra e plote e kreut te Komisionit parlamentar te Ligjeve Fatmir Xhafaj, drejtuar kryeprokurorit, kreut te Gjykates Kushtetuese, kreut te Gjykates se Larte dhe per dijeni Presidentit Nishani dhe kryetarit te Kuvendit Meta:
Të nderuar Zotërinj,
Sikurse jeni në dijeni në datë 27 janar 2017, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, janë caktuar ndërmjet kandidatëve të propozuar nga Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive në nivel apeli, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për gjyqtarët e gjykatave të apelit dhe gjyqtarët e gjykatës administrative të shkallës së parë, nga Kryetari i Gjykatës së Lartë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë, të vendosur në faqen zyrtare, procedura e hedhjes së shortit është bazuar në pikën 3 të nenit 149/d dhe pikën 11 të nenit 179, si dhe në nenet 221 dhe 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe vendimin nr.3, datë 24.1.2017 të Kryetarit të Kuvendit “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
Referuar këtij njoftimi, por edhe asaj çfarë është dokumentuar dhe bërë publike në lidhje me këtë procedurë, më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojë, edhe vetë rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë.
Memo të cilën e keni bashkalidhur kësaj letre, përmban në mënyrë të plotë të gjithë argumentet dhe arsyetimin mbi paligjshmërinë e përzgjedhjes të listave të kandidatëve për zgjedhjen me short të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi dhe për rrjedhoj edhe të rezultatit të shpallur për disa nga anëtarët e tij. Rezultat i cili, për sa më sipër, është produkt i dy standarteve të ndryshme të aplikuara në procesin e hartimit të listave nga institucionet përgjegjëse.
Si ish-kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, e konsideroj të nevojshme të sjellë në vëmendjen Tuaj këtë fakt shumë të rëndësishëm juridik dhe politik.
Vlerësoj se injorimi i këtij fakti, cënon besueshmërinë e qytetarëve në procesin e ndërtimit të insitucioneve të reja të drejtësisë, si dhe kompromenton sinqeritetin e faktorëve politik dhe institucional në deklarimet e tyre për të mbështetur procesin e reformës në drejtësi, por edhe angazhimet e tyre kushtetuese dhe ligjore në këtë proces.
Duke besuar se kjo memo do të marrë gjithë vëmendjen e merituar Tuajën
Me respekt
Fatmir Xhafaj
MEMO
Mbi antikushtetueshmërinë dhe paligjshmërinë e caktimit të anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Kushtetuta dhe ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” përcaktojnë funksionin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), përbërjen, mënyrën e konstituimit, si dhe të organizimit të tij.
Anëtarët e KED zgjidhen me short ndërmjet kandidatëve të propozuar nga institucione të ndryshme.
Më datë 27 janar 2017, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Bazuar në nenin 284 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, me qëllimin për t’iu nënshtruar shortit :
Prokurori i Përgjithshëm ka hartuar një listë me emrin e 1 prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të 2 prokurorëve në nivel apeli, të cilët, sipas tij, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka hartuar një listë me emrat e 28 gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe të gjyqtarëve të gjykatës administrative të shkallës së parë, të cilët, sipas tij, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë ka hartuar një listë me emrat e 13 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët, sipas tij, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka hartuar një listë me emrat e 8 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Konstatohet se listat e dërguara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së rezultojnë të kenë shmangur nga shorti një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh.
Arsyetimi i përdorur prej Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të KLD-së është se prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë janë përjashtuar nga lista e shortit, për shkak të kritereve që ka vendosur neni 221 i ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Mbi këtë listë të paraqitur, në mjediset Kuvendit, është hedhur shorti. Në përfundim kanë rezultuar të zgjedhur 9 anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi dhe zvendësuesit e tyre.
Analiza ligjore e procesit
Procedura e ndjekur për hartimin e listës me kandidatët që ju nënshtruan shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi nuk ka respektuar nenin 179, pika 11 të Kushtetutës dhe nenin 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Në Pjesën e Tetëmbëdhjetë të Kushtetutës, të titulluar “Dispozitat kalimtare dhe të fundit”, janë parashikuar rregulla mbi vazhdimësinë e institucioneve ekzistuese, si dhe procedura për ngritjen e institucioneve të reja kushtetuese.
Argumentet në vijim dhe në tërësi arsyetimi i mëposhtëm hedhin dritë mbi antikushtetueshmërinë dhe paligjshmërinë e shortit të datës 27 janar 2017:
[1]
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një nga institucionet e reja kushtetuese, krijimi për herë të parë i të cilit, është parashikuar të bëhet sipas dispozitave kalimtare të Kushtetutës (nenit 179, pika 11) dhe të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (neni 284). Pra, dispozitat kalimtare të sipërcituara janë të vetmet norma të detyrueshme për tu zbatuar në rastin e krijimit të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
[2]
Norma juridike që vendoset si një dispozitë kalimtare kushtetuese synon të rregullojë një situatë të veçantë. Ajo është një përjashtim nga rregullat e përgjithshme që gjenden në përmbajtjen e vetë Kushtetutës. Dispozita kalimtare rregullon një marrëdhënie të posaçme, për një çështje të veçantë, që zbatohet brenda një afati të caktuar, tej të cilit, objektivisht, bëhet e pazbatueshme. Nëpërmjet dispozitës kalimtare kushtetuese nuk vendosen norma të përgjithshme dhe abstrakte, por norma që i referohen një situate konkrete, një marrëdhënie konkrete dhe që synon të zgjidhë një çështje konkrete.
Në momentin që përmbushet rregullimi i parashikuar në dispozitën kalimtare, ajo bëhet e pazbatueshme për të ardhmen, sepse konsiderohet e shteruar me zbatimin e saj. Pra, natyra shteruese e dispozitës kalimtare e bën atë të pazbatueshme në të ardhmen, për arsye se, në vijimësi, do të zbatohen rregullat kryesore që parashikohen në trungun kushtetues.
[3]
Në rastin e krijimit, për herë të parë, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (që emërtohet edhe si Këshill i Përkohshëm) nuk zbatohen dhe as nuk mund të zbatohen drejtpërdrejtë rregullimet e normës bazë të korpusit kushtetues (neni 149/d), për arsye se ato janë rregullime të detyrueshme që i përkasin një periudhe tjetër, post konstituimit institucional.
Kushtetuta në nenin 179, pika 11 ka rregulluar qartësisht krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka përcaktuar organin që organizon shortin dhe afatin e zhvillimit të tij, si dhe ka referuar në pikën 3 të nenit 149/d. Konkretisht, në pikën 11 të nenit 179 përcaktohet se “Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës…”.
Pikërisht, referimi vetëm në pikën 3 dhe jo në të gjithë pikat e nenit 149/d, i detyron organet e ngarkuara me zhvillimin e shortit të respektojnë atë kërkesë të parashikuar në këtë dispozitë kushtetuese, që lidhet me përbërjen prej 9 anëtarësh nga rradhët e gjyqtarëve e prokurorëve, me institucionet nga përzgjidhen, me mandatin 1 vjeçar të ushtrimit të funksionit, si dhe me kriterin pengues në përzgjedhje. Sipas nenit 149/d, pika 3 të Kushtetutës: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore…”
Pika 3 e nenit 149/d, e cila, në rastin e krijimit të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, është dispozita e detyrueshme për zbatim, ka vendosur vetëm një kriter pengues ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të Republikës që do të hidhen në short.
Kjo dispozitë kushtetuese pengon marrjen pjesë në short të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve është dhënë masë disiplinore.
Ky është i vetmi kriter ndalues.
Kriteret e tjera për gjyqtarët dhe prokurorët që marrin pjesë në short dhe që lidhen me shkallën e kualifikimit, rregullimi i të cilave i është deleguar ligjit (neni 221 i ligjit 115/2016), nuk zbatohen për këtë fazë kalimtare. Pika 5 e nenit 149/d të Kushtetutës, që ia ka deleguar ligjit rregullimin e kritereve të tjera, nuk gjen zbatim sipas dispozitave kalimtare, për arsye se neni 179, pika 11 të referon vetëm në pikën 3 të nenit 149/d, që ka si kriter mospasjen e një mase disiplinore. Organet që janë marrë me procedurën e hedhjes së shortit kanë zbatuar pikërisht nenin 221 të ligjit 115/2016, që në këtë rast është i pazbatueshëm.
Edhe dispozita kalimtare e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (neni 284, pika 7), të referon në nenin 179, pika 11. Sipas kësaj dispozite “Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zgjidhen në përputhje me nenin 179, pika 11, të Kushtetutës.”
[4]
Me synimin për t’i dhënë kuptim shortit (si një përzgjedhje rastësore midis shumë kandidaturave), Kushtetuta dhe ligji, për këtë fazë kalimtare, jo pa qëllim kanë parashikuar si të vetmin kriter pengues mospasjen e masës disiplinore për kandidatin dhe kanë përjashtuar zbatimin e kritereve të hollësishme që parashikohen në nenin 221 të ligjit 115/2016, siç janë përfundimi i Shkollës së Magjistraturës ose pasja e vlerësimeve “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit. Këto kritere, objektivisht, janë të parealizueshme për fazën kalimtare, sepse është e njohur për të gjithë se, Shkollën e Magjistraturës nuk e kanë përfunduar shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve që punojnë në sistem, ashtu sikurse është i njohur edhe fakti i emërimit në nivelet e apelit dhe më lart, i një numri të kufizuar magjistratësh, gjë e cila përjashtonte mundësinë e zgjedhjes së tyre me short.
Pikërisht, rregulli se gjyqtarë dhe prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës që ka gjetur parashikim, për herë të parë, në ndryshimet që ju bënë Kushtetutës në vitin 2016 (nenet 136/a dhe 148/ç), kërkon një kohë të caktuar për tu bërë i zbatueshëm.
[5]
Është një fakt i njohur gjithashtu se, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë aktualisht nuk kanë asnjë vlerësim “shumë mire”, për arsye se vetëm pas ndryshimeve kushtetuese ato janë përfshirë në sistemin e vlerësimit, ashtu si edhe gjyqtarët e niveleve të tjera. Pra, pas kësaj faze kalimtare, kur prurjet e gjyqtarëve e prokurorëve do të jenë vetëm nga Shkolla e Magjistraturës, kur gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të përfshihen në sistemin e vlerësimit dhe kur hedhja e shortit do të ketë kuptim për tu realizuar, sipas një përzgjedhje rastësore të kandidaturave, dhe jo përmes paracaktimit të tyre, zbatimi i kritereve sipas nenit 221 të ligjit 115/2016 është i detyrueshëm.
Për këtë arsye, Kushtetuta në nenin 179, pika 11, por edhe ligji 115/2016, në nenin 284, pika 7, kërkojnë që zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, për këtë faze kalimtare, të përfshijë në short të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të nivelit të lartë, të nivelit të apelit dhe gjyqtarët administrativë, me kushtin e vetëm që të mos kenë masë disiplinore në fuqi. Përjashtimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nga listat e hedhjes së shortit, pa respektuar këtë kriter është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me ligjin 115/2016.
[6]
Nuk duhej zbatuar për këtë fazë kalimtare neni 221 i ligjit 115/2016, për një arsye shumë të thjeshtë, por edhe shumë determinante. Neni 221 nuk është formuluar as për Prokurorin e Përgjithshëm, as për Sekretarin e Përgjithshëm të KLD, as për Kryetarin e GJK dhe as për Kryetarin e GJL, por është formuluar sipas pikës 3 për organe të tjera, që janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që “verifikojnë nëse kandidatët për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni,” dhe që “i paraqesin Presidentit të Republikës dhe Kuvendit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet.”.
Pra, për fazën kalimtare të krijimit të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, nuk zbatohet dot neni 221, sepse këto organe (KLGJ/KLP) ende nuk janë krijuar.
[7]
Vetë KLD në njoftimin e vetë për shtyp të datës 27 janar 2017 ka pranuar se në këtë procedurë ajo i është referuar dipozitave kalimtare.
Kështu në këtë deklaratë thuhet se :
“Dispozitat kalimtare në asnjë moment nuk parashikojnë që në këtë fazë kalimtare Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të bëjë publike në faqen zyrtare të listave me kandidatët që i plotësojnë kushtet dhe lista me kandidatët që nuk plotësojnë kushtet bëhen publike. Gjithashtu, këto dispozita kalimtare nuk parashikojnë që kandidatët e përjashtuar të njoftohen me shkrim, individualisht dhe në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit”.
Pra vetë KLD pranon se në këtë fazë nuk i është referuar nenit 221 të ligjit 115/2016, por dispozitave kalimtare (nenit 284). Sipas vetë KLD-së, këtë dispozitë kalimtare ka qenë i detyruar të zbatojë Sekretari i Përgjithshëm i KLD dhe jo nenin 221 të ligjit. Dhe këtu në vazhdim, vlerësimi i kritereve sipas nenit 221 të ligjit 115/2016, nuk bëhen nga Sekretari i Përgjithshëm, por sikurse vetë KLD pranon në deklaratën e saj (citoj):
“janë detyrime të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organ i cili verifikon plotësimin e kushteve të kandidatëve dhe paraqitjen e listës së kandidatëve që plotësojnë kushtet, Presidentit të Republikës.”
Pra, kur i kërkohet KLD-së të zbatojë nenin 221 të ligjit 115/2016 për bërjen publike të kandidatëve të skualifikuar, si dhe njoftimin e tyre personalisht, Deklarata për Shtyp të referon te dispozita kalimtare, neni 284, ndërsa kur i kërkohet të respektojë vetëm dispozitën kalimtare për përfshirjen në short të të gjithë gjyqtarëve, me përjashtim të atyre që kanë masë disiplinore, të referon te neni 221 i ligjit.
Bazuar në sa më sipër është e qartë se:
(i). Kemi Këshill të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi (KPED), që zgjidhet për një periudhë tranzitore dhe Këshill të Emërimeve në Drejtësi (KED).
(ii). Kushtetuta dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” sanksionojnë në dispozita të ndryshme rregulla të ndryshme për zgjedhjen e anëtarëve të këtyre organeve;
(iii). Procedura e shortit e zhvilluar në datën 27 janar 2017, që konsistonte në zgjedhjen e anëtarëve të KPED nuk ka nxjerrë një listë anëtarësh për Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” të specifikuara për krijimin e këtij organi të përkohshëm.
Referenca të Kushtetutës dhe ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”:
(I)
KUSHTETUTA:
Neni 149/d (KED)
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme.
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
- Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë krijon kushtet e punës për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
- Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj.
………
PJESA E TETËMBËDHJETË
Dispozita kalimtare dhe të fundit
Neni 179
- Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm.
- Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
- Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.
- Anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm. Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati, emërohen sipas dispozitave të këtij ligji.
- Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Për emërimet e para për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 149, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
- Gjatë mandatit të tyre nëntëvjeçar gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, sipas nenit 179/b, kanë juridiksion disiplinor ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kolegji i Apelimit shqyrton ankimet ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masave disiplinore, përkatësisht ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë.
- Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Transferimi i çështjeve do të bëhet në përputhje me ligjin. Gjyqtarët në detyrë pranë këtyre gjykatave do të transferohen në gjykata të tjera, në rast se ata ose familjarët e tyre të afërt nuk japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe telekomunikimeve vetjake. Prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit. Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari. Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit.
- Inspektori i Lartë i Drejtësisë emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Mënyra e funksionimit të inspektorateve ekzistuese gjatë periudhës kalimtare rregullohet me ligj.
- Gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës qëndrojnë në detyrë dhe janë subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas nenit 179/b dhe aneksit të këtij ligji.
- Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji.
- Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.
- Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit.
(II)
Ligji nr. 115/2016
“ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”
PJESA E VII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
KREU IV
KËSHILLI I EMËRIMEVE NË DREJTËSI
Neni 284
Krijimi i Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Sistemin e Drejtësisë
- Prokurori i Përgjithshëm harton një listë me emrat e të gjithë prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive në nivel apeli, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe ia dërgon atë menjëherë Presidentit të Republikës.
- Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë harton një listë me emrat e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe të gjyqtarëve të gjykatës administrative të shkallës së parë, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe ia dërgon atë menjëherë Presidentit të Republikës.
- Kryetari i Gjykatës së Lartë harton një listë me emrat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe ia dërgon atë menjëherë Presidentit të Republikës.
- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese harton një listë me emrat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe ia dërgon atë menjëherë Presidentit të Republikës.
- Në rast se një ose disa nga institucionet e përmendura në pikat 1 – 4, të këtij neni, nuk e paraqesin listën, Presidenti i Republikës e harton listën vetë në bashkëpunim me Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Mosparaqitja e listës përbën shkelje disiplinore për subjektet e përmendura në pikat 1 – 4 të këtij neni.
- Presidenti i Republikës organizon shortin për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të përkohshëm të emërimeve në drejtësi pa vonesë. Procedurat e shortit dokumentohen nga Presidenti i Republikës. Procedurat e shortit zhvillohen në prani të Avokatit të Popullit, i cili harton dhe bën publik një raport monitorimi mbi procedurën e shortit.
- Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zgjidhen në përputhje me nenin 179, pika 11, të Kushtetutës.
- Presidenti i Republikës boton një relacion për procesin e zgjedhjes në faqen zyrtare të Presidencës. Avokati i Popullit publikon raportin monitorues në faqen zyrtare të tij.
- Anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen rivlerësimit me përparësi.
Tiranë më 12 shkurt 2017