Pas hartimit të projektligjit për zgjidhjen e problemit të debive, ushtarakët kërkojnë shfuqizimin e ligjit që miratoi aktin normativ në vitit 2009, prej të cilit ata janë penalizuar për pensionet e parakohshme dhe ato suplementare. Në këtë situatë, Shoqata e Xhenierëve, si pjesë e grupimit që e vuan më tepër këtë fakt, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës, jep argumentet dhe kushtet se pse duhet të ndërhyhet në ligjin për pensionet e parakohshme. Edhe pse kanë kaluar afro 8 vite, që kur kjo kategori u penalizua për çështjen e pensioneve, por edhe për të të drejtat që parashikon statusi i Forcave të Armatosura, ende nuk ka një zgjidhje konkrete nga ana e qeverisë. Letra që disponon “Shekulli” e që botohet sot, mban si kërkesë kryesore në titullin e saj rikthimin e të drejtës së nenit 35 të statusit të ushtarakut me efekte nga data 1 korrik 2009.
Letra e hapur
“Po mbushen 25 vjet që me të drejtën e ushtarakut për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi janë bërë gjithë ato zullume. Në korrik 1999 u rikthye 50 plus 2 përqindëshi, duke e kufizuar 2 përqindëshin deri në një pension maksimal. Po kështu ka ndodhur edhe me masën e caktuar nga neni 35, pika 1 e statusit të ushtarakut të 23 marsit 2004. Nga 50 për qind të pagës mujore për 12-15 vjet, deri në pension pleqërie duke i shtuar 2% të pagës mujore për çdo vit tjetër, me nenin 14 të ligjit të të thjeshtë të 20 majit 2006 u kufizua në 4 pensione bazë dhe me ligjin e 16 shkurtit 2006, kufizimi u shkallëzua nga 3 deri në 6 pensione bazë. Ligji 10142 i 15 majit 2009 kufizimin e çoi në 2 pensione bazë të pagës mesatare neto dhe akti normativ, të gjithë masën e përfundoi ne 1.5 % të pagës mesatare neto refruese të të gjithë karrierës. Ushtaraku, nga 27 qershori 2009, për 10 vjet, nuk gëzon të drejtën për këtë pension. Për 12 e 15 vjet merr 18-22.5% dhe për 20 vjet merr 30% të pagës mesatare neto referuese të të gjithë viteve të shërbimit.
Për rrjedhojë rreth 80% e ushtarakëve nga 27 qershori 2009, nga 17356 lekë marrin 10268 lekë sa një pension minimal në shkallë vendi dhe janë shpallur debitorë në shumën që varion nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë. Kjo maskaradë erdhi pas vendimit nr. 33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese që sanksiononte se masa maksimale e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ( masa 50% e pagës mujore për 12 e 15 vjet duke i shtuar 2% të pagës mujore për çdo vit mbi 12 e 15 vjet) dhe kufizohet nga pika 2 e nenit 14 e ligjit nr.10142, për interesa të rëndësishme publike. Ajo ndodhi pas shfuqizimit antikushtetues të pikës 2 të nenit 14 të ligjit dhe përcaktimit nga ky vendim se, nuk lejohet asnjë lloj rillogaritje që mohon e zvogëlon të drejtën e fituar me ligj të mëparshëm. Kjo vazhdon të jetë në fuqi e për këto 2 vjet e gjysmë të qeverisjes tuaj. Rrjedhimisht ushtarakët marrin sot një pension 342-400 lekë në ditë ose 10268-12000 lekë në muaj, ndërkohë që pasardhësit e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë marrin përkatësisht 1000 dhe 2000 mijë lekë në ditë ose 30000 dhe 60000 lekë në muaj.
E gjithë kjo ndodh në kushtet kur pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi është e drejtë themelore kushtetuese që buron nga neni 52 pika 2 e kushtetutës. Nisur nga ky realitet, sjellim në vëmendjen tuaj se rikthimin e nenit 35 pika 1, të statusit të Ushtarakut dhe shfuqizimin e ligjit nr. 10367, datë 23.12.2010 që miratoi aktin normativë nr. 5 datë 10.11.2010 është detyrë dhe detyrim kushtetues. Është detyrim sepse Kushtetuta e Republikës në pikën 2 të nenit 52, në rast papunësie të detyruar dhe për shkak të kësaj, mbetjes pa mjete jetese, detyron shtetin të jap ndihmë në kushtet e parashikuara nga ligji. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi i jepet ushtarakut pasi del në rezervë a lirim, i mohohet e drejta e ushtrimit të mëtejshëm të profesionit dhe përfundon në papunësi të padëshiruar (detyruar) dhe pa mjete të tjera jetese.
Katër pikat e dakordësuara
Kushtet që përcakton pika 1 e nenit 35 të statusit të Ushtarakut janë renditur në vijim të letrës, që ushtarakët kanë formuluar për qeveritë. Ata kanë formuluar katër të tillë, të cilat i konsiderojnë si të drejta themelore, të garantuara nga Kushtetuta. Së pari, ushtaraku që ka 15 vjet (mashkulli) dhe 12 vjet (femra) vjetërsi shërbimi gëzon të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Së dyti, për 15 vjet vjetërsi shërbimi (mashkulli) dhe 12 vjet (femra) përfitojnë 50 për qind të pagës mujore (referuese). Së treti, për çdo vit tjetër shërbimi mbi 15 vjet mashkulli dhe 12 vjet femra masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mujore (referuese). Së katërti, masa 50 % e pagës mujore (referuese) për 15 vjet e 12 vjet, duke i shtuar 2 për qind për çdo vit tjetër shërbimi mbi këtë vjetërsi ushtaraku e përfiton deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie.
Gjykata Kushtetuese, pse vendimet nuk ekzekutohen
Në argumentet e tjera që ushtarakët kanë renditur, citohen edhe vendimet që ka dhënë Gjykata Kushtetues për ankimimet që ata kanë bërë. Sipas tyre, shfuqizimi i aktit normativ dhe reflektimi i nenit 35, përbëjnë detyrim kushtetues edhe për faktin se, shfuqizimi antikushtetues i pikës 2 të nenit 14 prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, njohu dhe garantoi paprekshmërinë e pikës 1 të nenit 14 të ligjit nr.10142/2009, pikë kjo e njëjtë me nenin 35 të statusit të Ushtarakut.
“Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese sanksionoi të pacenueshme masën e pensionit 50 për qind të pagës referuese për 12 vjet (femra) dhe 14 vjet (mashkulli) deri në pension pleqërie duke i shtuar asaj 2 për qind për çdo vit tjetër sipas gjinisë. Gjithashtu, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka saktësuar në mënyrë të prerë e taksative se rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensionit suplementar të pleqërisë do të bëhet vetëm me një kusht”, thuhet në letër. Më tej vijon argumenti edhe për kushtin e rillogaritjes. “Kjo rillogaritje, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve, dhe se në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara. Çdo interpretim dhe zbatim në kundërshtim me kushtet e mësipërme, ai i konsideron antikushtetues”, theksohet në letër.
Shembull: Paratë që na janë mbajtur
Nga rillogaritja masa e pensionit e ushtarakëve që e kanë përfituar nga 1999 deri në fund të vitit 2003 nga 8000 lekë e lart, kanë përfunduar nga 4000 deri në 4400 lekë. Shumicës së atyre që pensionin e kanë përfituar nga 1 janari 2004 – korrik 2009, masa e pensionit ka përfunduar sa një pension maksimal a diçka më shumë. Rreth 80 për qind e këtyre përfituesve janë shpallur debitor në shuma që variojnë nga 100 000 deri në 400 000 lekë, pa qenë debitor për një shtet të së drejtës dhe për nga pensioni 12 000 lekë çdo muaj u mbahet 25 për qind e kësaj shume. Shfuqizimin e bën detyrim kushtetues edhe vendimi nr. 2, datë 18.02.2013, i cili shprehet me disa argumente.
Së pari, përfitimi që vjen nga papunësia e padëshiruar, sikurse është pensioni i parakohshëm për vjetërsi që i jepet ushtarakut pas daljes në rezervë a lirim, mbetjes në papunësi të padëshiruar dhe pa mjete jetese i përket sigurimeve shoqërore bazë (të detyruar). Lidhur me këtë shprehimisht ky vendim thotë se “Prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim”. Së dyti, ato që ndryshohen për interesa të rëndësishme publike janë sigurimet shoqërore suplementare. Këtë e shpreh kur thotë: “Vetëm ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, dhe që se ndërhyrja e ligjvënësit para interesit publik justifikohet në skemën e sigurimeve suplementare”. Ushtarakët kërkojnë nga qeveria, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të mohuara këto, jo vetëm në masën e pensionit, por edhe në aspektin moral të kësaj kategorie.
Neritan Gjergo