Edi Rama i strukur në mungaden e tij, shtrënguar nga rrethanat, ka shkruar një letër për “shtatë krajlat”!. Ai, nëpërmjet saj ka shpallur falimentimin e shtetit shqiptar. Një zot e di se ç’kanë menduar kryeministrat e Bashkimit Europian?! Homologu i tyre shqiptar nuk i pat stepur aspak habie me atletet plot nur të bardhë. Sot, teksa nxin imazhin e vendit të tij me këtë “qorrferman” rrëfyes e kërcënues, mbase ia del t’i lërë shtang habie!? Edi Rama është ngjitur nëpërmjet shkrimit, me të kërkon të mbrohet, por bash germat e dala nga dhëmbët e Kadmosit po e padisin atë.
Teksti e ka specifike marrëdhënien me të vërtetën dhe gënjeshtrën. Prej të pares strukturohet, nga e dyta dezintegrohet, duke tradhtuar funksionimin e semantikes dhe zgaqur si jetime shenjat e saj të pambrojtura. Po, me rreshta bymyer retorike, Edi Rama e ka pranuar faqe botës me një diatrribë bajagi të gjatë se Shqipëria “e rilindur” rrezikohet nga trafiku i drogës dhe nga krimi i organizuar. Po kaq shqeto i drejtohet Europës dhe i thotë hajde na ndihmo ti se përndryshe na e sheh pikën e sherrit, moj jallane zemërgur!
Asnjë shtetar shqiptar s’e ka përgënjeshtruar vetveten kaq vendosmërisht deri më sot. Askush s’ka guxuar ta shtrijë hapin në akrobaci të tilla për të bashkuar dy brigje që i largohen njëra- tjetrës si vija e horizontit, shikimit. Për të ndërtuar urën nga mohimi i plotë te pohimi i plotë nuk mjaftojnë disa psherëtima! Po përgjegjësia ku u zhduk? Cili politikan në ato vende ku mbërriti letra do t’i ikte asaj me lehtësinë me të cilën fëmijët braktisin lodrat? Opinioni publik dhe opozitat politike do ta “gozhdonin”! Këtu të dyja janë në agoni.
Opozita refuzon me stoicizëm ta kuptojë se vetëm koherenca politike, karta morale dhe intelektuale ta afrojnë besimin e qytetarëve! Kjo vragë nuk relativizohet dot me shiharetet plot pjalm të zonjave gazmore përzier me shakllabanizmin e përjetshëm të servileve djegur buzësh në skropin e nxehtë të korrupsionit. Ata dinë të bëjnë vetëm një punë, të vikasin lepepeqe me thalb të shpirtit me syrin zgavër nga lakmia e karriges nën dritën e hënës. Këto janë sirenat që gudulisin veshët e ndjeshëm të Lulzim Bashës dhe pengojnë kthimin e shikimit kah Opozita!
Kur të dyllosë veshët e të fërkojë sytë, mbase diçka ndërron. Me batuta e humbet garën me Ramën. Kjo është një rënie vullnetare në kurthin e tij. Kryetari i Opozitës nuk duhet domosdo të jetë edhe shakaxhi. Ai duhet ta sfidojë Qeverinë me seriozitet, nëse mundet. Tani e ka me presh në duar ose në letër. Kujt s’i kujtohet mohimi frenetik i kanabizimit të vendit për tri vite rresht?! Avionët që binin e të tjerë që ngriheshin sipas devizës një bie, qindra ngrihen.
Pistat si kryevepra inxhinierike ndërmjet Tiranës dhe Durrësit si lidhëz bashkëkohësie a mund t’i mbulojë me pluhur kujtesa e sulmuar brutalisht nga lajmet e përditshme?! Tonelatat e shumta dhe trafikantët me mbrojtje politike, këta turistë surprizë nga vendi i shqipeve, nën markën “made in Albania” pushtuan kryeqytetet e kontinentit. Ministri i Brendshëm, i cili akuzohej nga mëngjesi në darkë nga media dhe opozita, konsiderohej më i suksesshmi, më i forti, më i miri, më i bukuri, një lis i gjatë i denjë për të tilla rrufe.
E kemi dëgjuar shpesh fjalën e urtë “qentë le të lehin, karvani ecën përpara” nga propaganda zyrtare! Injorimi i faktit si mbrojtje e tij, sulmi ndaj evidentuesve, ishte strategjia e maxhorancës së majtë për katër vjet. U deshën hetimet italiane për t’ia hequr tullat ku mbahej këtij qëndrimi, sa arrogant e fyes e po kaq mbytës për shpresën e çdokujt që kult ka normalitetin në një vend si ky i yni plot me mungesa. Çdokush që denonconte këtë projekt politik kriminal, i cili ishte hashashi, quhej “pjesë e kazanit të baltës”, “tellall”, “bjerrakohës”, “gramafonë të Saliut”, që po ndynte imazhin e Shqipërisë në botë.
Me papërtueshmërinë që e karakterizon në kërkim metaforash, Kryeministri s’ka lënë epitet negativ pa përdorur ndaj gjithë atyre që nuk reshtën së denoncuari duke propozuar përballjen me të keqen dhe jo mbulimin e saj me jorganin e interesave politike e financiare. Deligjitimimi i mediave në besueshmërinë e tyre publike këta muaj po njeh zenitin, sepse qeveria dhe pushteti në përgjithësi e dinë si flenë, por nuk e dinë si zgjohen, duke ecur përmbi “bomba” qendrore e lokale skandalesh. Kjo është strategji për të relativizuar publikimet e tyre, suksesi i së cilës nuk duket i garantuar.
Me letrën që u dërgon kolegëve të tij të BE-së, Rama ka përvetësuar “kazanin e baltës” nga i cili mbush kovën dhe se derdh mbi karta, sipas të cilave Shqipëria është hambar droge dhe autostradë krimi. Po, në kohën e Edi Ramës kjo ndodhi. Ai tre vjet me vonesë, pasi ka marrë përfitimet, befas bën të çuditurin dhe të shqetësuarin, politikanin e sinqertë e të dëshpëruar nga dështimi.
Alarmi sos për ndihmë është gjesti i fundit nobiliar i një kapiteni që s’do t’i mbytet anija dhe marinarët me të cilët bitisi udhëtimin. Kështu do të donte të dukej me një rrudhë më shumë, me një thinjë më tepër për t’u shfaqur si viktimë e denjë për mëshirë të pafre. Kjo është hipokrizia më e madhe e tij dhe budallallëku më i madh mendor për të gjithë ata që e besojnë. Me gjasë nuk do të jenë shumë kësaj here që i ngjiten asaj rrëpire zbathur, duke shkelur mbi ferrat, gastaret e çopejkat e një arsyetimi të myrretuar nga frika se mos pushteti të lë në gishtërinj duke shkuar pluhurin e kohës si prush.
Gazeta të rëndësishme europiane ia bënë nderin dhe ia botuan letrën. Çfarë mesazhi morën lexuesit e tyre? Vetëm një. Shqipëria tashmë edhe zyrtarisht është zonë krimi në dyert e Europës. Kësaj here, Edi Rama tahmaqar siç është, na e mori të gjithëve “kazanin” dhe “baltën” e si një “ciklop” inatçi e rrokullisi në zemër të bijës së Zeusit, Europës, duke ngjyer me të zezën e turpit bashkëkombasit e tij. Kazani ka mbetur bosh. Dikush duhet “hedhur” në të politikisht dhe kulturalisht si model!