Në këtë letër Durham jep të dhëna autobiografike, të cilat, me sa duket, ia ka kërkuar Mit’hati për një shkrim për të në një nga gazetat kohës. Letra është zbuluar kohët e fundit. Të bën përshtypje modestia e Durham në fund të letrës, ku ajo i kërkon Mit’hatit të mos publikojë foton e saj, por edhe në këto shënime “nuk ka ndonjë gjë interesante”…
Londër, 1 shkurt 1921
Miss Edith Durham
Mit’hat Frashërit
I dashur Zotëri
Jam lindur në vitin 1863 dhe më e madhja e fëmijëve të Arthur E.Durham, kryekirurg i spitalit Guy në Londër. Në moshën 11 vjeç hyra si nxënëse e jashtme në një shkollë të vogël që e mbanin dy gjermanë, Zoti dhe Zonja Pretorius. Zonjës Pretourius dhe nënës sime i detyrohem shumë për kujdesin e vazhdueshëm që tregonin për mbarëvajtjen në mësime të fëmijëve, sepse ata më futën edhe dëshirën për të nxënë. Po ashtu u detyrohem shumë edhe mësuesve, sidomos mësuesit të latinishtes e atij të anglishtes. Në moshën 14 vjeç më dërguan në kolegjin Bredford të Londrës ku ndenja deri në moshën 19 vjeç. Gjithnjë kam dashur të bëhem piktore dhe kështu në moshën 19 vjeç shkova në Shkollën e Arteve të Bukura të St. Johan’s Wood-it. Kur isha 21 vjeç mora një bursë për në Akademinë mbretërore të Arteve të Bukura në Londër, ku punova tre vjet. Fillova të bëj ilustrime, ekspozova disa tablo dhe kur shpresoja të arrija suksesin, vdekja e papritur e vëllait të madh dhe e tim ati m’i shkatërruan të gjitha shpresat. Shëndeti i së shkretës nënës sime u trondit. U shtrëngova të heq dorë nga studimet e mia. Të mbaja një atelie ishte e pamundur, sepse nuk mund ta lija vetëm nënën time të sëmurë. Pesë vjet punë e përkujdesje më lodhën aq sa mjeku më konsideroi aq të sëmurë sa tha se kisha nevojë absolute për dy muaj pushim çdo vit, për të shpëtuar shëndetin tim. Të rrija gjithmonë mbyllur brenda ishte e pamundur. Dëshira ime e zjarrtë ishte të kthehesha tek arti im. Në këto rrethana bëra një udhëtim për arsye shëndetësore, një udhëtim në Adriatik dhe shkova, rastësisht, në Mal të Zi.
Atje mbajta shumë shënime dhe bëra shumë skica. Dhe, meqenëse rrethanat në shtëpi nuk më linin të merresha me pikturë, si një mjet për të ndryshuar sadopak shërbimin monoton të atij që kujdeset për një të sëmurë, fillova të merrem me studime antropologjike duke shpresuar që çdo vit gjatë pushimeve të mia të hyja sa më thellë në Ballkan, të vizitoja secilin vend dhe të bëja studime krahasuese midis popujve të ndryshëm. Pasi më vdiq nëna vendosa t’u kushtohesha krejtësisht këtyre gjurmimeve si dhe pikturës dhe të kapja kështu 11 vitet e humbura. Më zgjodhën anëtare të Institutit Mbretëror të Antropologjisë të Londrës. Dhe nëpër malësitë e Shqipërisë së Epërme fillova studimet e mia, me shumë shpresë dhe mund të them, edhe me shumë sukses. Kështu, për të dytën herë po e rifilloja jetën dhe nuk parashikoja më pengesa. Për fat të keq, po atë vit plasi kryengritja e turqve të rinj, e pasuar pothuaj menjëherë nga kryengritjet e malësorëve. Meqenëse ndodhesha në vend dhe nuk kishte njerëz që t’i ndihmonin refugjatët e shkretë, fillova të mbledh nga pak të holla dhe t’u njoftoj gazetave situatën e krijuar.
Dhe ja që për të dytën herë, të gjitha planet dhe shpresat e mia u shkatërruan. Që prej këtij momenti të hidhur, sikurse e dini mire edhe ju vetë historia e Shqipërisë nuk është veçse një luftë e vazhdueshme. Jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e gjithë vendeve të tjera ballkanike. Me ankth e gjeta veten të përfshirë midis rrotave të politikës.
S’kishte më studime e as pikturë. Kur përfundoi Lufta Ballkanike, besoja se njohja e pavarësisë së Shqipërisë do të më shpëtonte edhe mua. Në mars të 1914 u nisa nga Londra me shpresa të përtërira, me bojërat e ujit dhe gjithë mjetet e tjera për pikturë, me qëllim që të rifilloja jetën dhe me shpresë që të bëja gërmime për të gjetur objekte prehistorike.
Kur arrita në Trieste mora vesh se gjendja në Shqipëri ishte tashmë shumë e rëndë dhe kur të arrinim në Durrës lufta mund të kishte filluar. Zoti Harry Lamb më dërgoi në Vlorë që t’i çoja prej atje disa njoftime mbi sulmin e grekëve dhe gjendjen e refugjatëve. Lufta e madhe kishte shpërthyer dhe të shkretat plane e aspiratat e mia, ashtu si ato të miliona njerëzve të tjerë qenë shkatërruar. Nuk kam më forcë për të rifilluar për të tretën herë kërkime e gjurmime që duan energjinë e viteve të rinisë. Por, shpresoj gjithnjë të shpëtoj nga ky skllavërim i politikës dhe të gjej kohën e lirë të paktën për të redaktuar shënimet e mia.
Kur i premtova zonjës Dako në Korçë dhe imzot Preng Doçit në Orosh se do të bëja ç’të kisha mundësi për të ndihmuar Shqipërinë, nuk kisha asnjë ide ku do të më çonin këto premtime. Ja zotëri, historia e një zhgënjimi të gjatë. Por, ndoshta si thonë malësorët, kështu ishte e shkruar, apo jo? Të bëhet ç’të bëhet!
Nuk jap kurrë leje të botojnë fotografinë time dhe meqenëse ua kam refuzuar këtë leje shumë gazetave, nuk mund t’jua jap as juve.
Tani i uroj Shqipërisë të ketë paqe.
A do të mund të redaktoni një artikull nga këto shënime? Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë shumë interesante.
T’u ngjatë jeta (këto fjalë janë shkruar në shqip)
- Edith Durham
AQSH, Fondi 35, viti 1921, dos.36/5, fl.101.
Zylyftar HOXHA
Ajo ka bërë shumë për Shqipërinë. Kur themi shumë! Shumë! Por edhe në mos, mjafton vetëm një rast, një akt i saj i veçantë dhe simbolik që ajo të nderohet dhe respektohet si heroinë, kur në ditën e pushtimit fashist më 7 prill të vitit 1939, në moshën 76-vjeçare, me një tabelë kartoni varur në qafë ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”! “Ndihmoni Shqipërinë”! – protestoi e vetme për orë të tëra para Ministrisë së Jashtme Britanike, veprim që e përsëriti ditë me radhë, aq sa i detyroi autoritet e larta angleze t’i kushtonin asaj vëmendje dhe, ndoshta-ndoshta ndikoi në rishikimin e qëndrimit të tyre.
Durham, lindur në Londër, e kishte vizituar për herë të parë Ballkanin më 1900, kur tashmë ishte në fund të tridhjetave dhe udhëtimi u dëshmua si pikë kthese në jetën e saj. Publikoi shtatë libra dhe në një numër gazetash shkrime për rajonin, përfshirë raportet për Luftën e Parë Ballkanike. Vrojtimet e saj shpeshherë ishin të mprehta. Ajo ishte njohëse e Serbisë dhe e Malit të Zi, por dashuria e saj për Shqipërinë ishte mbisunduese. Me pikëpamjet e saj përparimtare dhe karakterin e pavarur, Durhami ishte një hap para kohës në shumë aspekte, duke u qëndruar të tjerëve, sidomos shqiptarëve të vuajtur, në krah përherë si motër gjaku.
Ne dhe Durham
Veprimtaria e Edit Durham në Shqipëri dhe për Shqipërinë si udhëtare, si artiste, si etnografe, si antropologe, si shkrimtare dhe si humaniste është e madhe dhe e veçantë. Për afro një gjysmë shekulli ajo lidhi fatet e jetës saj me fatet e Ballkanit dhe veçanërisht të Shqipërisë. Veç veprimtarive të tjera të karakterit politik, social e shkencor, ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme”, e shkruar në vitin 1909, është më e njohura dhe më e arrira. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën “Njeriu” (Man) e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë. Me mendje të ndritur dhe gjeneroze, ajo kuptoi me shpejtësi shpirtin e shqiptarëve. Pa frikë dhe kompromis, ajo i tregoi botës dhe ligjeve të saj për ato që kishte mësuar. Shqiptarët nuk e kane harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë këtë angleze. Në malet e Shqipërisë, që ajo i njohu shumë mirë, lajmi për vdekjen e saj në atë kohë bëri bujë te të njohurit e shumtë, por edhe te ata që kishin dëgjuar për të.
“Ju që më dhatë bukë, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet”
Nga shënimet shumta dhe vlerësimet të Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët do të veçonim këtë paragraf nga libri i saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”.
“Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin europian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet. Zotat e kishin bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati, gati natyror, tejkalon herë herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe. Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Europa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme! Edhe në universin e frymës ndjehem e respektuar nga shqiptarët e tokës dhe të qiellit, jam mes tyre si ata, shqiptare që vijon të eci atyre hapësirave epike dhe humane pa u lodhur, jam në besë të tyre”.
Mirënjohje, Durham!
Ti meriton më shumë nga ne për fisnikërinë tënde sublime!
E vërteta është se shqiptarët e kanë nderuar dhe e nderojnë edhe sot Durham, pasi ajo u fali zemrën atyre, ndërsa ata mirënjohjen e thellë. Ndaj dhe studimet e saj ata i konsiderojnë si pjesë autentike dhe të pandara të historisë së tyre. Madje ajo cilësohet e nderohet si një nga figurat më të spikatura të huaja të shekullit të kaluar që ka luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë qoftë nga Presidenca, qoftë nga autoritetet dhe institucionet e larta shkencore të vendit tonë. Megjithatë, ajo duhet vlerësuar më tepër. E para, të njihet më mirë, pasi shumë nga veprat e saj nuk janë përkthyer ende në shqip. E dyta, megjithëse ka shumë materiale dhe dokumente të saj që ruhen në disa akademi të botës, por më tepër në tre muzeume në Londër, asnjë institucion shkencor nuk është kujdesur të paktën t’i shikojë për kuriozitet, jo më që t’i studiojë dhe t’ia paraqesë publikut shqiptar. E treta, në kuadrin e vlerësimeve që do t’u bëhen figurave historike më tej, edhe asaj t’i jepet një vend më i merituar nderi si një protagoniste dhe luftëtare direkte “shqiptare”. Pasi kështu nderojmë më shumë veten tonë se vetë atë!…
Ku mund “ta gjesh” Edith Durham-in?!…
Në saje të shkrimeve publicistike dhe botimeve të veçanta, ajo mori një famë të madhe. Gjatë punës së vet prej një çerek shekulli, ajo lexuesve anglezë iu pati dhuruar këto vepra: “Nëpër tokat e serbëve” (1904), “Brenga e Ballkanit”(1905), “Shqipëria e Epërme”(1909), “Lufta për Shkodrën”(1914), “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”(1920), dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”(1928),etj. Nga opusi i saj botues gjashtë libra trajtojnë pothuaj tërësisht çështjen shqiptare. Duke lexuar veprat e Durhamit shqiptarët dhe të huajt mësojnë shumë të vërteta nga historia, më shumë të dhëna për kombin, për trashëgiminë kulturore, për qëndrimet e sjelljet e fqinjëve dhe fuqive të mëdha në fillim të shekullit XX. Si të tilla ato janë referenca të domosdoshme për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore. Në ditët e sotme, dokumentet e saj origjinale mbahen nga Museum of Mankind (muzeu i njerëzimit) dhe Royal Anthropological Institute (Instituti Mbretëror Antropologjik) në Londër, ndërsa koleksioni i saj me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Pitt Rivers Museum në Oxford (Oksford) dhe Bankfield Museum në Halifax (Heilfaks). Muzeumi Bankfield gjithashtu ka një model prezentativ rreth jetës dhe veprimtarisë së saj.
Një ditë udhë me shqiptarët
Shënime të Edith Durham nga një udhëtim i saj në viset jugore të Shipërisë
U larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit, unë me kalin tim më të dobët që kam parë ndonjëherë, sepse ai as vraponte, as mundte të ecte, por lëvizte gjithnjë duke u hedhur. Nuk mërzitem nga hedhjet e një mëzi për një farë kohe, por kur kjo zgjat për 12 orë rresht, është vërtetë e lodhshme. U gëzova që rruga ishte shumë e keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij.
Suvaria (xhandar kalorës), një djalë i qeshur i zhdërvjellët, i cili e quante udhëtimin tim çështje sporti, për qejf, gjë për të cilën ai e aprovonte plotësisht, tha se përveç një pengese të vogël të tij private, rruga ishte plotësisht e sigurt. Prindi i tij plak e i mjerë, i cili në atë kohë nuk mund të zgjidhte vetë atë çështje nderi i qe dashur të largohej nga ai rreth. Gjendjen e tij djali nuk e quante aq të keqe përderisa ishte futur në xhandarmëri. Kjo ishte një mbështetje mbrojtëse për të, sepse ishte i armatosur mirë. Për hatrin tim, ai tha që shpresonte që të mos hasnin atë ditë me ndonjë nga armiqtë e tij dhe derisa fliste kështu, ai shikonte nga të gjitha anët me sytë e tij boje hiri prej shqiponje. Për fat të mirë, ai nuk banonte përgjatë rrugës që do të kalonim ne, por po ta shihte njeri mund t’i zinte pritë kur të kthehej. Sigurish ai s’ishte i marrë që të kthehej prapë nga kjo rrugë. Numrin e varreve të humbur, që gjendeshin rrugës ishin dëshmitë e atyre fjalëve që na thoshte ky djalë.
Të gjithë burrat, që lëronin tokën mbanin gjeverdare (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatare me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “vëri gishtin kokës, jam unë këtu”. Jeta në këtë krahinë është shumë e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë. Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja, të cilat ishin të shëndosha. Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria ndali për t’u kënaqur me kujtimin e shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz të ndryshëm. Një vit më parë, dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kishte mbetur gjë veç qivuri i tyre, një grumbull i madh me gurë. Pse i vranë? Suvaria nuk e dinte por ndoshta kishin armiqësi gjaku. Po të kenë qenë ashtu ata duhet të kenë qenë të marrë që s’kanë qenë të armatosur. Që të dalësh jashtë pa qenë i armatosur në këto rrethana është aq budallallëk sa si të dalësh jashtë pa pasur ombrellë në Angli dhe pastaj të ankohesh pse u lage. Gjykatësit i kishin çuar në ferr. Ky një vend pagan, që quhet Myslim, por as kishte as xhami, prift a hoxhë. Nuk gjendet në katundet e shumta të shpërndara nga të gjitha anët.
…Më në fund zbritëm në luginë dhe hasëm në ca hunj dhe një qemer të cilat tregonin se këtu kishte qenë urë. Ju drejtuam bregut të lumit dhe suvaria, duke bërtitur e llomotitur me disa katundarë në anën e përtejme pyeti se ku ishte lumi i kalueshëm dhe pastaj preu dhe hyri i pari në lum. Kurajo që më dha ky, më detyroi ta ndjek nga pas e pa asnjë dyshim. Uji na arriti deri aty sa nuk na u desh të notojmë, porse të tjerët u zhytën duke nguruar. Prej këtej vazhduam drejt një rruge të mirë dhe pamë Elbasanin që shtrihej në një fushë të gjerë me minare të bardha, një xixëllim në mes të qiparisave që na dukej se nuk do të mundeshim t’i aviteshim kurrë…”./dita/a.k