Nga Moikom Zeqo
Diskutimi mbi krizën botërore është i pafund, çdo gjë mund të shihet edhe nën optikën juridike.Globalizmi është triumfi i pozitivizmit juridik. Nuk është kaq e thjeshtë.Sipas pozitivizmit juridik ligjet e mira bëjnë një njerëzim të mirë. Mendoj se ndoshta është e kundërta: njerëzimi i mirë bën ligje të mira.Dua të shtoj: e dobishme nuk është ndërlikueshmëria e pafund e ligjeve, por simplifikimi i tyre.Me fjalë të tjera, raporti i etikes me juridiken duhet të jetë në favor të etikes. Jo thjesht si koncept teorik. Si humanitet i botëkuptimit, i marrëdhënieve njerëzore.
Kështu përcaktojmë dhe institucionin e letërsisë. Ajo buron nga etika dhe e ushqen atë. Letërsia është një veprimtari dëlirësuese; ajo shndrit sipër ligjeve, sepse është shumë më tepër se sa ligjet. Parashikimi i së ardhmes është atribut substancial i letërsisë. Përgjithësisht, letërsia botërore artikulon skenare apokaliptikë. Shqetësimi për të ardhmen është apokaliptik. Kriza e sistemit eshte e pariparueshme. Habermas argumenton se tjetersimi i humanizmit eshte nje katatrofe, që askush nuk e di se si mund te shmanget.
Si e perceptojnë shkrimtarët fatalitetin e krizës?
Shkrimtari është i të njëjtës racë me profetët biblikë, të cilët janë talente letrare të padiskutueshme.
Libri i Jobit në Bibël është shekspirian. Profeti Isaia është një poet më i madh se Dante. Vizionet e Gjonit në ishullin Patmos janë më të fuqishme sesa ato të Swift-it, ose të Hygo-it.
Shumë shkrimtarë e mitizojnë këtë atribut. Gjithsesi, të nervozuar e të dëshpëruar mendojnë për Fundin e Botës. Është një parashikim i skajshëm dhe i mjerueshëm, emocional dhe shpesh joracional. Te çdo njeri është edhe Fundi i Botës, por edhe Rilindja e Botës. Sistemet politike janë samarë në kurrizin e njeriut ende kafshë, derisa ky të bëhet vetvetja, domethënë njeri, pasi atij i mungon ende vetëdija njerëzore dhe mund të thuhet se ka ende një vetëdije kentauri, atë të një kriejese gjysmëkafshe e gjysmënjeri. Qeniet hibride nuk janë fantazi, përderisa vetë njeriu është hibridi më i madh i tërë gjallesave. Historia kthehet kështu në një proces identifikimi drejt së ardhmes. Ne mund ta parandiejmë të ardhmen vetëm si një ndryshim progresiv, ose si një shndërrim në qenien autentike natyrore, që nuk ka kontradikta me qenien historike.
Shumë romane kanë lëvruar zhanrin e “utopive negative”. Romani i Orwell-it 1984. Ky, e besoni ose jo, është një lloj romani komik. Kur akrepat bien trembëdhjetë në fjalinë e parë, e dini se keni të bëni me humor fantastik. Shteti ultratotalitar është i zënë duke shkatërruar gjuhën, ashtu siç e njeh historia, mirëpo ka një himn kombëtar që fillon me “Oqeania, këndoj për ty”. Shakaja e madhe e librit është premisa se profesorët thinjoshë të filozofisë kanë marrë në dorë qeverisjen e botës. Ata janë idealistë pasi mendojnë se vetëm idetë ekzistojnë, se realiteti është diçka që përmbahet përbrenda kafkës kolektive të partisë sunduese. Fakti se njeriu duhet të torturohet vetëm pse nuk mund të pranojë se 2+2=5 është së paku qesharak. Nga ana tjetër, kjo ishte parulla e Bashkimit Sovjetik gjatë njërit prej shumë planeve pesëvjeçarë, kur pandehte se puna e pesë vitëve mund të bëhej për katër vite, me një pushim të shkurtër në mes—gjendja e botës në vitin e imagjinuar 1984 nuk u shndërrua në realitet. Por kjo ndodhi me 1990. Kemi gjëra të tjera për t’u preokupuar përpos “Vëllait të Madh”; është punë e mirë të qeshemi me policinë e mendimit dhe me Lidhjen antiseksiste.
Libri Botë e re e guximshme (Brave New World), i Aldous Huxley-t, u botua më 1932, 6 vite pas vizionit të zymtë komik të Oruell-it. Nëse Orwell parasheh një epokë të pafund torture konformizmi dhe dashurie ndaj Partisë, Huxley ofron një botë, në të cilën të gjithë janë të lumtur—me një a dy përjashtime të domosdoshme për vijën e tregimit.
Në vitin AF 632, perëndia ka vdekur, por fryma e Henry Ford-it është e gjallë (AF do të thotë në anglisht after him—pas tij). “Fordi po lulëzon—çdo gjë është në rregull me botën”. Fordi herë-herë, sipas kësaj të ardhme të largët, shqiptonte emrin e vet si Frojd. Qeniet njerëzore prodhohen në një sistem frojdian rripash transportues, para dhe pas fekondimit (“lindja” është fjalë e mënyrë si dhe fjala “nënë”); ato kushtëzohen kimikisht që të jenë të kënaqura me fatin e tyre në jetë. Alfat janë mendtarë, Betat jo aq të këqij, Gamat disi, kurse Deltat moronë. Kinematë shfaqin ndjenjësime dhe kundërmime si dhe filma që flasin (sikur të jeni në vitet e transformuara 1930), dhe nëse ndihesh nën depresion, të japin tableta soma. Je i ri dhe i bukur derisa të vdesësh, posi një qen pekinez. Ka qytetarë të kësaj utopie, të cilëve nuk u pëlqen. Ata duan që të mos jenë të përkryer, duan të jenë mëkatarë, të sëmuren. Ata duan të vuajnë. Por, meqë distopia e Orwell-it nuk është shkruar, ata do t’i dërgojnë në Arktikun e papopulluar.
Ndryshimi(Alteration) i Kingsley Amis, mund të duket një zë i dridhur (jo gjithaq i dridhur kur të kesh rilexuar Plaku dhe deti (The Old Man and the Sea), mirëpo, romanet—si këta të dy—që hapin imagjinatën ndaj pamundësive të njeriut, duhet të kultivohen. Nëse Orwell dhe Huxley prezentuan një të ardhme të pamundshme, Amis paraqet një të tashme të pamundshme. Diçka ka ndodhur në të kaluarën, që në të vërtetë nuk ka ndodhur, ndonëse ka mundur të ndodhë. Më 1588, spanjollët pushtuan Anglinë protestante në emër të Kishës Katolike. Kjo e bën Anglinë protestane në vitin 1970 a më vonë, tjetër fare nga ç’është në të vërtetë. Ka një Papë të fortë që sundon botën e njohur, ka një inkuizicion brutal, nuk ka hulumtime të lira, prandaj nuk as shkencë, ka dhe një teknologji shumë primitive. Islamizmi është në luftë me krishterizmin (mbase kjo është më profetike se çka menduar autori), por nuk ka komunizëm (Karl Marksi është—dhe kinse trajtohet si—një rabin kahmot i vdekur) dhe Rusia, duke mos pasur alternativë tjetër, mbetet Rusia e Shenjtë.
Një libër i tillë mund të duket një lojë e thjeshtë, por loja është dhunti themelore e njeriut. Ne kemi nevojë që ta stimulojmë trurin duke lozur ndonjë lojë intelektuale. Akademia suedeze sikur nuk mendon kështu.Përmendim Huxley-n dhe Orwell-in. Harrohet rusi Yevgeny Zamyatin. Gjenial, profetik, fatkeq. Ai botoi më 1926, në Rusi, romanin Ne (We), në të cilin projektohet bota e matematizuar e së ardhmes. Tërë planeti është “Onestate”; në krye është qenia supreme, e quajtur Benefektori. Personazhet mbajnë numra, lëvizjet e tyre janë si në një planet pitagorik, emocionet njerëzore janë fashitur, s’ka më nevojë për to. Zamyatin vdiq krejtësisht i harruar në Paris, më 1936. Por një përkthim i keq në anglisht i romanit të tij, më 1928 ra në sytë e dy shkrimtarëve perëndimorë dinakë: Huxley dhe Orwell. Të dy e imituan në substancë, duke menduar se harrimi i Zamyatin-it do të ishte përfundimtar. Bota Orwelliane ka në krye Big Brather-in (alias, Benefektor-in). Matematizimi i gjithçkaje te Huxley është ideja e Zamyatin-it
Pas shumë vitsh, romani i Zamyatin-it u ripërkthye mrekullisht. Bota e njohu prijetorin e madh dhe shumë më të talentuar të këtij zhanri hipotetik tronditës.Zamyatin nën tokë s’di asgjë për këtë.E ç’rëndësi ka kjo?Krahas “utopive negative” ka edhe “utopi pozitive”.Letërsia e fantashkencës?Quaje si të duash.
“Historia e së ardhmes s’është shkruar asnjëherë, gjë që mendoj se zhduk çdo pretendim të historisë për t’ë bërë shkencë”, ka shkruar Frederick W. Taylor, dhe përsëri “astronomët i vijnë rrotull problemit të ekuilibrit të tre trupave që vërehen në hapësirë. Në histori problemi është aktualisht i pesë miliard trupave”.
Megjithatë çështja duket paradoksale.
Le të provojmë të bëjmë një ballafaqim midis parashikimeve të së ardhmes dhe realitetit. Shohim që “objekti” i parashikimit s’ka qenë asnjëherë i përcaktuar në mënyrë të hapur dhe për të plotësuar në të kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme planetare, kozmike, që askush s’kishte arritur t’i parashikonte.
Arthur Clarke, studiues i materies, astronom, autori i skenarit të filmit 2001, Odiseja e hapësirës (2001: A Space Odyssey), ndoqi nga afër punimet astronomike në veprim dhe ato relative të projektit Apollo. E megjithatë, më 1951 kishte parashikuar zbritjen e parë të njeiut në Hënë në vitin 1980, duke gabuar në kalkulimet e tij me rreth 11 vite. Ai kishte parashikuar, gjithashtu, me një saktësi të pabesueshme, se një anije kozmike do të ishte e zonja të ngrihej e të ulej sërish në tokë, takimet në orbitë, satelitët për të komunikuar.
Gjithnjë në fillimin e viteve 1950, në romanin e tij të famshëm Kronika Marsiane (The Martian Chronicle), Ray Bradbury, supozonte pushtimin dhe kolonizimin e Marsit në vitin 1999 (një datë tjetër sërish e parealizuar). Në Projektin Jupiter (Project Jupiter), botuar më 1954, Fredric Brown e shihte të munduer se njeriu do të niste ekspeditat e tij drejt orbitave të Jupiterit diku nga viti 1997. Në vitet 1940-1950, shkencëtari- shkrimtar Asimov (e krahas tij dhe mjaft të tjerë), mendonin se në vitin 2000 do të jepej mundësia e realizimit të “Njeriut sintetik” (Imitim i qenies njerëzore).
Por asgjë nuk është më e gabuar sesa kjo e fundit: imazhi i robotit antropomorf, tashmë ka zënë vend në një cep dosjesh në sirtar. Sot ekzistojnë makineri lëvizëse me inteligjencë të kufizuar, që përdoren në raste të veçanta, si operacione kirurgjikale që kërkojnë precizion të lartë etj. Janë krijuar kompjutera shumë të fuqishëm, por ende s’kemi në duar teknologjinë që “i bën objektet të ecin”. Inteligjenca po zhvillohet, veçanërisht në raport me botën që na rrethon por, megjithatë, sot për sot thelbësore janë shikimi, prekshmëria, përcaktimi fizik i vetë trupit në lidhje me ambientin etj.
Në fundin e viteve 1940, shkrimtari Murray Leinster parashikoi në mënyrë mjaft impresionante kompjuterin shtëpiak (i quajtur prej tij “logjik”). I ngjan pak televizorit të njëherë e një kohe, veçse në vend të butonave, ka një tastierë për të shkruar atë çka ju intereson, dhe që është e lidhur me “memorien”. Ju shtypni tastierën dhe ekrani ju përgjigjet në çast për gjithçka, madje ofron dhe këshilla për “zemrat e coptuara” edhe pse “logjikët” nuk ndihmojnë shumë, sidomos kur janë në mes femrat. Ata funksionojnë mirë vetëm për gjërat e arsyeshme.
E menduar mirë, proza fantastiko-shkencore nuk ka aspak (edhe pse kjo mund të duket kontradiktore), qëllime të përcaktuara parashikimi. Ajo është thjesht një “imagjinatë e pranueshme” e njerëzve që dinë të ushtrojnë fantazinë dhe teknika tregimtare më mirë se të tjerët, dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur: Mjafton të kujtosh shumë prej parashikimeve që s’janë realizuar ndonjëherë deri më sot.
Në romanin Hapuni! Hapuni! (Make Room! Make Room!), botuar më (1966), Harry Harrison përshkruante një New York, i cili, në vitin 2098, do të kishte 35 milionë banorë dhe pjesa tjetër e botës, e ndarë proporcionalisht, do të ushqehej prej “soulentit jeshil”, një pregatitje sojesh, thjerrëzash, etj. Por të mos i zmadhojmë gjërat.
Dimensioni parashikues i letërsisë nuk është dimensioni kryesor i saj. Homeri ribën të kaluarën, Servantesi të tashmen. Shekspiri dhe të kaluarën dhe të tashmen. Shekspiri nuk shkroi futurologji, por i takon më shumë së ardhmes, si simboli antropologjik më i madh i shkrimtarit në të gjitha kohërat. Harold Bloom, librin e tij madhështor per kete shkrimtar e ka quajtur Shekspiri: Rishpikja e Njeriut (Shakespeare: The Invention of the Human).
Shekspirizimi janë lëngjet e fshehta që ushqejnë njerëzimin në tërësi. Një njeri i vetëm, si Shekspiri, është vetë njerëzimi dhe humanizmi i mohuar barbarisht. Te Shekspiri është sekreti i kuptimeve që nuk vdesin kurrë.Mos e lodhim njëri-tjetrin me këto persiatje?Ndoshta.Nuk ka shumë të vërteta, ka vetëm një të Vërtetë, por që shfaqet me forma të ndryshme.E Vërteta e Njeriut!