NGA SEFER PASHA / Gazeta DITA
E dashur Elona!
Shënimi yt më ka mahnitur. Ti je vajza e mikut tim të shtrënjtë Gjelosh Ukcama. Këtë e dinë të gjallët dhe të vdekurit e Ministrisë së Brendshme. Gjeloshin e transferuan nga Garda në Shishtavec pasi djali i dajës së tij vrau një komisar të Gardës. Unë në Shishtavec të Kukësit e mora në mbrojtje. Në Shishtavec ka ardhur dhe Prenda me të dy vajzat për ca ditë. Gjeloshi nuk e harroi miqësinë me mua dhe kur ndodhën ndryshimet pas vitit 1992 me ndërhyrjen e tij [Gjeloshi ishte në kuadrin e Ministrisë] mua me ndihmën e Halit Gjeçit më emëruan si Zëvendës kryetar të Degës së Sigurimit të Objekteve në Gardën e Republikës. Kisha në ruajtje selinë e Presidencës ku ishte Sali Berisha. Dhe pas disa kohësh përsëri më hoqën. U ktheva sërish në Gardë pasi shërbeva në Tropojë.
Përmendja e emrit të Gjeloshit për foton që ka dalë me Enver Hoxhën është një detaj, i shkruar pa të keq e pa asnjë farë qëllimi për përfitim. Unë moj Elona nuk e shkel ligjin. Në shkrimin e botuar nuk them se kam “një foto të Gjeloshit me Enverin”. Jo. Unë fare thjesht them se miku im “ka bërë me ndihmën e Sulo Gradecit një foto me Enverin”. Ku qëndron këtu intriga? Nuk kam botuar ndonjë foto për reklamë apo për ta fyer mikun tim. Në ato mote Garda ishte me një mijë vetë. Sot në Tiranë nuk është mëkat që të kesh një foto me Enver Hoxhën. Ka tjetër psikologji. E gjithë Garda ka qenë roje. Ashtu është edhe sot. Në demokraci unë shërbeva në Gardë 9 vjet. Tre vjetët e parë qysh nga gushti i vitit 1968 kam shërbyer roje tek vila 31. Recitoja Kadarenë dhe Agollin kur garda ndërtonte me punë vullnetare një lagje që është në Tiranën e Re. Komisar kishim të madhin Skënder Alika, që tani është 96 vjeç. Me sytë e mi e kam parë Enver Hoxhën qindra herë. E kam ruajtur dhe nuk e kam për turp. Kam bërë detyrën. Por kam ruajtur dhe Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Sa herë që kaloj në rrugën “Irfan Tomini” i hedh sytë nga kati i pestë i pallatit, ku ju keni banuar dhe mua më duket sikur nga dritarja më thërret Gjeloshi: “Ngjitu lart komisar se po të pres me Lushin që të pimë nga një gotë raki. Aty gjenim dhe djalin e Lushit që ishte poet dhe recitonte Eseninin.
Zonja Elona! Unë kam në proces një libër për mikun tim Gjeloshin, ku është e gjithë jeta e tij interesante qysh nga gjyshërit në Lekbibaj, edhe pse jam nga Mallakastra. Do të ftoj në promovim. Do ta shtoj dhe këtë aksident. Mos u mërzit. Fotoja ekziston. Porosita një studio private për të gërmuar në memorien e fejsbukut. Por do ta këtë dhe ndonjë miku jonë. Ajo foto nuk të turpëron, moj zonjë. Përkundrazi! Kur kaloj nga Blloku ata që nuk na deshën thonë:“Po kalon Sefer Pasha, vëllai i Gjelosh Ukcamës”. Si të jenë hiena këta qyrrama e hafije shkruajnë gardhiqeve me makthe si dikur letra anonime. Pse unë kam shkruar se Kadri Hazbiu nuk ka qenë agjent i zbulimeve të huaja? Po kjo është e vërtetë. As Feçorr Shehu nuk ka qenë.
Dhe së fundi po përpiqem që të bëj dhe pak humor nga ai që ma tregonte Gjeloshi. Tek vila e Enver Hoxhës po bisedonte Gjeloshi me djalin e Enver Hoxhës, Sokolin. Doli Enver Hoxha. Sokoli i tha Enver Hoxhës: O babi! Sa djalë i mirë ky Gjoleka! Gjeloshi e kishte shoqëruar Sokolin jashtë shtetit. Enver Hoxha e pyet të birin? Nga është ky Gjoleka? Nga Lekbibajt e Tropojës u përgjgj Sokoli. Po ku ka emër Gjoleka në Lekbibaj, more Koli i thotë Enver Hoxha? Më fal babi, i tha Sokoli. E ngatërrova. E quajnë Gjelosh Ukcama.
Ti Elona tani je zonjë e madhe. Por ta dish mirë se jeta e Gjeloshit dhe e imja nuk kanë lidhje me atë foto. Bile Gjeloshin e internuan. E ka larë me lot Shishtavecin. Ne mbetëm të dy të papunë. Na flakën në rrugë sikur të ishim qenër. Nuk kishin lekë për kafe dhe rrinim tek bordurat e Sheshit “Skënderbej”. Nuk dinim ku të shkonim. Deshëm të bënim trafikun e armëve e aventura të tjera. Po nuk dinim nga lidhej gomari. Kur i kujtoj vë duart në kokë. Në libër po i qëndis. Kjo punë e fotos është një marrëzi. Të gjithë ata që kanë qenë pranë Enver Hoxhës i gjen në foto, në filma e në dokumentarë. Ka dokumente. E ç’rëndësi ka një foto? Miku im ka qëndruar tek Enver Hoxha plot tetë vjet. Bashkë kemi shkuar kur doli nga burgu Sulo Gradeci. Pse ta fsheh, e kemi festuar.
Elona! Në Lekbibaj ka një thënie: “Kur vras veten nuk kam kujt t’ia lyp gjakun”. E ç’më duhej mua ai fakt me atë të mallkuar foto! Nuk kam përgjigje.
Shkrimin për ty Elona e shkruajta me dhimbje sikur murova një ëndërr. Coftë vdekja kur prajnë helmet! Gjithsesi edhe këto pak rreshta janë pjesë e një kronike biografike për mikun tim Gjelosh Ukcama.
Sefer PASHA
(Vijon nga numri i kaluar)
Po kërkoja nëpër monopatet e materialeve të Arkivit të Shtetit një detaj që përflitej në Gardë dhe që kishte kaluar në heshtje në media. Shoqëruesi Ali Çeno në dalldi kërkon letrën që ka lënë Mehmet Shehu. Do vinin ta merrnin “ata shokët”. Fiqrete Shehu i përgjigjet: “Mehmet Shehu mbante një valixhe të vogël të cilën nuk e ndante nga dora. Ajo valixhe nuk është”. Po kërkoja ndonjë rresht në faqet e kompjuterit për enigmën e kësaj valixheje. Asgjë. Çështja e valixhes së vogël të Mehmet Shehut, që siç thotë e shoqja, Fiqretja, ai nuk e lëshonte kurrë nga dora, më ka preokupuar gjatë gërmimeve në arkiva. I kam bërë “çarçaf” dosjet njëra pas tjetrës. Nuk gjeta ndonjë syth për të çelur ndonjë dritare. Mirë letrën e mori i biri, Vladimiri, po valixhen sekrete kush e përlau? Ku shkoi ajo dhe në ç’duar ndodhet edhe sot e kësaj dite. Në ato çaste tragjike Fiqrete Shehut i bëri përshtypje mungesa e valixhes. As në dhomën ku vrau veten Mehmet Shehu dhe as në studion personale, e cila u gjet e hapur nuk u pa çanta intime e ish kryeministrit. Është një “djall” që e ka lëvizur dhe e nxori jashtë vilës 30. Po cili e zhvati? Kadri Hazbiu? Apo ndonjë tjetër? Vetë Fiqretja, jo. Ajo e ka thënë atë mëngjes se mungonte valixhja e dorës e burrit të saj. Enigmë e madhe! Ali Çeno kur ka dëshmuar nuk e zë fare në gojë këtë valixhe. Janë shumë pyetje që nuk marrin përgjigje. Cili qe “thesari” që fshihej në atë valixhe xhindi? Nuk merret vesh se kush e preku letrën i pari? Ka të dhëna kontradiktore. Por për çudi tek po shfletoja rashë në një “minierë ari”. Kushëriri im, Sami Muhameti, ishte djali i tezes së Feçorr Shehut. Çfarë nuk kishte thënë në hetuesi Sami Muhameti ndaj Feçorr Shehut, të cilin gjithë jetën e kishte pasur idhull! Sami Muhameti mbante pseudonimin “Semani”. Nga ato që lexova asnjë shënim nuk mbajta. Rashë në mendime të thella. Unë e kisha jetuar tragjedinë e familjes së Sami Muhametit kur ai ishte në burg dhe e kishte bërë bashkëpunëtor L. P. Nëna e Samiut, Kanushja, vari veten në litar. Askush nga mëhalla nuk shkonte në katua për t’ia hequr litarin nga fyti. Vajti vetëm nëna ime që ishte dhe komuniste. Sigurimi i Shtetit në të njëjtën kohë arrestoi gjithashtu dhe të vëllanë e Sami Muhametit, Selfon, që u përfshi dhe u akuzua me grupin e Ballshit. Selfon e arrestuan në mes të Ballshit të rrethuar me një grup sazexhinjsh, që u binin klarinetave dhe violinave. Ky ishte vendim i Komitetit të Partisë së Fierit për ta damkosur përpara popullit të Mallakastrës. Ishte arrestimi i parë me daulle. Në këtë situatë Selfo Pasha ra në depresion. Në burg në Tiranë tentoi të varej me çarçaf. E shpëtuan gardianët e burgut. Familjen e Selfos e internuan në fshatin Sojnik të rrethit të Gramshit. Njëri nga djemtë e Selfos, Babushi, vinte që nga Gramshi në mal mbi fshatin e lindjes. Që nga qafa e malit vështronte mëhallën ku kishte lindur. Çmallej disa orë dhe pastaj nisej përsëri për në Sojnik të Gramshit. Pas ca ditësh një kushëri tjetër i Sami Muhametit, Hasan Pasha, i cili ishte Shefi i Xhenjos në Divizionin e Fierit vrau veten me pistoletën e shërbimit. Një terror i paparë.
***
Sa shumë u mundova në Arkivin e Shtetit për të gjetur detaje rreth vizitës sekrete të Çe Gue Varës në Shqipëri. Ai e vizitoi Shqipërinë nga data 3 deri në 5 mars të vitit 1960. Asgjë të saktë nuk gjeta. Thërrime të shpërndara në internet. Pyeta kuadrot e Gardës të cilët ende janë gjallë. Ata kishin dëgjuar se Çe Guevara u mahnit nga Mehmet Shehu, i cili e fliste spanjishten në mënyrë të shkëlqyer. Ai kishte qenë në luftën e Spanjës. Vizita e Çe Guevarës u bë publike pas vitit dy mijë. Ish oficerët e Gardës tregojnë se Çe Gue Vara i bëri vet fotografitë me Mehmet Shehun. Ai e kishte pasion fotografinë. Fotot me Mehmet Shehun Çe Guevara i mori me vete. Po Mehmet Shehu pse nuk mbajti asnjë fotografi me legjendën Çe Guevara? E pabesueshme. Enigmë është dhe çështja e automatikut kallashnikov. Një automatik të ri të bërë në uzinën e armëve në Poliçan Mehmet Shehu ia dha dhuratë Çe Guevarës. Dhe ai e mori me vete. Po si e kaloi në aeroportet e vendeve të tjera? Tregojnë se Çe Guevara erdhi në Shqipëri me tjetër identitet. Për takimin sekret të Mehmet Shehut me Çe Guevarën nuk është shkruar asnjë rresht. As në Arkivin e Shtetit, as në protokollet e Kryeministrisë dhe as në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Nga hulumtimet e imta del se dy burrat e shtetit janë takuar në aeroportin e Rinasit. Jo, në zyrën e Mehmet Shehut. Këtë e thonë oficerët e Drejtorisë së Dytë, që merreshin me shoqërimin dhe sigurimin e delegacioneve të huaja. Një gjë është e saktë. Çe Guevara ka qëndruar dy ditë në Shqipëri. Po ku qëndroi? Në ç’hotel? Përveç Mehmet Shehut më kë tjetër u takua? Cili qe misioni i tij? Nuk duhet besuar ajo që thuhet se Mehmet Shehu u takua me Çe Guevarën vetëm në aeroportin e Rinasit. Më e çuditshmja është se ata që e kanë shoqëruar tregojnë se Çe Gue Vara ka qenë fillikat. Natyrisht me një pamje tjetër. Nuk ka qenë ai që shohim tani në fotografi. Dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe. Ai ndiqej si komunist. Po si erdhi në Shqipëri? Enigma e Çe Guevarës të trondit. Por ai bënte gjithçka. Ishte fenomen. Hollësira të tjera nuk dihen. Sa shumë më mundon misteri i këtij takimi. Në mënyrë të veçantë fotot e Çe Guevarës me Mehmet Shehun. Legjendën Çe Guevara do ta vrisnin shumë shpejt. Kurse miku i tij Mehmet Shehu pas 21 vjetësh do të vriste veten.
***
Në shënimet e Enver Hoxhës, sidomos në ditarët që ai ka botuar, shumë ngjarje dramatike ai nuk i zë fare në gojë. Vetë Enver Hoxha pasi e ndoqi dramën “Njollat e Murrme” të Minush Jeros e hodhi atë në koshin e plehrave. U bën dhe arrestime të bujshme. Kryetari i Hetuesisë Elham Gjika do t’i thoshte gruas së regjisorit Mihallaq Luarasi se: “Unë jam Elham Gjika. Vare vëth në vesh këtë emër”. Dhe Edi Luarasi sa qe gjallë nuk e harroi. E njëjta gjë ndodhi dhe me festivalin e njëmbëdhjetë në Radio – Televizionin Shtetëror. Ma ka treguar fije dhe për pe Sulo Gradeci. Kur u zhvillua festivali Enver Hoxha u ndodh në Drilon të Pogradecit. Po pinte kafe buzë liqenit dhe në magnetofon po dëgjonte këngët e festivalit. Isha në këmbë vazhdonte rrëfimin Sulo Gradeci në momentin kur Enver Hoxha qe përqendruar tek kënga: “Erdhi pranvera”. Kur këngëtari Tonin Tërshana e mbaroi vargun: “Erdhi pranvera, por unë nuk e besova”, Enver Hoxha e fiku magnetofonin dhe tha me zë të lartë: “Pse nuk e besove që erdhi pranvera ore të plaçin sytë!”.
***
Koha e Enver Hoxhës qe misterioze.
E sjell ndër mend stinën kur u botua romani i Kadaresë “Dimri i madh”. Romani u diskutua mes gardistëve, që ishin një organikë e fryrë. Ishin mbi 1 500 gardistë. Do të bëhej diskutimi i romanit. Komandanti i Gardës Zija Kambo mendoi ta kthejë në festë. U mblodhën dhe gardistët nga Labëria dhe krijuan grupin: “Ylli mbi re”. Këtë titull grupit lab ia vuri regjisori Kujtim Spahivogli. Ai bashkëpunonte me komandën e Gardës. Për çdo shfaqje që jepej në sallën e Akademisë së Arteve, kur kishte boshllëk dhe biletat nuk qenë shitur, salla do të mbushej me gradistë që visheshin civilë. Akademia e Arteve dhe Garda e Republikës ishin derë më derë. Shpesh oficerët e Gardës stërvisnin studentët e akademisë sidomos për përdorimin e shpatës. Regjisorin Kujtim Spahivogli e donin kuadrot e Gardës. Titullin e grupit lab Kujtim Spahivogli e kishte marrë nga një varg që e kishte përdorur Kadareja në roman. Vargu ishte “Dhe një yll që shndrit mbi re”. Është një nga kapitujt më të bukur të romanit. Si nëpër balada këndohej kënga: “Ku je nisur e po vete,/ Këtë vjeshtë shoku Enver?/ Rruga për Moskë është e keqe/ Bie borë, ngrica të ther”. Bëhej fjalë për udhëtimin e Enver Hoxhës dhe të delegacionit për në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Shfaqja e gardistëve u dha në sallën e Akademisë së Arteve. Mori pjesë Adil Çarçani dhe Nexhmije Hoxha.
E kam takuar dhe kam biseduar me Kujtim Spahivoglin. Jam çuditur më vonë kur atë e dënuan. Mes gardistëve ai njihej si komunist i thekur. Autori i këtyre radhëve e ka ndjekur dramën “Një shok i klasës sonë” me dhjetëra herë. Dramën e kishte shkruar dhe e kishte vënë në skenë vetë Kujtim Spahivogli. Shkëlqente në ato shfaqje Vaçe Zela dhe Timo Flloko. Gardistët e donin Kujtimi Spahivoglin. E mbaj mend mirë kur oficerët e Gardës sidomos ata që merreshin me trupën, të cilët kur e takonin nuk i thoshin kurrë: “Shoku Kujtim!”, por: – “O, Kujtim! Kur do të keni ndonjë shfaqje”? Në kafenenë e dikurshme oficerët shoqërues të udhëheqjes i paguanin konjak “Skëndrebeu” dhe fërneta. Por Garda ishte ambient boleshvikësh. E dëgjoja kur ata të komandës thoshin: “Po ç’na bëri ky Kujtimi? Është fejuar me një vajzë rreth 18 vjeçe me të vogël”. Çdo mbasdite e shikonim Vllasova Mustën me Kujtim Spahivoglin nga Kisha e Shën Prokopit. Vllasova ishte vajzë shumë e bukur. Po kalon “Helena e Trojës” thoshin gardistët nëpër vendroje me dashamirësi. Thuhej mes gardistëve se Vllasova Musta ishte e bija e një luftëtari me emër që e donte Enver Hoxha. Pedagogët e degës së skulpturës dhe të pikturës zgjidhnin gardistët “kafshë”, të cilët vinin nga fshatrat e largëta. Në Gardë bënin gallatë me ata gardistë që pozonin nudo. Qëllonte që dhe studentet vajza të degës së skulpturës të punonin me tipat model, që ngjanin me kuajt. Kishin trupa të bukur. Gardistët “model” mpiheshin nga turpi kur pozonin nudo sidomos përpara vajzave studente. Asnjë studenteje nuk ia hidhnin sytë. I bënte gur turpi. Ata vinin për të pozuar me urdhër të komandës, e cila bënte çfarë u thoshte Kujtim Spahivogli. Instituti i Arteve i paguante gardistët fukarenj. Dhe ata të shkretët ato dy lekë i nisnin nëpër fshatra, ku kishin familjet që punonin në kooperativë. Por një studente e pikturës e dashuroi një “shkëmb” të Gardës. E ndaloi përpara Gardës dhe u martua me të.
E kam takuar Bashkim Shehun kur ai doli nga burgu. Isha me shërbim në Pallatin e Kongreseve, ku Pjetër Arbnori fillimisht kishte zyrën. Bashkim Shehu kishte qenë në një qeli në burgun e Spaçit me Pjetër Arbnorin. Meqenëse atë ditë Pjetër Arbnori ishte në Durrës unë qëndrova me Bashkim Shehun disa orë. Ai donte ta takonte me çdo kusht Pjetër Arbnorin. Gjyshi im në Mallakastër, Hazis Dulja, ishte mik me Mehmet Shehun qysh nga koha e luftës. Këtë fakt ja thashë Bashkimit që nuk i kishte njohur miqtë e të atit në Mallakastër. Atje në hollin përpara zyrës së Pjetër Arbnorit, Bashkim Shehu, më foli për letrën e Mehmet Shehut e cila nuk po gjendej. Ai më tha gjithashtu se ku dyshonte të ishte letra e të atit përpara vetëvrasjes. Bashkimi gjithashtu shpresonte se do të gjendeshin eshtrat e të atit. Kishin informacion se ato ndodheshin në një greminë buzë lumit të Erzenit. E kam kujtuar në Arkivin e Shtetit takimin e paharruar me Bashkim Shehun. Nuk isha më pjesë e gardës kur bleva romanin ’’Vjeshta e Ankthit’’ të këtij autori. Shumë nga këto detaje janë të njohura. Por gjatë gërmimeve të mundimëshme pashë se arkivi i Mehmet Shehut ishte shumë sipërfaqësor. Nuk gjenden shënimet me dorën e Mehmet Shehut. Thuhet nga shoqëruesit e tij me të cilët kam punuar se Mehmet Shehu kishte shkruar kujtimet se nga erdhi në Çorrush familja e tij. Mehmet Shehu kishte zbuluar se të parët e tij ishin Suljot. Ai ka shkruar me dorën e tij se është pasardhës i gruas së famëshme Suljote, Dhespos, për të cilën ka shumë legjenda në Sul edhe sot e kësaj dite. Por këto kujtime nuk gjenden. Ashtu siç nuk gjenden letrat e dashurisë për Fiqireten. Mungojnë fotot e Shehut dhe të Sulltanës. Tregimet. Dramat. Kujtimet nga Mbledhja e 81 partive në Moskë. Nuk gjendet asgjë nga nata e tragjedisë me përjashtim të letrës, por dhe ajo dorë pas dore. S’ dihet se ku është pistoleta me të cilën Mehmet Shehu vrau veten? S’ ka asnjë material nga sudjoja ku ai punonte dhe ku shkroi për herë të fundit letrën e mallkuar. Nuk gjendet makina e shkrimit, stilegrafi, blloqet, ora e dorës e të tjera. Të gjitha do të kishin vlerë. Por bashkë me ‘’’poliagjentin’’ u vodh e u dogj gjithçka e lënë nga mendja e ndritur e Mehmet Shehut.
Vetvrasja e Mehmet Shehut ja prishi përfundimisht qetësinë Kadri Hazbiut. Për të rifituar besimin e Enver Hoxhës ai filloj një turn bisedash me popullin, që nga jugu në veri. Shprehja e tij më e preferuar kudo që fliste ishte: -’’Aty ku shoku Enver vendos këmbët ne të vendosim kokën’’. Kadri Hazbiu udhëtonte, mbante ligjërta, por askush nuk e besonte. Në mbledhjen e Byrosë Politike Prokop Murra kishte thënë se:- ’’Kadriu e kishte grurë me Mehmetin’’. Që të gjithë e dinin se ishte mik i Mehmet Shehut. Por u thyen ’’qelqet’’. Gjithsesi Kadri Hazbiu në takimet me popullin mbronte idetë e Enver Hoxhës. Duke qenë në qendër të dramës ai padashur bënte dhe ndonjë gabim, të cilin ja mbanin shënim organet e Sigurimit të Shtetit, që e ndiqnin këmba – këmbës. Gjatë një fjalimi që Kadri Hazbiu mbajti para popullit të Tiranës në Sheshin ’’Skënderbej’’, ku ndodhej dhe Enver Hoxha, ai e ngriti zërin në kupë të qiellit. Në moment Enver Hoxha i tha Hekuran Isajt në vesh: – ’’Kadri Hazbiu të merret në përpunim!’’. Pas këtij urdhëri të Enver Hoxhës, Kadri Hazbiut sigurimi i ’’vilte’’ çdo fjalë. Për shëmbull Kadri Hazbiu e thërret Komandantin e Gardës dhe i tërheq vëmendjen se gardistët nëpër vendroje kanë përqeshur shokun e Enver. Flitej sikur Enver Hoxha në vendrojen pranë shtëpisë në Bllok i qënkej afruar një gardisti dhe ja kishte bërë me gishtin tregues TYYYYYYYYYYYY……! Ky qortim i Kadri Hazbiut qarkulloi në të gjithë Gardën e Repubikës. U nënkuptua sikur Enver Hoxha nuk ishte mirë nga shëndeti mendor.
Kadri Hazbiu u ndodh në Gjirokastër kur e lajmëruan se do të bëhej mbledhja e Pleniumit të Komitetut Qendror. U kthye i tronditur. Kur e mori fjalën për të diskutuar në mes të Pleniumit Enver Hoxha i thotë: – Si shpjegohet që ti kazil i moçaleve nuk më ke informuar se Panajot Plaku ka ardhur në Pasha Liman që nga Konispoli. Më ke zgjuar nga gjumi edhe kur digjej një mullar me bar. Kadri Hazbiu i përgjigjet se kam informuar shokun Hysni Kapo. Por Hysni Kapo kishte vdekur.