E përmuajshmja L’Espresso, e gazetës italiane La Repubblica ka publikuar një investigim të gjerë që hedh dritë mbi atë që ajo e konsideron si një lidhje të fortë mes ish-kryeministrit të Italisë Silvio Berluskoni, kryetar i partisë Forza Italia, që mund të rikthehet në pushtet, me mafien siçiliane.
Historia i ka zanafillat në vitin e largët 1974, kur Berluskoni ishte një sipërmarrës i suksesshëm dhe duket se lidhjet kanë vijuar në mënyrë të fortë të paktën deri në vitin 1992, ku qindra milionë lireta kanë vërshuar në të zezë nga ish-presidenti i Milanit drejt korleonezëve dhe palermitanëve të mafies në këmbim të mbrojtjes mafioze.
Investigimi
Pakti sekret mes Silvio Berlusconit dhe Cosa Nostrës
Më 1974, kur e zhvendosi zyrtarisht banesën e tij në Arcore, Mangano ishte I skeduar nga policia si një kriminel I lidhur me mafien. Përse iu besua pikërisht atij, pa u informuar për precedentët penalë, roli I garantuesit të sigurisë dhe të administrimit të pronës së Berluskonit? Pyetja mbetet pa përgjigje të besueshme deri më qershor 1996, kur u ekstradua ën Itali dhe nisi të bashkëpunonte me drejtësinë një boss mafioz i niveleve tepër të larta, Francesco Di Carlo. (…) Di Carlo kishte një pozicion të veçantë te Cosa Nostra, gjatë viteve kur organizata kriminale kishte vënë pasuri të jashtëzakonshme me trafikun e heroinës, në të njëjtat vite kur nisi të kishte përçarjet që do të shpërthenin luftën e mafies, e cila që nga 1979 më 1982, do të dekretonte triumfin e korleonezëve përmes shfarosjes së kumbarëve të vjetër palermitanë.
Di Carlo në fakt është mes të paktëve që gëzon besimin, dhe njeh sekretet, e të dyja palëve mafioze. Ai kishte qenë mik që në fëmijëri i Stefano Bontate, që për shumë vite kishte qenë bossi më i pasur dhe i fuqishëm i Palermos, por kishte një lidhje tepër të fortë edhe me korleonezët, aleatë me Bernardo Brusca-n. Aq sa më 1976 u ngrit në rolin e kreut të familjes me kërkesë direkte të Salvatore Riina dhe Bernardo Provenzano. I zgjuar, i lig, i respektuar nga të gjithë, Di Carlo ka shumë konfidenca me Bontate, që e thërret “baroni” për elegancën e tij dhe e merr shpesh me vete në takime të rëndësishme. Por e ka për zemër edhe Riina, i cili shoqërohet nga ai gjatë disa zhvendosjeve të mafies. Për pozicionin e tij unik, Di Carlo ka mundur të japë të dhëna përcaktuese për shumë vrasje të mëdha, si ato të karabinierëve Emanuele Basile dhe Giuseppe Russo, të gjyqtarëve Cesare Terranova, Gaetano Costa dhe Pietro Scaglione, të gazetarëve Mario Francese dhe Peppino Impastato, si dhe të presidentit të Rajonit të Siçilisë Piersanti Mattarella, vëllait të presidentit aktual të Italisë.
Di Carlo ka folur për Dell’Utri-n që prej marrjes së tij të parë në pyetje si bashkëpunëtor i drejtësisë: “Isha ën Milano me Bontate, Teresi dhe Cinà. Shkuam te zyra e Martello në via Larga, pranë Duomos, që ishte si njëfarë zyre e Cosa Nostras. Makinën e ngiste Nino Grado sepse e njihte Milanon mirë. Pas takimit me Martello, Stefano Bontate më tha se do takonim një industrialist, njëfarë Berlusconi: asokohe emri i tij s’më thoshte asgjë…”. Këtu ai saktësoi: “Bontate ka bërë gjithnjë marrëveshje me politikanë, teresi ishte një ndërtues i madh, ndaj s’më bënte përshtypje që shkonin për ujdi me industrialë të ndryshëm. Atëhere ishte një gjë normale: çdokush, industrialë apo të tjerë i drejtoheshin Cosa Nostrës ose për ta patur në rregull kompaninë ose për t’u mbrojtur”.
Vijon Di Carlo: “Ishte viti 1974, mund të ishte pranverë ose vjeshtë, mbaj mend që nuk kishim kapota: unë isha me xhaketë dhe kravatë… Shkuam në një pallat të të fillim viteve 1900, jo në një vilë. Këtu na priti Dell’Utri, të cilin e kisha takuar edhe më parë me Tanino Cinà. Me të tjerët, përfshi Bontate, Dell’Utri u përshëndet me puthjen, kurse me mua me një shtrëngim dore. Me Gradon njiheshin, sepse bënin shaka dhe flisnin miqësisht. Më pas hymë në një dhomë të madhe, me tryezë, karrige dhe me duket me ndonjë divan, dhe pas gjysmë ore u shfaq ky zotëri tridhjete e ca vjeç, që na u prezantua si doktor (titull për të diplomuarit) Berlusconi. (…) Dell’Utri ishte me xhaketë dhe kravatë, Berlusconi me fanellë me jakë rrethore poshtë së cilës mbante një këmishë. Pas kafes nisën diskutime serioze”.
“Teresi tha se po ndërtonte dy pallate në Palermo, Berlusconi u përgjigj se ai po ndërtonte një qytet të tërë dhe se administrativisht nuk ka shumë ndryshim: na bëri njëfarë leksioni mbi ekonominë. Më pas dolën te çështja e garancisë, se ‘Milano sot është e shqetësuar sepse ndodhin shumë grabitje’… Unë dija se Luciano Leggio, kur ishte i lirë, thoshte se donte ti sillte të gjitha paratë e Veriut në Corleone… Stefano Bontate kishte fjalën, sepse ishte i dërguari, kurse unë isha vetëm për shkak të miqësisë me të. Berlusconi shpjegoi se kishte fëmijë dhe nuk ndihej i sigurt, kështu që donte një garanci dhe këtu i tha: “Marcello më ka thënë se ju jeni një person që mund të më garantoni këtë dhe të tjera gjëra”. Në atë pikë Stefano Bontate bëri si modest, por më pas e garantoi: “Mund të rrish i qetë, fli i qetë, sepse do të keni pranë persona që çdo gjë që do të kërkosh do ta bëjnë. Më pas ju keni Marcello-n këtu pranë, për çdo gjë drejtohuni atij…”. Dhe më pas shtoi: “Do t’iu dërgoj dikë”.
Di Carlo sqaroi fjalinë e boss-it duke shpjeguar se për të garantuar mbrojtjen e plotë mafioze për Berlusconin “duhej dikush nga Cosa Nostra” sepse Dell’Utri nuk ishte i lidhur si një njeri nderi. Dhe shtoi se sapo Bontate tha ato fjalë, “Cinà dhe Dell’Utri panë njëri-tjetrin”. Pasi dolën nga zyrat e Berlusconi-t, vijoi i penduari, “Cinà i tha Bontate-s dhe Teresi-t: “Po këtu është Vittorio Mangano, që është edhe mik i Dell’Utri-t”. Di Carlo kujtoi se “Stefano nuk e kishte shumë më merak, por Mangano ishte i familjes së Porta Nuovas me në krye Pippo Calò, kështu që ishte nën varësinë e Bontate-s. Ndaj Bontate tha: “Ah, lërini Vittorio-n”.
Di Carlo është një dëshmitar okular i atij takimi dhe është i vetmi i mbijetuar mes boss-ëve që më 1974-n arritën atë marrëveshje me Berlusconi-n dhe kreun mafioz të kohës. Cosa Nostra e mori në mbrojtje sipërmarrësin milanez, sikurse parashikohej, duke i vënë pranë njeriun e nderit të caktuar nga Cinà, në marrëveshje me Dell’Utri-n. “Na vunë pranë Vittorio Mangano sigurisht jo si punonëjs stalle, sepse, pa ofenduar zotin Mangano, Cosa Nostra nuk i pastron stallat askujt”, theksoi Di Carlo, duke nënvizuar dobinë e mbrojtjes mafioze: “Vunë një që të banonte atje, në Milano: Mangano trafikonte dhe njëkohësisht Berlusconi bënte figurën që kishte pranë dikë të Cosa Nostras… Mjafton kjo në Cosa Nostra, sepse çdo kriminel do që të bëjë ndonjë aksion, merren menjëherë masa”.
Cosa Nostra nuk është një ent asistence. Mbrojtja prej saj paguhet. Dhe shtrëngimi nis menjëherë, aq sa e vuri në siklet edhe vetë të ngarkuarin e shtrëngimit të parë mafioz. Ka qenë vetë Di carlo që e ka shpjeguar edhe këtë pasazh, pak pas takimit me Berluskonin: “Tanino Cinà më thotë: “Jam në siklet, sepse më kanë thënë menjëherë t’i kërkoj 100 milionë lireta… Më duket shumë”. Dhe unë i thashë: “Po ty ç’të plas, ata të pasur janë… Vetë na kanë kërkuar”.
Takimi i vitit 1974 mes Silvio Berlusconi-t asokohe 38 vjeç dhe superbossit Stefano Bontate, ashtu sikurse përmbajtja e kontratës mafioze të ndërmjetësuar nga Dell’Utri, konsiderohet si një siguri nga të gjithë gjyqtarët që janë marrë me këtë çështje, në të gjitha shkallët e gjykimit. Vendimet përkatëse janë në mijëra faqe të bazuara te dëshmi dhe fakte.
Paratë në të zezë nga Milano në Palermo
Që prej 1974-s, Berlusconi nisi ta paguante Cosa Nostrën. Paratë kalonin nga duart e Dell’Utrit te Cinà, në fshehtësinë më të plotë dhe shkuan deri në Palermo për rreth 20 vjet, të paktën deri më 1992, sikurse kanë shpjeguar vendimet e formës së prerë.
Me luftën dhe vrasjet e mafies ndryshojnë krerët e familjeve kriminale që ndajnë thesarin e Arcores. Por efektet e paktit mbeten ato që ishin lidhur më 1974: para në të zezë në këmbim të mbrojtjes mafioze për familjarët dhe veprimtaritë ekonomike të Berluskonit. Lëvrimet janë periodike, gjithnjë kesh, të cilat janë të gjitha të fshehura. Në Milano i vetmi mbajtës i sekretit është Dell’Utri, që kishte një fond të posaçëm. Ai paketonte kartëmonedhat dhe i dorëzonte në zyrën e tij në duart e financierit mafioz që shkonte t’i tërhiqte, zakonisht çdo gjashtë muaj, për t’i çuar në Palermo. Atje paratë e Berluskonit ndaheshin mes klaneve sipas logjikash strikte mafioze.
I pari që i merrte, sipas rendit kohor natyrisht ishte Vittorio Mangano, njeri nderi i familjes së Porta Nuovas, i cili në vitet ’70 ishte në varësinë e klanit Santa Maria di Gesù i udhëhequr nga Bontate. Mangano i merrte paratë nga Berlusconi pikërisht sepse është një mafioz i klanit të Bonates, arkitektit të paktit. Por një pjesë duhet t’ia jepte kumbarit të cilit duhej t’i jepte llogari në Veri: Nicola Milano, që ishte pjesë e familjes së Porta Nuovas.
Mes 1979 dhe 1980 korleonezët shpërthyen luftën e dytë të mafies. Stefano Bontate u vra më 23 prill; 1981. Në të njëjtët muaj killerat korleonezë vranë zëvendësin e tij, Mimmo Teresi, i cili u zhduk me metodën e “çiftes së bardhë”. Pasi përfundojnë “masakrat”, klani i Bonates shpërbëhet. Dhe familja e Porta Nuovas e drejtuar nga Pippo Calò, që i kishte tradhtuar boss-ët humbës duke kaluar me korleonezët, ngrihet në familje tjetër. Në vitet e mëpasme paratë e paguara nga Berlusconi përmes Dell’Utri-t kalojnë përmes disa duasrh mafioze, por ndjekin gjithnjë rrugëtimin fillestar. Përfundojnë gjithnjë te të njëjtat klane, edhe pse pas luftë korleoneze, ndryshuan krerët.
Antonino Galliano, pjesë e klanit Noce që prej 1986, është nipi i kreut të familjes Raffaele Ganc dhe mik i të birit të tij Domenico, i quajtur Mimmo. Ka marrëdhënie shumë të mira me Cinà, me të cilin është përgjuar. Kur vendos të bashkëpunojë me drejtësinë, Galliano rrëfeu se vetë Cinà i ka përshkruar takimin mes Bontates dhe Berlusconit, pas së cilit boss-i “dërgoi Manganon” si “garanci kundër rrëmbimeve”. “Cinà më tha se Berlusconi mbeti i mahnitur nga figura e Bonates: nuk e imagjinonte se kishte të bënte me një person kaq inteligjent”, – kujtoi Galliano, i cili falë konfidencave me Cinà rrëfeu se si ishin ndarë paratë e Berluskonit përpara dhe pas vdekjes së Bonates. “Cinà shkonte dy herë në vit për të tërhequr paratë në studion e Dell’Utrit… Këto para, Cinà ia dorëzonte fillimisht Bontates dhe më pas, pas luftë ssë mafies, Pippo Di Napolit, i cili sipas radhës ia jepte Pippo Contornos, njeri nderi i Santa Maria di Gesù, i cili ja jepte kreut të tij të familjes Pullarà». Pullarà është një tjeter boss palermitan që kaloi me korleonezët dhe që për këtë u ngrit në hierarki sy kreu i familjes mafioze. Kështu që së bashku me fronin e Bontates, Pullarà trashëgoi edhe paratë e Berluskonit.