Ekuadori është kthyer në “shtegun” më të madh të trafikut të kokainës drejt Europës. Por pse po rriten eksportet e drogës? Po shqiptarët çfarë roli kanë dhe cili është mesazhi i Ekuadorit drejt Europës? Tvklan.al sjell të përshtatur në shqip këtë artikull të BBC-së që i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve.
“Mafia shqiptare të telefonon dhe të thotë: “Duam të dërgosh 500 kilogramë drogë”. Nëse nuk pranon, të vrasin”.
César (jo emri i tij i vërtetë) është anëtar i Mbretërve Latinë (Latin King), një bande kriminale që merret me trafikun e drogës në Ekuador. Ai u “rekrutua” nga një zyrtar i korruptuar policie kundër narkotikëve për të punuar për mafian shqiptare, një prej rrjeteve më të “frytshme” të trafikut të kokainës në Europë.
Mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, shkaktuar edhe për shkak të rrugëve kyçe të trafikut që gjenden në këtë vend dhe kontrollon shumë nga sasia e kokainës që shkon nga Amerika Latine drejt Europës.
Pavarësisht se Ekuadori nuk e prodhon vetë drogën, 70% e kokainës në botë kalon përmes porteve të saj, sipas presidentit të vendit, Daniel Noboa. Lënda narkotike kontrabandohet nga shtetet fqinje, Kolumbia dhe Peruja, të cilat janë dy prodhueset më të mëdha të kokainës.

Policia thotë se ka sekuestruar një sasi rekord të drogave të paligjshme vitin e kaluar, shumica e tyre kokainë, duke treguar se eksportet për janë në rritje. Mirëpo pasojat janë vdekjeprurëse.
781 vrasje ndodhën në Janar të 2025-ës, duke e bërë muajin më vdekjeprurës në vitet e fundit. Shumë prej viktimave lidhen me trafikun e paligjshëm të drogës.
BBC foli me njerëz që marrin pjesë në zinxhirin e furnizimit për të kuptuar pse kjo krizë po përkeqësohet dhe si konsumimi në rritje i kokainës në Europë po e “ushqen” këtë fenomen.
César-i, 36 vjeç, nisi të punonte për herë të parë për kartelet e drogës kur ishte 14 vjeç. Faktorët sipas tij ishin mundësitë e pakta për punë.
“Shqiptarët kishin nevojë t’u zgjidhje disa probleme. Unë njihja rojet e portit, shoferët e transporteve, supervizorët e kamerave të sigurisë”, shpjegoi 36-vjeçari.
Ai i korrupton ata për të kaluar drogën nga porti i Ekuadorit, për të bërë një “sy qorr”… me disa raste edhe të kamerave.

Pasi kokaina nga Kolumbia apo Peruja mbërrin në Ekuador, fshihet në magazina deri në momentin që punëdhënësit e tij shqiptarë marrin vesh që një kontejner do të largohet drejt një prej porteve europiane.
Bandat përdorin tre metoda kryesore për të trafikuar kokainën: Duke futur drogën në ngarkesa para se të arrijë portin, duke thyer kontejnerët në port, ose duke ia ngjitur drogën anijeve në det.
Në disa raste César-i ka bërë 3 mijë Dollarë për një punë, por nuk e bën thjesht për para. “Nëse nuk bën një punë të cilën ta kërkojnë shqiptarët, të vrasin”, tha ai.
César-i thotë se ndjen pendesë për rolin e tij në trafikun e drogës, sidomos për ata që i quan si “viktima kolaterale”. Por 36-vjeçari beson se fajin e kanë vendet konsumatorë. “Nëse konsumi vjen duke u rritur, të njëjtën gjë do të bëjë edhe trafiku. Do të jetë e pandalshme. Nëse e luftojnë andej, do të përfundojë këndej”, tha ai.
Edhe punonjës të zakonshëm, jo vetëm anëtarë bandash, kapen në këtë zinxhir furnizimi.
Juan (jo emri i tij i vërtetë) punon si shofer kamioni. Një ditë thotë se mori një ngarkesë me peshk ton për ta çuar në port. Ai e kuptonte se diçka nuk shkonte.
“Shenja e parë ishte kur shkova te magazina dhe kishte vetëm ngarkesën, asgjë tjetër. Ishte magazinë me qira, s’kishte as emër kompanie. Dy muaj më vonë pashë në lajme se kontejnerët ishin sekuestruar në Amsterdam, plot me drogë. Nuk e dinim fare”, tha ai.

Disa shoferë transportojnë drogë edhe pa e ditur. Disa të tjerë detyrohen. Nëse refuzojnë, vriten. Bandat europiane kanë shkuar në Ekuador për shkak të vendndodhjes, por edhe eksporteve të saj të ligjshme, të cilat sigurojnë një mënyrë të përshtatshme për të fshehur ngarkesat e paligjshme.
“Eksportet e bananeve përbëjnë 66% të kontejnerëve që largohen nga Ekuadori. 29,81% shkojnë në Bashkimin Europian, aty ku konsumi i drogës po rritet”, shpjegoi përfaqësuesi i industrisë së bananeve, José Antonio Hidalgo.
Disa grupe kanë ngritur kompani false frutash për import apo eksport në Europë dhe Ekuador si mburojë për aktivitetet e paligjshme.
“Këta trafikantë europiane hiqen si biznesmenë”, thotë José (jo emri i tij i vërtetë), një prokuror që godet grupet e krimit të organizuar dhe që foli në mënyrë anonime për shkak të kërcënimeve që ka marrë.
Shembull është rasti i Dritan Gjikës, i akuzuar se është një nga drejtuesit më të fuqishëm të mafias shqiptare në Ekuador. Prokurorët thonë se ai kishte aksione në kompanitë e eksportit të frutave në Ekuador dhe kompanitë e importit në Europë, të cilat i përdorte për trafikimin e kokainës. Ai ndodhet në arrati, por shumë prej bashkëpunëtorëve të tij u përballën me dënime pas një operacioni ndërkombëtar policie.
Avokatja Monica Luzárraga mbrojti një prej bashkëpunëtorëve të tij dhe tashmë flet hapur për njohurinë që ka rreth mënyrës si operojnë këto rrjete.
“Në këto vite, eksportet e bananeve patën një “boom” në Shqipëri”, tha ajo.

Ajo u shfaq e frustuar që autoritetet nuk e kuptuan që grupet kriminale po e përdornin këtë gjë si mburojë.
“Ekonomia këtu është në stanjacion. Megjithatë e vetmja gjë që ka rritur eksportet është banania. Pra, dy plus dy bëjnë katër”, u shpreh ajo.
PSE PO RRITEN EKSPORTET
Në portet e Ekuadorit, policia dhe forcat e armatosura përpiqen që të kontrollojnë situatën. Patrulla me varka në ujë, skanime policie të arkave me banane, madje polumbarë që kërkojnë për drogë që mund të fshihet poshtë anijeve.
Të gjithë janë të armatosur “gjer në dhëmbë”, madje edhe ata që ruajnë arkat me banane para se të ngarkohen në kontejnerë. Kjo ndodh sepse nëse gjendet drogë gjatë një kërkimi, një punonjës i korruptuar i portit mund të jetë me shumë gjasë i përfshirë dhe mund të shkaktojë një incident të dhunshëm.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, policia thotë se sasitë e kokainës që trafikohen me sukses jashtë Ekuadorit kanë arritur një rekord të lartë. Kërkesa në rritje dhe faktorët ekonomikë fajësohen si arsye pse ndodh.
Rreth 300 tonë drogë u sekuestruan vitin e kaluar, një rekord i ri vjetor sipas ministrisë së Brendshme të Ekuadorit.

Majori Christian Cozar Cueva i Policisë Kombëtare thotë se ka pasur një rritje me 30% të sekuestrimeve që ishin destinuar për në Europë vitet e fundit. Kjo rritje e dërgesave të kokainës e ka bërë më të vështirë punën për “të ngecurit” në zinxhirin e furnizimit.
Kamionisti Juan thotë se rritja e “kontaminimit të kontejnerëve” e bën edhe atë vetë më të pambrojtur. Ai thotë se policia sekuestroi një kontejner një ditë më parë me dy tonë drogë.
“Dikur flitej për kilogramë, tani bëhet fjalë për tonë. Nëse nuk i kontaminon kontejnerët ke dy opsione: Lër punën ose përfundo i vdekur”, tregon ai.
Pandemia e Covid e goditi fort ekonominë, duke i lënë ekuadorianët të pambrojtur ndaj rekrutimeve të bandave.
Shteti i goditur financiarisht pas pandemisë, forcat e sigurisë me pak përvojë ndaj krimit të organizuar dhe rregullat e dobëta të vizave lehtësuan praninë e bandave nga Europa pas vitit 2020.
Monica Luzárraga thotë se 2021-shi ishte viti kur infiltrimi i mafias shqiptare “mori hov”. Sipas saj, kjo periudhë lidhet me një rritje të qytetarëve shqiptarë dhe të eksporteve të bananeve, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
“Është një biznes fitimprurës që dëmton Ekuadorin dhe u shërben organizatave kriminale. Si mund ta pranojmë një ndërtim të ekonomisë mbi vuajtjen?”, shprehet ajo.
MESAZHI PËR EUROPËN
Ky inat mbi kartelet e huaja nuk është i habitshëm, duke parë edhe kontributin e tyre në rritjen e dhunës. Por si trafikantët dhe ata që kryejnë luftën ndaj tyre bien dakord në një gjë: Tregtia nxitet nga konsumatorët, veçanërisht në Europë, SHBA dhe Australi.
Të dhënat nga OKB-ja tregojnë se konsumimi botëror i kokainës ka arritur nivele rekord. Studimet sugjerojnë se Mbretëria e Bashkuar ka nivelin e dytë më të lartë botëror të përdorimit të kokainës. Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA-ja) përllogarit se Britania konsumon rreth 117 tonë kokainë çdo vit dhe ka tregun më të madh në Europë. Provat tregojnë se konsumimi atje është në rritje.
Zyra për Punët e Brendshme në Britani tha se konsumimi i kokainës u rrit me 7% nga 2023-shi deri në 2024-ën. Operacionet e NCA-së sekuestruan 232 tonë me kokainë në 2024 krahasuar me 194 tonë që u kapën në 2023-shin.
Nëndrejtori i NCA-së Charles Yates tha se kjo e bën Britaninë e Madhe “vendin e zgjedhjes” për grupet e krimit të organizuar që përfitojnë nga kërkesa e lartë. Ai përllogarit se tregoi i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar vlen rreth 14.2 miliardë Dollarë dhe bandat kriminale bëjnë rreth 4 miliardë Dollarë në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata që luftojnë bandat në Ekuador, si prokurori José, thonë se u takon vendeve shtetasit e të cilëve janë konsumatorë të ushtrojnë kontroll më të madh mbi ata që financojnë tregtinë.
Viktimat janë të formave të ndryshme.
Për Hildago-n, eksportuesit e ligjshëm të bananeve po vuajnë dëmin ekonomik dhe të reputacionit. Për avokaten Luzárraga janë fëmijët dhe adoleshentët që për “rekrutohen” nga bandat.
“Në Europë ka qytetarë që janë të gatshëm të paguajnë sasi të mëdha parash për të pasur drogën që konsumojnë. Kokaina po u kushton jetën qytetarëve të Ekuadorit”, thotë ajo.
NCA-ja thotë se përveç efekteve katastrofike mbi komunitetet, përdorimi i kokainës po shton efektet te përdoruesit sa i përket shqetësimeve kardiovaskulare dhe psikologjike. Vdekjet që lidhen me kokainën u rritën në Britaninë e Madhe me 30% në vitin 2023 krahasuar me 2022-shin.
Autoritetet britanike paralajmërojnë se droga përkeqëson edhe dhunën në familje. Është e qartë se përpjekjet e forcave ligjzbatuese për të shkatërruar furnizimin nuk janë të mjaftueshme.
“Veprimet në krahun e furnizuesve nuk do të jenë përgjigja. Ajo që është e rëndësishme është të ndryshohet kërkesa”.
Nga anëtarët e bandave të drogës te presidenti i vendit, ky është mesazhi i Ekuadorit për Europën gjithashtu.
Presidenti Daniel Noboa, i cili po kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale më 13 Prill, e ka bërë luftën ndaj bandave një nga prioritetet e tij kryesore dhe ka urdhëruar ushtrinë që të “çmontojë” dhunën e lidhur me bandat.
“Zinxhiri që përfundon në “qejf në Mbretërisë së Bashkuar” përfshin shumë dhunë. Ajo që është qejf për një person, me shumë mundësi përfshin 20 vrasje rrugës”, tha ai.
Përshtati në shqip, Gramoz Pisha, Tvklan.al