Nga Leart Kola
Zgjedhjet në Himarë treguan që politika, në thelb, është më e thjeshtë nga se e mendojmë. Njerëzit votojnë politikisht, sigurisht, e megjithatë tani që ndarja ideologjike më shumë se aksion politik është një fjalë nga e kaluara, në përgjithësi votojnë pragmatikisht. Pavarësisht “romancës” historike që u tentua në Himarë, dhe kësaj here fiks si herën e kaluar, politika e madhe ishte sport i elitave në Athinë e Tiranë, për qytetarin aty vendosi xhepi më shumë se zemra.
Po si ndodhi kjo kur në gjithë këtë vit opinioni publik u bombardua me idenë e një beteje epike shtetërore dhe religjioze?
E thjeshtë, mediat janë vetëalienuar gjatë këtyre viteve nga masa e madhe e fake news që prodhojnë (ku në një vend të vogël si i yni është inkursion qesharak, sepse zbulohet menjëherë) sa ekzistojnë në limbo, ata besojnë se janë relevante, në fakt për njerëzit janë një argëtim momental në atë që sociologët e quajnë shoqëri e post-truth.
E kur nuk ekziston e vërteta “universale” e betejave epike patriotike ajo që mbetet është e vërteta individuale shqisore, ajo që sheh e prek përreth ambientit ku jeton. Himara është treguesi kryesor për këtë.
Në zgjedhjet e para një viti kandidati i mazhorancës humbi, ky është fakt, pavarësisht se humbi me më pak vota se e meritonte (sipas mendimit tim), apo se votat që bënë surplusin e Belerit ishin paradoksalisht aq sa Beleri tentoi të blinte një natë përpara zgjedhjeve, në thelb humbi sepse nuk punoi, nuk dha zgjidhje për problemet e ditës së banorëve të zonës së tij, dhe në fund e mbylli me një burgosje për abuzim me pronat, si një nekrologji politike e paralajmëruar.
Beleri kandidati i çdo qeverie greke dhe i Saliut në zgjedhjet e para fitoi, ky është fakt, dhe pse siç thamë më sipër votat i bleu, sepse për këtë u dënua me vendim të formës së prerë, por fitoi sepse arroganca e Partisë Socialiste për të rikandiduar të njëjtin njeri për herë të tretë që nuk bënte as herën e parë, nuk u pëlqye nga banorët aty, jo se njëri është më shumë “grek” se tjetri por se njëri nuk pastronte plehrat dhe tjetri, mbase mund t’i pastronte, njerëzit nuk e dinin.
Sidoqoftë, drejtësia hyjnore ndërhyri dhe për arsye të ndryshme të dy kandidatët sot janë në burg.
Në zgjedhjet e kësaj here, mund të thuhet që në letër kandidati i mazhorancës nisej me një disavantazh sepse nuk ishte i zonës, dhe cirku mediatik në Athinë dhe në Tiranë nga mediat ku Beleri jo vetëm u shpall hero por dhe u zgjodh deputet në Parlamentin Europian, gjithë kjo aureolë triumfatore bëri që dhe opozita e Saliut në Tiranë të përfshihej plotësisht në këto zgjedhje që sipas tyre mund të ishin pas fitores në gjykatë të vulës, vula që do vendoste rikthimin e tyre në pushtet. Por humbën dhe humbën me një rezultat dërrmues, që nuk i la vend as për të ndërtuar një alibi për manipulime se dhe ata e dinë që nuk manipulohen dot aq shumë vota.
Pas Saliut, humbësja e vërtetë ishte qeveria greke, e cila me një formulë të “shkatërrimit kreativ” të cilën ndoqi dhe në rastin e Belerit angazhoi Ministrinë e Brendshme, të vinte në punë gjithë komisariatet e policisë për të skanuar komunitetin për banorë me vendlindje Himarë, si “patronazhistë” model ata “trajnuan” këta banorë të votonin për kandidatin e “tyre” pasi e mbyllën këtë rreth vicioz, vazhduan dhe këto zgjedhje me një rreth virtuoz, të një qenie mitike që endet maleve të Himarës sa herë ka zgjedhje një lloj kafshe gjysmë prift dhe gjysmë shërbim sekret grek që i kujton dokumentat atyre që punojnë dhe jetojnë në shtetin fqinj, i cili është jo vetëm i lashtë në histori por dhe në taktikë politike.
E megjithatë prapëseprapë humbën, sepse taktikat e tyre të shekullit të kaluar nuk pinë ujë më në këtë shekull ku jetojmë ky ishte një leksion që shpresoj t’u shërbejë për herë të tjera.
Fitoi Vangjel Tavo, jo se ky i fundit kishte ndonjë retorikë revolucionare, as se partia ishte në ndonjë gjendje entuziazmi, fitoi sepse ka potencialin më të madh organizativ për të mbledhur plehrat e rregulluar rrugët, kaq! Asgjë më shumë, banorët perceptuan që energjia e një njeriu të ri, të paprovuar dhe angazhimi i tij me partinë e qeverisë në pushtet do t’ua bënin atyre jetën përreth më të mirë, kjo i dha një kandidati në start të disfavorizuar një rezultat spektakolar.
Në fakt ky është leksioni i madh që nxjerrim nga zgjedhjet në Himarë, pavarësisht se opinioni publik në Tiranë dhe Athinë është mësuar të shohë banorët e Himarës si karaktere të dehur në mitin e vorio-epirit apo mbrojtës të paepur të flamurit kuq e zi, rezultuan të zhgënjyer, ata ashtu si ne, si kushdo janë njerëz që duan shkolla më të mira, kopshte më të mira, rrugë të shtruara e pa plehra, e duan të shfrytëzojnë maksimalisht për të rritur mirëqenien e tyre individuale jo kombëtare apo historike.
Kush mendon se do fitojë zgjedhjet me grand narrativa, duke folur për kataklizma dhe revolucione, Himara i dha një leksion paraprakisht, në këtë fshat global, ku të gjithë jemi të lidhur me çfarëdo që ndodh në çdo cep të botës, shqetësimi ynë kryesor mbetet pragu i derës, kush nuk e kupton këtë është i destinuar të humbë çdo herë që merr pjesë në zgjedhje. (Dita)