SHÇBA arrestoi policin kufitar; shpërdoroi detyrën duke lejuar të kalonin në vijën e parë të kontrollit 2 shtetas me lëndë narkotike edhe pse ishte në dijeni
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Durrës, arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë Agim Shaba, me detyrë ndihmës kontrollor në PKK Durrës, për “Shpërdorim të detyrës”.
Një ditë më parë rreth orës 19:30, duke shkelur urdhrin e eprorit efektivi i Policisë kufitare ka lejuar kalimin në dalje nga Republika e Shqipërisë drejt Italisë, të shtetasit Bashkim Hasani, megjithëse kishte informacione se ky i fundit do të kalonte materiale të kundraligjshme, në bashkëpunim me shtetasen Laureta Lama.
Pas kontrolleve në dhomën e tragetit ku ishin akomoduar për udhëtim dy shtetasit e sipërpërmendur, agjentët e Antidrogës sekuestruan lëndën narkotike, për të cilën kishin informacion.
Arrestimi i Inspektorit Agim Shaba u krye për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./a.m.