Planifikimi dhe zhvillimi i territorit ka qenë në qendër të fjalës së zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Kuvend.
Sipas saj, ndryshimet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, vijnë si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e zhvillimit të territorit, bazuar në problematikat që janë vërejtur gjatë zbatimit të tij të deritanishëm.
“Vitet e fundit janë shënjuar nga një rritje e qëndrueshme ekonomike e vendit si dhe nga një zhvillim i fuqishëm dhe i paimagjinueshëm pak vite më parë i sektorëve të caktuar si turizmi, bujqësia, sektori i ndërtimit në përgjithësi, infrastruktura etj. Veçanërisht në sektorin e turizmit ku shifrat janë përtej çdo parashikimi, ashtu siç e kemi përsëritur edhe në projektligjin pararendës. Shifrat tashmë, vetëm ata që vijnë nga ajri kanë qenë 7.2 milionë vitin e kaluar dhe presim në Rinas 9.4 milionë, duke pasur një projeksion për të gjithë vendin gjatë vitit 2024 rreth 14 milionë vizitorë. Të gjithë këto sigurisht duhet të akomodohen në njësi akomoduese, të cilat duhet të jenë të shtrira në të gjithë vendin, sipas kërkesave të turistëve që vijnë në vendin tonë.”, tha Balluku.
Sipas saj, të gjitha këto arritje janë rezultat i politikave të Qeverisë, strategjive dhe programeve që ajo ka implementuar në 10 vitet e fundit.
“Kjo qasje synon të mbështesë edhe më tej ecurinë e qëndrueshme ekonomike të vendit. Synimi ynë është të vijojmë me reformat, të forcojmë dhe konsolidojmë institucionet, të rrisim cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, përmes digjitalizimit dhe sigurisht shërbimeve të cilat duhet të jenë të zhveshura dhe të thjeshtësuara nga burokracia.”, tha Balluku.
Sipas saj, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” synojnë krijimin e një organi të ri, në nivel qendror, me kompetenca të plota në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban, që tashmë do të ketë edhe përgjegjësinë e fushës së menaxhimit të burimeve ujore, në kuadrin e shqyrtimit të aplikimeve për lejet për zhvillim apo leje ndërtimi.
“Detajimin dhe ndarjen e kompetencave, kjo është pika e dytë që adreson ky ligj. Kemi detajimin dhe ndarjen e kompetencave të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit sipas dy fushave, përkatësisht fushës së planifikimit urban dhe asaj të zhvillimit urban. Këshilli Kombëtar i Territorit duke qenë një organ që e zhvillon veprimtarinë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, i është njohur e drejta për të miratuar kërkesat për leje ndërtimi të zhvillimeve komplekse, të cilat konsiderohen të tilla, për shkak të veçorisë së zhvillimit, interesit shtetëror dhe kompleksitetit të tij. Për këtë arsye, në këtë projektligj sugjerohet që të bëhet saktësimi në lidhje me kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit, duke i klasifikuar ato përkatësisht në fushën e planifikimit, ku janë përfshirë edhe ato që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore dhe atë të zhvillimit të territorit.”, tha Balluku.
Sipas saj, organizimi i Regjistrit Kombëtar për planifikimin e territorit është një tjetër risi që vjen përmes këtij projektligji ku saktëson mënyrën e organizimit të këtij Regjistri, i cili parashikohet të organizohet me tre komponentë, sistemin elektronik të e-planifikimi; Harta GIS, ku shfaqen dhe ruhen të gjitha materialet që i përkasin fazave të ndryshme të hartimit të dokumenteve të planifikimit dhe arkiva, ku depozitohen të gjithë dokumentet e planifikimit të cilat janë finalizuar me miratimin e tyre.
“Projektligji që sjellim sot në Kuvend synon të forcojë standardet e planifikimit dhe ato të zhvillimit të territorit, si dhe të harmonizojë nivelin e ndërhyrjes në raport në raport të drejtpërdrejt parimor dhe hierarkik të akteve, si në çështjet e planifikimit dhe në ato të zhvillimit. Projektligji nuk krijon asnjë mbivendosje të kompetencave të IKMT-së dhe të IMT-ve me kompetencat e shtuara të AZHT-së për monitorimin e zhvillimeve në territor. Këto kompetenca janë të ndara qartësisht dhe kompetencat e reja të AZHT-së i shërbejnë ngushtësisht veprimtarisë së këtij institucioni duke mos cenuar veprimtarinë e organeve zbatuese sipas ligjit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në territor.”, tha Balluku.
/a.r
Kjo na bene per te qeshur,kure degjojme prrallat e saja te neveriteshme,pore i falet eshte misi i k/hajdutit.