Ish-komandanti i forcave speciale, Erzen Breçani, ka folur në një intervistë për gazetaren Aurora Koromani duke shpjeguar sipas tij gafat që policia e shtetit bëri në ndërhyren e Lazaratit.
Ngjarja që i mori jetën efektivit Ibrahim Basha dhe ku mbetën të plagosur dy të tjerë, do të shmangej sipas Breçanit nëse policia nuk do të gjendej e papërgatitur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Sipas tij, efektivët e RENEA-s në Lazarat u futën pa pasur një plan të mirëmenduar. Ai shton se policia ra në një grackë të grupit të zjarrit, të ngjashme me atë të vitit 1998, ku gjatë operacioni u plagosën 7 policë.
“Gabimi më i madh i policisë ka qenë tërheqja dhe që e kanë lënë të riorganizohej këtë grup. Aq më tepër që këta persona janë të rinj dhe përdorues të lëndëve narkotike. Ata nuk janë mbajtur në përgjim të vazhdueshëm gjatë një viti, apo nuk kemi parë që gjatë një viti të jetë bërë arrestimi i ndonjë të kërkuari” – ka thënë Breçani për News24.