Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, përsëriti se Moska këmbëngulë në zbatimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që përfshinë edhe dialogun e drejtëpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe respektimin e integritetin territorial të Serbisë.
“Në këtë kontekst ne do të kontribojmë në çdo mënyrë të mundshme në gjetjen e zgjidhjes. Por, çfarë zgjidhje konkrete mund të mbështesë Rusia? Ne, kemi theksuar vazhdimisht se do të pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë, pikë”, ka thënë Lavrov pas takimit që pati në Moskë me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç.
Lavrov pas bisedimeve me homologun e tij serb i kërkon SHBA dhe Bashkimit Evropian të ndikojnë në udhëheqësit e Kosovës për të ndalur ‘provokimet’ kundër Serbisë.
“Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit dhe Brukselit që të ndikojnë mbi Prishtinën dhe të kuptojnë përgjegjësinë e tyre për zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, të bërë së bashku me SHBA dhe Evropën dhe duke i detyruar shqiptarët e Kosovës që të frenojnë politikat e tyre ‘provokuese dhe konfrontuese’”, tha Lavrov.
Nga ana e tij, ministri serb Daçiç tha se u bisedua edhe për takimin mes presidentin rus, Vladimir Putin dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që do të zhvillohet në kuadër të forumit “Brezi dhe Rruga”, i cili mbahet më 25 deri më 27 prill në Kinë.
“Serbia nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit pa ndihmën e Rusisë”, deklaroi Daçiç.
Ai theksoi se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa konsultime me Rusinë.
Rusia është një aleate e Serbisë në raport me çështjen e Kosovës. Kur në muajin janar vizitoi Serbinë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se Moska mbështet çdo zgjidhje mes Prishtinës dhe Beogradit që është në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit./REL
g.kosovari